Si e kanë gjetur ore atë punë?, poezi nga Charles Bukowski
një kritik letrar sapo më ka quajtur “Saroyan i dorës së dytë
me mahmurllëk.”
kjo nuk është edhe aq keq kur i kam parasysh se çfarë më kanë
quajtur disa femra të mia.
kam marr shumë kritika të këqija për libra gjatë jetës sime dhe pres të marr
edhe më shumë
ama duke qenë njerëzor dhe si çdo shkrimtar tjetër
paksa më vjen inati kur e ndiej se kritiku nuk i ka kryer detyrat e shtëpisë
ashtu si do të duhej
dhe kur kritika e tij lexohet nga mijëra njerëz
ajo ka tendencë për të përgatitur
konceptim të gabuar:
aq më tepër, shkrimtari rrallë ngjet për ta njohur kritikun e vet, dua të them
nuk keni rast ta shihni t’ju rrijë karshi, nuk
ngjan që t’ia shihni duken, ta dëgjoni si flet, t’ia dëgjoni idetë –
ngase vetëm atëherë do të mund ta njihnit nëse ai profesor fakulteti është sall halabak, moralist xhuxh, shkrimtar i ri i dështuar ose mesaduket
bash kurrkushi.
ama boll me vakira të tilla, sonte ky Saroyan i dorës së dytë po e pi
mënyrën e tij drejt mahmurllëkut të dorës së parë
jo për shkak kritikës së mutsihantë por për shkak se bash kështu po më pëlqen
derisa po shkruaj tregime të shkurtëra dhe poezi dhe ngandonjëherë romane
të ndikuara nga
Hemingway, Celine, Dostojevski, Turgenjev, Jeffers, Lawrence,
Cummings, Shostakovitch, Mahler, Mozart, Sibelius, Bethoven,
Faulkner, Fante, Sherwood Anderson, Hamsun, macet e mia, gruaja ime,
modeli i palltos sime të hedhur mbi karrigë, qarja e planetit,
bërryli lakues i kohës, fluturimi i kolibrit dhe
Bartok në përparëse të bardhë të pistë duke më ofruar një pjatë
arrash të kahtitura.
Përktheu: Fadil Bajraj
ObserverKult
Lexo edhe: