Poezi nga Charles Baudelaire
Kur me dekret të fuqive eprore
Poeti u shfaq n’ketë botë të neveritun,
E ama e trembun, me hyjshmì në gojë,
i përpushet Zotit, që mshirë ndjen për tê:
« Ah, si nuk polla mâ mirë nji lamsh me shlliga
Sesa të ushqej ketë faqe të zezë!
Mallkue qoftë nata me qejfe të shkurta
Kur n’barkun tim u përftue ndëshkimi.
Dersa ti m’zgjodhe përmbi të gjitha gratë
Që t’jem neveria e t’trishtit burrit tim
E s’mund ta hjedh ket përbindsh t’vocrruem
Në flakë për t’u djegë si hidhen letrat,
Urrejtjen tande që m’shkallmon, do t’ia zbraz
Ksaj vegle të namun të ligsive tueja
E do ta dërmoj at të mbrapshtë fidan
Që sŷthat me dergjë kurr të mos i bulojnë. »
T’urrejtjes s’vet kapërdin shkumën
e pa marrë vesht hiç prej planesh amshore
vetë me dorë t’vet gatit në fund të Gehenës
turrën e drûve për krimin amëtar.
Por, ndore e padukshme e nji Êjlli rojtës,
fmija i dalë fisi dehet me diell,
e në gjithçka t’fortë a të langët që kalon për fyti,
nektar kuqlosh e ambrozie gjen.
Ai lot me erën e flet me rêtë,
dehet tue kndue në udhën e krygjës
e Shpirti që e ndjek në udhtim të tij
qan kah e shef të gzuem si ndoj shpend pylli.
Ata që i ka përzemër, me frikë e shofin
o prej qetsisë së tij guximin marrin
me thirrë atê që dhimbje u shkakton
e mbi lkurë të tij provojnë mizorinë.
Me bukë e me venë kur ia shtrojnë sillën,
i hjedhin hî e të flliqta këlbazë,
çka prek ai e flakin si të molisun,
veten brigojnë kur shkelin n’gjurma të tij.
Grueja e tij shkon e sheshesh botore çirret:
« Derisa e bukur i dukem e m’adhuron,
do të bâj zanatin e idhujve të lashtë
e si ata me ar do të prarohem.
Kam për t’u fâ me kem e me mirrë,
me llokma mishi tul edhe me venë,
që ta marr vesht nse ‘i zemre që m’adhuron,
tue qeshë, a mund t’i zhvaten homazhet hyjnore!
E kur t’mërzitem kso farsash t’pafé
do të vê mbi tê ketë dorë të hollë por t’fortë,
e thojt e mi tamam si kthetra bishtre
rrugën der n’zemër kanë me e gjetë si shkohet.
Si ‘i zogu të njomë që dridhet e përplitet,
atë zemër t’kuqe prej gjoksit do t’ia shkul
e, për ta ngopë bishën time të dashtun,
përtokë me përbuzje kam për t’ia flakë. »
Kah Qielli ku shef nji fron të ndritshëm,
poeti i kthjelltë krahët i drejton
e rrufetë e gjana të shpirtit t’tij tejpamës
ia heqin pamjen e popujve t’hazdisun.
– « Qofsh i bekuem, o Zot, që vuejtjen jep
si ilaç hyjnor për flliqësitë e tona
e si ma t’mirën e t’pastrën esencë
që t’fortin e gatit për epshe të shêjta.
E di se nji vend ia ruen ti Poetit
ndër radhët fatlume të Legjioneve të shêjta
e se të ftuem e ke në festën amshore
t’Froneve, Virtyteve edhe t’ Pushtetit.
E di se dhimbja âsht e vetmja fisnikì
që s’ka çka i ban as toka por as ferri
e që, për ta thurë atë kunorë mistike,
gjithsinë m’duhet ta mund e bashke me tê dhe kohën.
Por stolitë e humbuna të Palmirës së lashtë,
metalet e panjoftun, perlat e detit,
dorës tande montue, asfare nuk mjaftojnë
për ketë diademë që t’i merr sŷtë me feksje.
Se ajo ka me qenë e sajueme prej drite,
marrë në votrën e shêjtë të rrezes parësore,
e para saj sŷtë tanë n’kulm të shkëlqimit
s’janë veç pasqyra nxî prej vajtimit.
Përktheu: Primo Shllaku
ObserverKult
Lexo edhe: