Argëzon Sulejmani: Një poezi për kohën bajate

poezi nga argëzon sulejmani

Poezi nga Argëzon Sulejmani

Te trotuari i librave të përdorur
Bleva thuajse falas “Njëzet tregime për kohën e shkuar”
I mungonte Zuke Kalimani
Mjafton të mos jetë bërë kurban farash lulediellit.
Te dyqani më i afërt “Second Hand”
Bleva thuajse falas një këmishë dimri me kube
I mungonte xhepi në të majtë
Mjafton të jetë shqepur në një sulje dashurie.
Te furrëtaria e lagjes Dardani
Bleva thuajse falas bukë të ditëve të shkuara
I mungonte freskia prej susami
Mjafton të mbetemi në paqe me dietën e kohës.
Tash jam në shtëpi dhe
Po kërkoj një venë të lënë në harresë
Mjafton t’i mungojë freskia e kohës.
Ti mos u mendo dy herë dhe eja sonte
Mjafton që shtatori ka dhe disa ditë
Kjo verë në motmot nuk i bën as pesë pare.

ObserverKult

Lexo edhe:

ARGËZON SULEJMANI: HIJA

Qenka rritur fiku
I mbjellë para ca motesh
Dhe këtë nuk e paskam
Vënë re
As kur me gjethen e tij
Mund të mbulohesha adamçe
As kur shtati i tij
Më kishte tejkaluar plepçe
As në rastin kur më kishte
Joshur mëkatisht me zemrën e kuqe
Veç sot e kuptova sa
Qenka rritur fiku
Sot kur hija e tij
Ishte bërë ishull buzë diellnajës
Bënte vapë gushti dhe
Kjo oazë mejtimesh
Ma bëri të ditur sërishmi se
Vonesat gjithnjë
Të lënë në hije.

ObserverKult