Cikël poetik nga Argëzon Sulejmani: Kësaj kohe i mungon njeriu!

poezi nga argëzon sulejmani

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Argëzon Sulejmani.

MUNGESA

Kësaj kohe i mungon njeriu
Këtij janari i mungon dimri
Kësaj urgjence i mungon adrenalina
Kësaj shkolle i mungon nxënja
Kësaj lavdie i mungon dërrasa
Këtij vendi i mungon njeriu
Kësaj poezie i mungon poetika
Kësaj mungese i mungon prania
Kësaj fjalie i mungon kuptimi
Këtij himni i mungon flamuri
Kësaj toke i mungon njeriu
Kësaj koke i mungon mendimi
Kësaj pranie i mungon mungesa
Kësaj rruge i mungon caku
Kësaj karrige i mungon autoriteti
Kësaj zorre i mungon njeriu
Këtij mileti i mungon prijësia
Kësaj parie i mungon populli
Kësaj mungese i mungon biografia
Kësaj historie i mungon tullaria
Kësaj kohe i mungon njeriu
Mungon njeriu tash e pesë herë
Tash e pesëqind herë…
Dhe çkadoje tjetër që po të mungon tash
Në fakt po i mungon ti.

BALLKANIKE

Poetët e gjuhëve të rralla
Zërojnë çarjeve imcake
Nuk oshëtijnë dot
Fishkëllejnë…
Fiuuu – jeni të gjithë të ftuar
Për një birrë
Asnjë s’u thotë dot jo
Aty nisë kumbimi.

**
Poetët e vendeve të lëna
Nuk njihen në rrugë, kafene
Sheshe as librari
Shto kësaj kur
Ia thonë në gjuhë të rralla
Ndodhë shpesh të njihen
Ishujve të gjuhëve të tjera
Dhe kjo shllapuritje gjuhësh
Trazon zorrët kombëtare…

**
Poetët e hapësirave të mbyllura
Mbajnë erë myku
Stomaku i tyre nuk
Dallon prej kazanit të rakisë
Saharoza bën kërdinë
Fjalët e tyre vinë hundore
Si nëpër fletore
Iu ënjtet gjuha deri në asfiksi
Tek e tëhollojnë gjuhën
Këtë petë që s’e hanë as qentë

PRISHTINË 2022

Si sot
Tetëmbëdhjetë vjet më parë
Motet paten nisur çoroditjen
Ishte dhjetor pa dëborë
Vitet po shkëmbenin stafetat
Prej Orës së Rërës
Kisha dilemën
Nëse gjithçka varej
Prej dendësisë së zallit
Prej ngushtësisë hinkore
Apo prej një dore (krye)rasti
Prej valsit të ndërveprimit ndoshta
Të gjithë mendoheshin
Si të bënin sa më shumë kohë
Nga Materja apo Antimaterja
Unë pata nisë të shkruaj
Gjithçka që doja të harroja
Njerëzit nuk e vrisnin mendjen
Njerëzit e vrisnin kohën
Gjykatat i bënin sehir drejtësisë
Heronjtë glacoheshin nga sorrat
Të rinjtë shpërbënin folenë e tyre
Mediet ejakulonin nga zezonat
Pushteti kamuflonte impotencën
Në botë luftat patën nisë
Të shihen si Reality Show
Në vend, lufta e fundit pat nisë
Të shkërmoqej për nismat de novo
Jeta pat nisë të kthehej në kredi
Me këste gjithnjë e më të majmë
Për shkak të inflacionit nga
Koha e shpërdoruar
Mbajë mend se
U pata lodhur shpejt së shkruari
Ngase kohës s’i jepja dot një -izëm
Veçse metabolizëm
Andaj sot më verbon kujtesa si kjo
Borë e hirnosur e motmotit 2040.

