Ciceroni, akuzat si armik i Romës që e çuan në ekzekutim oratorin e shquar

Më dhjetor të vitit 43 PES, Marcus Tullius Cicero, – konsull romak, filozof, politikan, jurist, orator, teoricien, konstitucionalist – ekzekutohet si armik i Romës, kur kishte filluar të besonte se karriera politike ishte arritja e tij më e rëndësishme; sepse veç orator i përkryer, ai ishte edhe një prej politikanëve më të mirë të Romës.

Ciceroni fitoi famë me kundërshtimin e tij ndaj Jul Çezarit i cili kërkonte të bëhej i plotfuqishëm; më vonë ai denoncoi Mark Antonin që nuk riktheu republikën (pas vdekjes së Çezarit); dhe kritikoi Oktavianin që synonte të bëhej perandor. Ciceroni u fal nga Çezari kur ky u kthye në Romë pas fitores ndaj Pompeit, por nuk mundi t’i shpëtonte zemërimit të Mark Antonit dhe Oktavianit që e ndoqën dhe e vranë si armik te shtetit; koka iu pre, duart iu gjymtuan, trupi iu nda copa – copa, shkruajnë kronikanët.

Ciceroni ra viktimë e pasioneve politike të kohës; tregojnë, se një herë, disa vite më vonë, Oktaviani (Perandor) e gjeti nipin e tij duke lexuar një libër të Ciceronit, dhe u përpoq për t’a fshehur për shkak të frikës se gjyshi i tij do të zemërohej.

Por Oktaviani e mori librin, lexoi disa rreshta dhe ia ktheu duke thënë: “Lexoje pa frikë, Ciceroni ishte njeri i mësuar që e donte vendin e tij.”

Me kalimin e shekujve, Roma përjetoi trazira, përmbysje; shkrimet e Ciceronit u zhdukën; më pas u ruajtën nga murgjit në manastire. Zbulimi nga Petrarka i letrave të Ciceronit, në shekullin XIV, dhe publikimi i tyre, është cilësuar si shkëndija e Rilindjes evropiane. Por kjo Rilindja solli gjithashtu ringjalljen e Ciceronit, dhe, vetëm pas tij e nëpërmjet tij, edhe ringalljen e pjesës tjetër të lashtësisë klasike, transmeton ‘fjala.al’.

Kulmi i prestigjit të Ciceronit erdhi gjatë periudhës së iluminizmit (shekulli XVIII); ndikimi i tij është vënë re tek mendimtarët si John Locke, David Hume dhe Montesquieu; veprat e Ciceronit renditen mes atyre më me ndikim në kulturën evropiane, dhe ende përbëjnë një nga burimet më të rëndësishme të materialit parësor për shkrimin dhe rishikimin e historisë romake, sidomos në ditët e fundit të Republikës, kur ndodhi edhe vdekja e tij.

Sipas Ciceronit: 6 gabimet që njerëzimi vazhdon të përsërisë brez pas brezi:
1- Besimi se fitimi personal dëmton të tjerët;
2- Shqetësimi për gjërat që s’mund të ndryshohen;
3- Këmbëngulja se një gjë është e pamundur, vetëm sepse ne nuk mund t’a arrijmë;
4- Refuzimi për të vënë mënjanë preferencat e parëndësishme;
5- Neglizhenca e zhvillimit dhe sqimës së mendjes;
6- Përpjekja për të detyruar të tjerët të besojnë dhe të jetojnë si ne.”