Nga Maram Al Masri
Të fsheh poshtë jastekut tim
si një libër të ndaluar.
Dritat flenë
dhe zhurmat shugaten.
Atëherë të tërheq prej andej
dhe filloj
të të gris në copa të vogla.
* * *
Je kaq i ndryshëm prej atyre…
E veçanta jote!
Puthja ime
në buzët e tua.
* * *
Ai erdhi tek unë
me format e trupit të një burri
dhe unë e shpërfilla.
Ai tha:
Hapu!
Jam fryma e shenjtë
Pata frikë nëse nuk i bindesha
kështu që e lashë të më puthte.
Zbuloi
gjokset e mia të druajtura
me vështrimin e tij të ngulët
dhe më transformoi
në një grua të bukur.
Atëherë ai shfryu shpirtin e tij në trupin tim,
gjëmime dhe vetëtima
dhe unë besova.
* * *
Si kokërriza kripe
ndriçuan ata
pastaj u tretën.
Kështu u zhdukën
burrat
që s’më deshën.
* * *
Natën
rroke prej beli.
Puthi gushën si ç’më puthje mua
dhe mbaj në duar lodhjen e ditës
së saj shterpë.
Thuaji asaj nga ana ime
se është kaq e bukur
dhe e dëshirueshme
si ç’ishte ditën
kur e njohe për herë të parë.
Bëj dashuri me të
si ç’bëje dashuri me mua
deri sa zogjtë e saj të heshtur
të fillojnë- të çuçurijnë,
me gruan
që është
armikja ime.
* * *
Sa buballaqe!
Sa herë që zemra ime
dëgjon një rrahje,
hap flatrat e saj.
* * *
Fli në gjumë të thellë
dhe mos të të shqetësojë
pagjumësia ime.
Lermë të ëndërroj pak
rrugë me pemë
dhe livadhe të sheshta
që i përshkoj
mbi kuajt e mi të egër.
Jam gruaja që duhet të jetë
e arsyeshme
dhe esëll.
* * *
Një bashkëshorte
kthehet në shtëpi
me aromën e një burri të huaj.
Lahet
hedh parfum
veçse e athët mbetet
aroma e pendimit.
* * *
Sonte
një burrë do të dalë
duke kërkuar
prenë
që të kënaqi misteret e pasionit të tij.
Sonte
një grua do të dalë
duke kërkuar
një burrë që ta bëjë
zonjën e krevatit të tij.
Sonte
gjahtari dhe preja e tij do të takohen
do të bashkohen
dhe ndoshta
ndoshta
do të këmbejnë rolet.
***
PRES PAS PORTËS SATE
Pres pas portës sate,
mos më ndërse qentë e tu të tërbuar,
sepse më ndjekin pas.
Qentë e tu
Që i kam parë të lindin,
i kam ushqyer,
i kam përkëdhelur,
që kanë harruar,
si i përqafoja,
dhe si i mbështesnin kokat
në prehërin tim.
Ah, mosmirënjohësit!
Çdo herë
që hap valixhen time
del pluhur.
* * *
Nuk ndjeu asnjë fije turpi përpara saj
me rrobat e vjetra prej pambuku
dhe çorapet tij të grisura.
U zhvesh në atë mënyrë që zhvishet
nevoja për të bërë dashuri,
dhe pushtoi
si ëngjëll
trupin e saj.
Përktheu: Dashamir Malo
ObserverKult
Lexo edhe: