Cikël me poezi për fëmijë nga Dije Demiri-Frangu: Dashuria është kontinent i bukur

dije demiri frangu
Dije Demiri-Frangu

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish për fëmijë nga poetja Dije Demiri-Frangu:

Të jesh fëmijë

Kur shpërthente një gonxhe në Tibet
Lindi Marini, si një mbret
Gonxhja lëshonte aromë në vend të vet
Marini lëshonte frymën në qytet

Nisi zërin ta ushtrojë
Peshë shtëpinë ta çoj
E kishte pak vështirë
Pa dhëmbët e bardhë
Gjuha i shëtiste gojës
Si gjethi në dardhë

Flinte zgjohej qante qeshte
As n’ tualet nuk shkonte vet
Vërtetë të jesh fëmijë
Është si të jesh mbret
-e thoshte ai me qeshjen e vet.

Merimanga është mjeshtre

Ishte ulë merimanga
Si gjyshe e mirë
I thurte një pëlhurë
Mbesës së saj Edlirë
Kur ajo të nusërojë
Gjithandej të rrezatojë

Bënte figura me penj të hollë
Si në fletoren pa vija e mira Fisnike
Kur bën figura gjeometrike

Kur merimanga gjyshe punon
Ta pengoj askush s’guxon
-di fort të pickojë
Ajo punën me rrjetë nuk e zë lojë
E ka artizanat e bën me krenari
Për këtë vazhdimisht lavdërohet
Nëpër komshi e shtëpi.

Kam dëgjuar se po planifikon
Në një ekspozitë ndërkombëtare të shkon.

Ndodhitë

Nodhi ka plot në libra
Në filma e në internet
Por janë interesante
Kur njerëzit i rrëfejnë vet

Ndodhitë janë si rigat e shiut në verë
Si zilja e shtëpisë kur befas bie në derë

Ja Genti
Kahdo që ecë e kado që shkon
Nëpër ndodhi si nëpër akull rrëshqet
Një kaproll me drenushën përdore
I takoi dje në qytet!

Gjyshi tregon një ndodhi
Si e ka zënë nata në pyll
Të nesërmen sekush i kish vënë
Në buzë një fyell!
Dhe tezja ime Zana
Tregonte si për mahi
Pitja e bërë me qepë
Pas pjekjes i ka dalë- fli
-Rreptë të gjithë e qortuan në shtëpi
Hëna para gjithë lisave ka treguar
Një natë qiellin me detin si e ka ngatërruar
Mes detit t’ gjithë e kanë parë
Me yjet rrethuar duke u larë.

Dëshira e një vogëlushi

Një djalosh ka një dëshirë fantastike
Të hy si zog
Në anijen kozmike

Të udhëtojë natën
Të udhëtojë ditën
Dhe në hënë
Ta dërgojë frikën

Të mos i tutet më askujt
As bubazhelit
T’ia lë në hënë natës
Maskën e territ.

Fluturave s’ke flokët si ua shkulë

Fluturat nuk kanë mburoja
Dhe shpata nuk mbajnë kurrë
Edhe po të tentosh
S’ke as flokët si ua shkulë
As s’i ju mëshon shuplakë
Kot u ka inat fqinja mizëzeza e ngratë

Banojnë në petale
Dhe u fshinë pluhurin e verës
Nuk ndyjnë vendin ku rrinë
Ato gjithçka ndrijnë
Më ka ngjarë njëherë
T’i zë duke qeshur
Festonin ditëlindjen
E motrës së vjetër

Për mësuese e mbanin
Motrën me pika
Çdoherë ua mësonte
Lojën me çika

Asnjëherë nuk arrita
Ta dalloj fluturën mbesë
Nga flutura gjyshe
S ‘di a janë a
S’janë më ndryshe.

A mundet..?

Mund të ndodhë që një ditë
Kur s’kanë punë në qiell yjet
Të zbresin ngadalë në tokë

O ç’mrekulli do të ishte
Secilit fëmijë
T’i ndriçojë nga një
Në kokë.

