Cikël poetik nga Arti Lushi: Të kesh një ëndërr

arti lushi trupi im

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Arti Lushi:

9 shkurt 2057

E lë dritën dhe harresën të më joshim me ojnat e tyre.
Dikur isha plak
Sot jam një i ri.
Ëndërrova fatin e një Wakefield
Nga ana tjetër e xhamit
Dhe për një fije desh u marrosa
Po të mos qe për një shkujdesje të ëmbël
Befasimi.

Mbrëmjeve rilexoj autorët që dua dhe Tarot
E herëdokur i përziej nafakat si për dreq.
Bërsi heshtjesh:
Dikur isha nje Po
Sot nje Mos.
Ani de, rëndësi ka shëndeti.
Kukudhë e lugatë e gjejnë hajën gati
E në mëngjes pjatat i laj dhe i thaj
Jo gjithmonë sipas kësaj radhe.
Një herë në javë luaj shah me veten.
Humbje pas humbje orët kalojnë
Gjersa kunata troket me kaltërsinë
E një patkoi dhe dallge.
Rruhem kryesisht me Piano Concerto nr.2
Ne F major
Dhe palltos së zemrës hala i mungon një kopsë.
Pi çaj blini. Sytë bëjnë dashni me retë
Po kujt i intereson?
Dikur isha Poezi
Sot, një njeri.

Delfinë dhe Nazistë

Boll i hëngre thonjtë bijë.
Ndonjëherë mjafton të tymosesh një cigare
Në ballkon dhe kalimtarit të parë
Veç bekime t’i urosh.
Shtriqu pak. Ashtu.
Mendo sa jetë të shkuara dëm
Nga dashuria dhe apatia.
Nëma që lëçite at’ muzg
Nuk e rrëzoi karrocën e diellit,
As gjumin despotit nuk ia trazoi.
Asgjë nuk ndryshon.
Ti jo e jo.
E mbështjellë me ëmbëlsinë e territ
dhe depresionit,
Kundron yjet.
E di tashmë që është e kotë t’i numërosh,
E di që është e kotë dhe ata të numërojnë nyjet dhe vragat e tua.
Të këndellet për misër të pjekur
Dhe raki të mirë
Por nuk tundohesh:
Hipën mbi parvaz, buzëqesh,
Flatron.

———

I lodhur nga ligësia e zhurmshme e njerëzve
Një ditë
Qyteti
Mblodhi plaçkat
Dhe u arratis
Brenda një kutie shahu

Blomquist

Vesh të kuqen. Sheh veten në paqyrë.
Ndryshon mendje.
E zeza e bën të duket perri
Por kilshetë i ka zët.
Ulet. E tymos një cigare.
Bubrron në dhomën ndenjes. Kot.
Perëndimi, si një birrë e ngrohtë
Zgërlaqet mbi parvaz.
Mbyll grilat. E tymos edhe një cigare.
Dhe me zërin e zvargur,
Ku djajtë mbathin patkojtë
I lë mesazh zanor partnerit,
Më të kobshmen që një grua mund të thotë:
“Nuk të dua më”

Të kesh një ëndërr

“Të kesh një ëndërr…” është temë që trajtohet në shkollat fillore;
Të kesh një ëndërr është thikë me dy presa, thonë të moçmit;
Të kesh një ëndërr është sjellje e trashëguar nga engjëjt zevzekë;
Të kesh një ëndërr është të zgjohesh me tinguj e Woodstock
Dhe të nisesh për në banjo me pantofla të ndryshme;
Të kesh një ëndërr është kënaqësia e fëmijës prapa vrimës së çelësit;
Parakusht për të patur një ëndërr është të jesh vetë ëndërr dhe ta pyesësh Hyun:
“Sa ka shkuar çmimi i zhgënjimit mor burr’ i dheut?”;
Të kesh një ëndërr është një befasim me aromë keku të sapopjekur;
Të kesh një ëndërr do të thotë të shohësh përtej shikimit,
Të dashurosh përtej jetës,
Të vdesësh thjesht për kulturë turistike;
Të kesh një ëndërr është të mbjellësh luleshpresë në hijen e fjalëve të Luther Kingut;
Të kesh një ëndërr është seksi (shprehej shoqëria civile në një slogan);
Të kesh një ëndërr është bestytni e domosdoshme për romantikët e sëmurë;
Të kesh një ëndërr është zgjedhimi hyjnor i foljes “jam”;
-Ëndrra është tangentja e shpirtit në Zbulesë, fiks në 5:04-
Të kesh një ëndërr vlen më shumë se një mbretëri dhe më pak se një buzëqeshje.
Të kesh një ëndërr është specialiteti i ditës në mensat e Qytetit Studenti;
Të kesh një ëndërr është shartimi i paqortueshëm i nusepashkës me puthjen e parë;
është, gjithashtu, vallja mitike në gojën e ujkut.
Të mos e zbukurojmë më tepër seç duhet:
Të kesh një ëndërr nuk do të thotë të ëndërrosh në qiell të hapur
Të kesh një ëndërr mund të jetë edhe rrëshqitja prej duarsh e sapunit
Dhe e jetës.

