Charles Bukowski: Njeriu mëson

Charles Bukowski

Poezi nga Charles Bukowski

njeriu mëson për të duruar ngase për të mos duruar
bota i kthehet kundër
dhe atëherë ai është më hiç se
hiçi.

për të duruar do të thotë të kesh koqe
dhe sa më pisk ta kesh punën
fitorja është më e
këndshme.

thonë se duhet të luftosh për
liri.
e di këtë.
vetëm se unë nuk i kam luftuar japonezët, italianët, gjermanët dhe as rusët
për lirinë time.
i kam luftuar amerikanët: prindërit, oborret e shkollës,
shefat, zonjat e rrugës, miqtë,
vetë
sistemin.

të luftuarit, natyrisht se, nuk ka fund.
vështirësitë e reja arrijnë posi treni në kohë.
mbase më nuk do të jetë mëngjesi i mahmurllëkut ose
reparti i montimit në fabrikë
por pabesia, hileja, dhe shpresa e rreme zënë vendin e
tyre.
besoj se testohemi bile edhe derisa
flemë, dhe shpeshherë e gjitha bëhet aq vdekjeprurëse
sa që sall me qeshje mund ta heqim qafe.

për të qëndruar të duhet goxha fat, goxha dijeni dhe një
kuptim i arsyeshëm i
humorit ngase mospërfillja bëhet edhe më mospërfillëse,
i forti bëhet më i fortë,
trimi i dikurshëm bëhet trimaç dhe
e gjitha që na mbetet është
që të marrim në konsideratë mënyrën se si
elefanti rrinë i qetë në pyll duke pritur të vdes,
mënyrën se si njerëzit dështojnë orë e çast,
mënyra se si prifti harron lutjet e tij,
mënyrën se si dashuria mund të shndërrohet në marrëzi,
ose mënyrën se si shiu i ftohtë qull varrin e
Mozartit. me gjithë këto vaki dhe
shumë gjëra tjera që njeriu
i mëson më në fund se si të
qëndrojë.

Përktheu: Fadil Bajraj

ObserverKult


Lexo edhe:

CHARLES BUKOWSKI: SI E KANË GJETUR ORE ATË PUNË?