Ja çka tha Edith Durham pasi vizitoi Abacinë e Oroshit më 1908

Pas një udhëtimi të lodhshëm përmes shtigjeve të thepisura të mbushura me mikpritje, por edhe me kurthe e befasira Durham e ndien veten mirë në Mirditë.

Ndalesën e parë e bëjnë në Malin e Shenjtë, atje ku janë ende rrënojat e manastirit të lashtë benediktin dhe më pas, zbret në Orosh, ku ishte abacia dhe kulla e kapedanit Marka Gjoni. “Abati di shumë gjëra, – shkruan Durhami, – ndër të tjera, ka ditur të ngrejë selinë e tij në një nga vendet më të bukura në Europë, qe truri i Mirditës, ndoshta personaliteti më i fortë në të gjithë Shqipërinë e Veriut. Kur pritet të ndodhë diçka me rëndësi, një nga pyetjet e para që bën kushdo, qoftë ky prift, njeri dosido, apo edhe konsull i cilitdo vend është: Po abati ç’mendon për këtë? Po këtë, s’e di asnjëherë, askush”.

Abati ishte Preng Doçi, një figurë fort interesante.

I lindur në 1846 dhe i shkolluar në Shkodër e në Romë, ai kishte shërbyer si famullitar në Mirditë përgjatë viteve 79 të shekullit të XIX. Kundërshtar i vendosur i pushtimit osman kishte hyrë në një marrëveshje me malazezët gjë që shkaktoi dëbimin e tij nga Mirdita. Propaganda Fide në Vatikan e dërgoi si misionar në Njufaundlend në SHBA në 1881. Mendohet se ai është shqiptari i parë që jetoi gjatë në Amerikë. Më pas, për vite me radhë shërbeu si sekretar i nuncit apostolik në Kalkutë, pikërisht atje ku vite më pas, Nënë Tereza do të ngrinte misionin e saj të famshëm.

Preng Doçi u lejua të kthehej në Mirditë, vetëm në 1888.

Një vit më pas u shugurua abat i Abacisë së Shën Lleshit në Orosh, një post që i dha mundësi të shndërrohej në njërën prej figurave më kryesore në Mirditë. Në 1899, së bashku me dy priftërinj të tjerë, Ndoc Nikajn e Gjergj Fishtën, ishte bashkëthemelues i shoqërisë “Bashkimi”, prej së cilës kemi sot alfabetin latin të shqipes.

Në shtëpinë e këtij personazhi pra, mbërrin Durhami e lodhur.

“S’është nevoja, shkruan ajo, t’ju flas për kishën e tij, të projektuar prej atij vetë, më e madhja në të gjithë malësinë, as për shtëpinë e tij të madhe, e mobiluar e gjitha sipas shijeve europiane, e as për mikpritjen e tij princërore. Këto i dinë të gjithë ata që vizitojnë Shkodrën e pastaj bëjnë një udhëtim lart nëpër male. Kur vajta unë aty, ai vetë s’qe në shtëpi, por e motra, që më përshëndeti me përzemërsi si të ishim të njohura të vjetra dhe prifti i Oroshit, më bënë nderet e shtëpisë. Por, Oroshi pa abatin është si “Hamleti” pa Hamletin?“. /(Nga: F.Baxhaku, arkiv)– Konica.al

LEXO EDHE: “Edith Durham” e dytë, amerikania që birësoi në Shkodër jetimin vuthjan të dëbuar nga serbët