Burrat më të mirë se unë

Kafen e mëngjesit e pijnë pa sheqer.
Dinë të ndërrojnë llambat e dhomës
Pa shkelur mbi ëndrrat e të tjerëve
Dhe të thonë “Faleminderit” në shtatë gjuhë të huaja.
Kanë të paktën një kredi për të shlyer.
Qokat e adetet nuk i lënë pas dore porse njohin,
Gjithashtu, kotësinë e tyre.
I duan kafshët, futbollin, veturat, të premtet.
Diskutojnë për gjeopolitikën, martesat e të njëjtit seks
me po atë moskokëçarje
Që mbrun zoodiaku i ditës.
Mendojnë, si çdo brez, që edhe brezi i tyre
Është i djegur.
Nuk honepsin vulgaren te një grua;
Për çka mbetet, duhet me qenë mirënjohës.
Nuk i bëjnë naze ushqimit,
As muzikës së mirë.

Janë burra të thyer,
Krenarë, e kjo me raste e pas do gotash i bën edhe mujsharë.
Burrat më të mirë se unë,
Pas kalçetos, e ndezin nga një teke bar,
Më tepër si një shenjë a ritual i një jete të shkuar.

Plagët dhe keqardhjet e fisnikërojnë një burrë
E ata janë burra boll te virtytshëm
Për t’u shëlbyer nga ndonjë ves.
U thonë “Shëndet” çdo të panjohuri që tështin
E kur vjen puna te kafja e dytë,
Vështrimi u cek fundin e filxhanit
Parimi “helmi me helm del” zë vend.
Si burra të mirë që janë,
Lotët e mbetur në grykë gëlltisin,
Shkundin zbokthin e supeve,
Dhe lënë gjithmonë bakshish,
Përndryshe ç’kuptim ka të jesh burrë i mirë?!

Difference and Repetition

Çadrën dhe shpirtin humbasim më shpesh:
Çadrën prej një hutimi dhe një harrese pothuajse njerëzore.
Ose ka prej tyre që na e vjedhin, në mungesë të një skrupulli,
çka një nevojë urgjente i bën më të shkathët a rrufjanë.

Shpirtin ama, lejojmë të na e vjedhin ditën për diell-
Shprehi e përftuar natyrshëm, mekanizëm ekzotik që shkrin virtyt e brengë,
Vetëdije dhe zjarrmi-
Zemberek i pranisë dhe mungesës së dashurisë
Brenda rrjedhës së një loti.

Kështu heshti Zarathustra

Prit, se nuk kam mbaruar…
Dhe shkova në frymë në pasditen e madhe të Zarathustra.
Qëndroja këmbë’mbikëmbë në verandën e tempullit
Prej ku shihja luanin e qeshur me tufën e pëllumbave aureolë.
I lartë, i plotë, i pastër, ja si u ndjeva.
Ndihmova çikat të lanin rrobat në përrua
Dhe ua putha me nge të gjitha nishanet e fshehura.
Ngrita dolli me bletërritësin babaxhan;
Kryesisht për klimën dhe dashurinë kuvenduam
Që ishte diçka mes Ballkanit dhe parajsës lindore.
Mandej, një këngë me motive kelte më dha zemër
T’i mësyja malit më të lartë,
ku porsa sosa në majë,
Me fijen e fundit të shkrepëses flaken qiellit ia vura.

