… Lermë t’u marr erë, të thith thellë, pafundësisht, aromën e flokëve të tu, të zhys në to krejt fytyrën si në ujët e një burimi të kristaltë e, pastaj, me gishtat e mi t’i shushpuris ato si një shami erëmirë që shpërndan kujtime të ëmbla në eter.
Ah, sikur ti të mund të imagjinoje gjith’ato që unë shoh, gjith’ato që ndjej, gjith’ato që dëgjoj në flokët e tu! Shpirti im lundron mbi parfume si shpirti i të tjerëve në muzikë…
I zhytur mes flokëve të tu, shoh një ëndërr plot anije, vela e direke të cilët musonet i shtyjnë drejt klimash të mrekullueshme, mes detrash pafund, aty ku qielli është tepër blu e deti shumë i thellë, aty ku thithet ajër i parfumuar nga aroma e frutave, barit e lëkurës njerëzore.
Ja, në oqeanin e flokëve të tu shoh një port plot dallgë këngësh melankolike, me njerëz të fortë racash të ndryshme e plot anije lloj-llojesh të cilat lartojnë arkitekturat e tyre të përkryera nenë një qiell të pafund ku prehët një ngrohtësi e përjetshme.
Duke ledhatuar flokët e tu, ndjej ofshamat e lëngatat e dikurshme, të përjetuara shtirë mbi një divan, në dhomëzën e një anije të bukur përkundur nga valët e lehta të molos; aty mes vazo lulesh e amforash freskuese.
Mes vatrës së zjarrtë të flokëve të tu, tani thith aromë duhani ekzotik përzier me opium e kallam sheqeri e, ndërkohë, në natën e flokëve të tu, më shfaqet shkëlqimi i pafund i kaltërsive tropikale; mbi brigjet e kadifenjta të flokëve të tu mbushem plot aroma ku ndjej përzier bashkë: bitum, myshk e vaj kokoje.
Ah, lermë të kafshoj flokët e tu ! Kur fus gojën mes masës së tyre elastike e rebele, më duket se shijoj kujtimet më të ëmbla!…
Shqipëruar nga: Vasil Qesari
Nga poemat në prozë “Le Spleen de Paris”
ObserverKult
LEXO EDHE:
Kur t’i mbyllësh sytë, bukuroshe shikimngrysur,
Në fund të përmendores prej mermeri të zi
Dhe kur të keshë për shtëpi e për katandi
Veç një qiler të lagshtë dhe një gropë të krimbur.
Kur rrasa që ta shtyp kraharorin e tmerruar
Dhe ijet e zhdërvjellta plot sharm n’pakujdesi
Të t’pengojë zemrën t’ndjellë epshet n’trup e ngji
Dhe këmbët të vrapojnë n’eventurë t’përvluar;
Gjatë atyre netëve t’pagjumë e për vaj
Varri që i vetmi e di ëndrrën time të paskaj
(Sepse varri gjithmonë e kupton poetin)
Do të t’thotë: “Pse, kurtizane e papërsosur,
s’e shijove at’ që qahet në jetën e pasosur?”
-Dhe krimbi si ndërgjegjja do të ta brejë trupin.
Përktheu: Mensur Raifi
ObserverKult