Cikël poetik nga Ahmet Selmani: Ecja nëpër udhët pa krye

Ahmet Selmani
Ahmet Selmani

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Ahmet Selmani:

PAGËZIMI I ÇMENDURISË
(ose frikë nga vdekja)

Ynëzot
si ta quaj këtë që ndodh
para syve të diellit
si ta quaj këtë që po na le
pa mend në krye
si ta mallkoj emrin e saj
që s’e gjej askund
si t’ia vizatoj fytyrën
me ngjyra tmerri

ynëzot
të gjithë e quajnë çmenduri
këtë që ndodh
por e butë më duket kjo fjalë
e ardhur nga ferri
nuk më bën ta zbraz
vrerin e helmët
nuk përjetoj asnjë katarzë
kur e përmend

ynëzot
kërkoj një emër tjetër
për këtë që ndodh
kërkoj një fjalë përtej djallit
e përtej skëterrës
dhe s’e gjej askund
as në fund të botës

ynëzot,
kam frikë se do të vdes
pa e pagëzuar çnendurinë
me emrin e vërtetë.

BRESHËR MITIK
(ose empati për zeusin)

Mbi kokat tona
bie breshër mitik
dhe na i hap mijëra plagë
të reja e të vjetra
rrufetë kryqëzohen
si kuçedra të çartura
dhe na i ngulin dhëmbët
në mishin e regjur
asnjë zot s’ka empati për ne
veç për zeusin
që shtiret si vdeks në olimpin
e grabitur.

ECJA NËPËR UDHËT PA KRYE
(ose me pasë a mos me pasë krye)

Njerëz me krye
ecin udhëve pa krye
s’ia dalin në krye
u bie gjëma në krye
duart i vënë në krye
çështja mbetet në krye
me pasë a mos pasë krye
në këtë vend pa krye.

HISTORI DASHURIE
(ose papirus i kalbur)

Mbi një
papirus të kalbur
shkroi fjalën dashuri
por kur deshi
ta lexonte
seç nisën të ngrihen
re të verdha
e të binte shi si qelbi
nga plagët.

MUNDËSI PASKAJORE
(ose udha e paudhë)

Unë mundem
me e marrë udhën e Odiseut
e kurrë mos me u kthye në Itakë
mundem me e marrë udhën e ferrit
e kurrë mos me u ndi mëkatar
mundem me e marrë udhën e Olimpit
e kurrë mos me u ba Zeus
mundem me e marrë udhën e zjarrit
e kurrë mos me u ba hi
mundem me e marrë udhën e dhimbjes
e kurrë mos me rënkue
mundem me e marrë udhën e Trojës
e kurrë mos me u ba kalë i drunjtë
mundem me e marrë udhën e detit
e kurrë mos me u fundosë
po puna asht’ mos me e marrë
udhën e paudhë që t’le n’udhë.

BREZNITË E KUNDËRTA
(ose rubikoni i çartur)

Njëra brezni
e shkroi historinë me baltë të zezë
e me vrer të kuq
e breznia tjetër mezi po e shpërlan
për ta lexuar atë
që do të mbetet në fund
e për të nxjerrë mësim nga gabimet
por në mes tyre
rrjedh një rubikon i çartur
të cilin s’e kalon askush.

TESTAMENT PËR TESTAMENTIN
(ose nëse bëhem mollë sherri)

Nëse
unë bëhem mollë sherri
testamentin tim le ta hanë
qentë

UDHA E HIÇIT
(ose lavdi e kalbur)

Nga balta rurale
bëhet legjendë urbane
gdhend lavdinë e kalbur
për t’u ngjitur në qiell
pak si njeri e pak si zot
paçka se s’del gjë prej tij.

PO E ZËMË…
(ose rreth dashurie)

Po e zëmë
se dashuria është një zog i bukur
që fluturon nëpër qiell
po e zëmë
se qielli është atdheu i yjeve
që lëshojnë dritë dashurie
po e zëmë
se yjet puthen me njëri-tjetrin
para syve të botës
po e zëmë
se bota e harron dashurinë e vet
nga kureshtja për dashurinë e të tjerëve.

ZOTIM PASKAJOR
(ose matanë bregut)

Kam me e ça gurin me thonj
veç me i nxjerr’ nja dy pika ujë
e me ta shue etjen
kam me e zbritë qiellin n’tokë
veç ti me i prekë yjet me duer
e me u ba dritë
kam me e pru pranverën para kohe
veç ti me u marrë erë luleve
e me u ba aromë
kam me e ndezë zjarrin edhe n’akull
veç ti me u vokë pak
e me buzëqeshë
kam me e u ba urë mbi lumë
veç ti me kalue matanë bregut
e me më pritë…

ObserverKult

Lexo edhe:

CIKËL ME POEZI NGA IRENA GJONI: PENELOPË QË THUR E SHTHUR VETEN

CIKËL POETIK NGA DAVID BOSETA: BALADË TRISHTIMIT

Lexo edhe:

AHMET SELMANI: MBIJETESA E QENIES

AHMET SELMANI: VJEDHJA E LULEVE TË PARAJSËS