“Anija e bukur” poezi Charles Baudelaire
Kam me t’dëftue, o magjistare e butë,
bukuritë e ndryshme që rininë ta pajisin.
Bukurinë tande do ta pikturoj
ku fminia lidhet me pjekuninë.
Kur ajrin shkon tue rrahë me fundin tand të gjanë
dukesh si anije kur merr detin pa anë,
ngarkue me vela e shkon tue ecë,
me i ritëm t’butë, përtac e të lehtë.
Mbi qafën e gjanë, mbi shpatullat e kolme
t’kapardiset koka me hire të papame.
Me ‘i çehre t’qetë e triumfatore,
shkon rrugës tande, o fmijë madhështore.
Kam me t’dëftue, o magjistare e butë,
bukuritë e ndryshme që rininë ta pajisin.
Bukurinë tande do ta pikturoj,
ku fmija lidhet me pjekuninë.
Gjini që prin e atllasin e shtyn,
gjini yt triumfues âsht nji raft i bukur,
që kapakët e frymë e të ndritshëm
vetimat i thithin porsi parzmoret.
Parzmore ngacmuese, pajisë me maje rozë!
Raft sekretesh t’ambla plot me gjithçka t’mirë:
venëna, parfume, likere
që mendjet e zemrat i çojnë në delir.
Kur ajrin shkon tue rrahë me fundin tand të gjanë
dukesh si anije kur merr detin pa anë,
ngarkue me vela e shkon tue ecë,
me i ritëm t’butë, përtac e të lehtë.,
E kambët fisnike nën volana që shtyjnë,
turbullojnë dëshirat e fort i ngacmojnë,
porsi dy magjistare që rrinë tue sjellë
nji pije të zezë në fund t’nji ene t’thellë.
E krahët e tu prej herkulash t’parakohshëm
t’ndritshmeve boa mundohen t’ua kalojnë,
të bamë që me forcë me shtrëngue,
si për me shtie n’zemër, dashnorin tand.
Mbi qafën e gjanë, mbi shpatullat e kolme
t’kapardiset koka me hire të papame.
Me ‘i çehre t’qetë e triumfatore,
shkon rrugës tande, o fmijë madhështore
Përktheu: Primo Shllaku
ObserverKult
Lexo edhe: