CHwB dhe KTV sjellin dokumentarët për histori të harruara të Kosovës

Pesë dokumentarë të realizuar nga filmbërës kosovarë me përkrahjen e platformës “Heritage Space” e themeluar nga organizata CHwB në Kosovë, do të transmetohen për katër javë rresht si premierë televizive për publikun.

Qëllimi i këtij projekti është të krijojë lidhjen mes trashëgimisë kulturore dhe industrive kreative dhe që nga viti 2016 në kuadër të kësaj platforme janë realizuar mbi 30 dokumentarë.

Pesëshja e cila do vijë për shikuesit nëpërmjet ekranit të KTV-së, sjell histori të harruara të Kosovës, të cilat rikthejnë në memorien e publikut detaje për pjesë të historisë së Kosovës që nuk janë dokumentuar shumë dhe sidomos shërbejnë për informimin e gjeneratës së re.

Në këtë cikël do shfaqen: “N’Agim” nga Malbora Krajku, “N’Rilindje” nga Ervina Halili, “Kurrizi” nga Orgesa Arifi, “Kupolat” nga Flaka Xërxa dhe “Herd” nga Baris Karamuço. Dokumentarët do të transmetohen çdo të premte nga ora 21:00./koha