Ta hajë dreqi

Krap krap krap
Le ta hajë dreqi
Xhelozinë
Atë faculetë të ndytë
Ende Genti me të
Po i fshin sytë

Pesat e Zanës
Nuk i duron dot
Po t ‘ishte e mundur
Do ia fshinte me lot

Gjithë thonjtë
Me dhëmbë i shkurton
Kur e sheh se Zana
Me Benin mëson e
N ‘ëmbëltore me të shkon

Krap- krap- krap
Le ta hajë dreqi
Xhelozinë
Atë shami të ndytë
Ende Genti me të
Po i fshin sytë!

Qentë mendojnë se ne jemi lule

S ‘e di pse qentë
Njerëzit si lule i mendojnë
Përmes aromës
Edhe zotin e shtëpisë e dallojnë
Ofrohen me delikatesë
Thua se do na bien petalet
Na marrin aromë nga koka
Deri te sandalet

Natyrisht, i zoti shtëpisë është trëndafili
Ndërsa zonja është zambaku
Kur vonon ta ushqej qenin
-Si gur e bren meraku

Është mirë të besoni

Derisa hanim darkë
Krap mbi tavolinë
Ra
Ra
Ra
Nga qielli
H
Ë
N
A
E në vend të pogaçes
Na e ndau nëna

Mua më doli para
Zana
S‘është Hana as Zana
-M‘çortoi nana!

E dua rrenën

Besoni ju lutem
Nuk po bëj shaka
Unë e dua rrenën
Sa më ska
Se në të fshihet
Një copë lojë
Një fshehtësi e madhe
Kyçet në gojë
Kur gënjej bëhem aktor
Të vërtetës i ndërroj rol

Dikujt rrena i shëtit nëpër sy
Unë e fsheh në shtatë dry
Dhe nuk e di as Ana as Zana
Kur bëhem aktor e gënjejë
E kur të vërtetën rrëfej

E bëj për humor dhe ta provojë
Si reagojnë miqtë e mi
-më pëlqejnë kur bëjnë çudi e piskasin
-Goni, je a s’je ti?!

Shpirti

Shpirti mund të jetë
I ëmbël si çokollatë
Dhe si ilaçet e gjyshes
-I thartë
Rebel deri në pafundësi
-Këtë secili e di

Në shpirt banon falas dashuria
Urrejtja, inati e xhelozia

Dhe banorë të tjerë
Mund të ketë
Që mund të mos të lënë
Kurrë të qetë

Shpirti thonë
Është vetëm sa një pikë
E mund të dashurojë
Jo vetëm një çikë
-Sa mirë që secili
E ka shpirtin e vet
-hastret.

Dashuria është kontinent i bukur

Dashuria
Është një kontinent i bukur
Me klimë të çuditshme

Në të rritet gjithçka
Zvogëlohet
E shumëzohet çdo gjë

Dashuria
Mund të lindë një djalë
Mund të lindë një çikë

Me dashurinë
Nuk mund të shtyhet
As Bajlozi i Zi
As Ciklopi me një sy

Kështu mendon Arta
Mendon dhe Artani
-Dhe dashuria e mamit e babit
Që nuk e zë as oqeani.

Lagjja që s’flet

Varrezat
Janë dhembje
Aty gjithsecili
Është vet
Edhe gjyshja ime
Aty mbrëmë fjet

Janë mendime të heshtura
Këngë që pushojnë
Ditë të palosura
Dhembje të vjetruara shumë

Kur nata i mbulon
Mendoj
Gjyshja tani përralla
Yjeve ju tregon

Varret janë përrallë vetë
O gjithë ai gaz i gjyshes
Ku mbet ku u tret
Ajo shkoi
Në lagjen që s’flet.

Harresa

Harresa është shoqe
Me Loken
Nganjëherë s’e dinë
Ku e kanë as kokën

Është gomë
Që fshin
Shi i rebeluar
Që lanë çdo gjurmë

Ajo fshin diçka
Që s’është si loja e parë
Diçka të dorës së dytë

Harresa ngjan të jetë si era
I merr diçka kujtesës
E pas ca vitesh
Ia kthen prapë te dera.

ObserverKult


Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA DIJE DEMIRI-FRANGU: GRUE ME GJI PREJ MYSHKU