FLETË NGA ULQINI

Një turist i largët
Kërkon gazetën ditore vendore
Në gjuhën e njeriut, për njeriun e ditëve
Nga kiosku në kiosk endet si bufi
Shitëset e shikojnë çuditshëm, me mirësjellje
I ofrojnë dromca rasti
Nga amullia e gjuhëve nuk e kupton, nëse
Njerëzit këtu janë të sjellshëm apo të sillshëm
Kur shpresat i humbë shumë
Milje larg Kështjellës së qytetit të kohëve
Që mbahet fijeve të të pabesueshmes
Zilja e stomakut e çon tek një furrë dhe
Furrëtari i ofron piten e qytetit
Mbështjellë me coha gazete
I huaji me padurimin e të uriturit
Shpërvjelë shpërvjelë fletët dhe sheh
Datën që nuk shihet dhe vitin: 1990
Kthehet ta falënderojë furrëtarin dhe
Nën amullinë e gjuhëve të ndryshme
Kuptohet se, I huaji në këtë vend
Kishte ngrënë petën më të vjetër në botë.

ZOT I DASHURISË

them se ishte dashuri
e konfirmoi
sepse në ata sy shihja
të projektohej zoti i saj
të cilit i fliste me drojë admiruese
me butësi e fjalë të rralla…

ai nuk i kishte provuar ndonjëherë
këmishat e shumta të zotit
ndaj i vareshin si shallvare
pasqyrave të unit të tij

ajo ishte rob që do e donte secili zot
t’ia thoshte në mirëbesim të fshehtat bruto
ishte robinjë e mençur falë aftësive të saj
që ia dedikonte zotit të rastësisë

ajo s’dinte ta mërziste zotin e saj
i fliste me jaret melodike të lutjeve
lëshonte frymë si pupëlinë
i pulitte qepallat me kujdes olimpik
fliste pa mbarim me sytë që
e ngrinin zotin edhe në djegagur
por, zoti si zoti…

ajo ishte dhe mbeti robi model
kurse unë kisha humbur
rastin e vetëm të bëhesha (i) zot
ajo mbeti rob
Ajo mbeti Zot.

VENA

U zgjata për të t’rrokë
Aty duart m’u lidhen
Në nyjen e trenisë

Tash shoh me prekje
Dhe të shoh vetëm ty
(Dhe s’të shoh as ty)

Gota ka nji bazë të gjanë
Nji grykë të ngushtë
Kambët i ka të gjarpnit

Kacavirrem dhe s’du me vdekë
Pa arritë n’maje
Pa e marrë veten në qafë

Në atë lartësi do të të pres ty
Fobisë do i jepem si narkozës
Dhe qiejve të tu do lëshohem
Si vargjeve të Xhevdet Bajrajt.

NË MOL

Botërisht e njohura
Mbi trurin e peshkut dhe
Botërisht e njohura
Mbi shurdhërinë e Bethovenit
Do duhej të dirigjonin botën
Globi nuk e pranon që
Kush s’ka për vete – paska për botën
Të kësisojta ishin fjalët e pazarit
Të peshkatarit në një ditë të keqe
Koshin me peshk e fali me nxitim
E dinte që kanë për të thënë se
Paska tru dhe zemrek peshku
Nuk mërzitej për fjalët
Mërzitej për muzgun.

QAJNË TË GJITHË

Qajnë dhe njerëzit e fortë
Ata me kurrizin ngrehur si qiriri
Qajnë tek bëjnë dush me orë
Me lotët e rëndë si vaj ulliri.

Qajnë dhe emrat e kohës
Ata që takat kërcasin trotuaresh
Qajnë detrave të botës
Me dufin e përflaktë ballë valës.

Qajnë dhe gjokset e hapura
Ata që ditëve shtyhen me diell
Qajnë ëndrrave të natës
Vesë i bëhen ditës që çelë.

Qaj dhe ti e bëhu kaq i fortë
Si ata që thuhet se kurrë nuk qajnë
Qaj se fryma jonë është gaz e lot
Ndryshe s’do quhej jetë, mor’ aman.

ObserverKult

Lexo edhe:

ARGËZON SULEJMANI: NJË POEZI PËR KOHËN BAJATE