Saora dymbëdhjetë fata ranë theror
Dhe zëri i korit u ngrit:

“O bir i Birit tënd
Që në gjurmët e etërve
Veç humnera qiellore gjete
E megjithatë kryet lart kurrë s’ngrite
Por me sytë e shpirtit zbulove
Zjarrin idhnak të unit më të thellë,
Vazhdo pra, rrugën që ke nisur
Për në Askundin e shenjtë,
E as shpërblim, as shëlbim mos kërko
Se ndryshe u tha, e ndryshe u bë:
Njeriu vdiq, e Zoti bashkë me të”

The shining

Sintaksa e syrit.
Frymëmarrje dhe frymëngjizje.
Nga ana tjetër e dritares
dëshmoj ngritjen e ëmbël të pluhurit
Dhe mendimi i lig që iku jeta, ashtu si dashuria.
Radioja, bustina e sheqerit, getat e zeza, fatura tatimore…
Dhe befas, aromë portokajsh.
Velëse. Dëshpëruese.
Gjithë kjo urgjencë poetike
Për ta futur universin brenda vetes,
Ose ta lejosh të kalojë përmes teje, së paku.
Je mijëra kilometra larg të qenit i dobishëm
Për gjithë këta shpirtra racionalë e të vjetër.
Aromë portokajsh.
Velëse. Dëshpëruese
Dhe befas ndjen gjethet e vjeshtës të cekin
Katin e parafundit të nënvetëdijes
Dhe ndihesh njëzet vite më i shëndoshë.

Por jo.
Jeta është e mirë në fund të fundit.
Bën mirë të jetë.
“Çfarë ke?”, – më pyet kolegu.
Qenkam zbehur, me sa duket.
“E di që qentë e prerive flenë ditën?”
ndërroj temë në çast,
për të mos u shkrehur në lot.

Mirakandje

Një ditë,
Një prej atyre ditëve kur nuk ndodh asgjë veç dashurisë,
Ose, ose;
Një prej atyre ditëve kur tretja do të jetë aq e mirë sa më duhet ta shmang
Tundimin për ta shpallur festë kombëtare;
Një prej atyre ditëve pra,
Do ulem më në fund ta shkruaj
atë haikun
Për Anën me dy n.
Kaq i detyrohem një çorapeje të pagjetur.

Dikujt në parajsë ende ia shërbejnë kafen nën gju.

Gjërat që i marrim për të mirëqena

Dashurinë e Zotit, familjes, partnerit.
Një gotë me një mik gjatë kampionatit botëror.
Bukën e përditshme,
Çatinë mbi krye.

Mirësinë e një pothuajse të panjohuri.
Fuqinë për të ëndërruar, për të zgjedhur,
Për të thënë Po
dhe për të thënë
Jo.
Gjakimin për liri.

Shenjtërinë e fëmijërisë
Mëkatet e bukura të rinisë
Një “Të dua”
e thënë si një frut i këputur nga Juga

Ethet,
pagjumësia e një Lutje.
Një puthje në vragë,
Urtësia e tmerrshme e një rrënje në qiell
Dhe shirat e nëntorit dhe…

Një ditë nuk do t’i kemi më këto.
Shihemi në Valhalla,
posi.

Parajsa

Koha është balsam për shpirtin në Parajsë,
Në Parajsë njerëzit ushqehen me yje e dashurojnë si hyjni,
Parajsa ka shtatë stinë dhe më i magjishmi është dimri,
Detet dhe lumejtë e Parajsës nuk kanë emra,
Në Parajsë lejohet vera dhe duhani,
Në Parajsë nuk flihet gjumë e nuk ka sëmundje,
Në Parajsë veset janë të padëmshme dhe pasionet janë fisnike,
Në Parajsë shumica janë artistë dhe kopshtarë,
Në Parajsë zhvillohen konkurse bukurie por nuk ndahen çmime,
Parajsa nuk është e ndarë në rrathë por atje takon edhe Danten,
Parajsa nuk ka politikanë dhe monarkë,
Atje paraja përbuzet dhe shpërfillet,
Edhe në Parajsë diskutohet për ekzistencën e Zotit,
Thuhet se është vendlindja e Tij e harruar,
Parajsa nuk ka engjëj dhe gjyqe,
Në Parajsë heshtja shoqërohet nga buajtja e zogjve,
Në Parajsë nuk ka as kisha e xhami,
Edhe në Parajsë njerëzit gënjejnë, qajnë e kanë brenga,
Në Parajsë plazhet mbushen natën dhe koncertet bëhen nëpër ujëvara,
Në Parajsë njerëzit nuk kanë turp dhe frikë
Por prapëseprapë ata qajnë e ndjehen të vetmuar,
Parajsa nuk ka pasqyra dhe veshjet e bardha nuk janë në modë,
Në Parajsë vetëtima është ogur i mirë dhe kafshët janë më të egra.
Parajsa është e mrekullueshme por nuk është Parajsë
Për ata që ndjejnë mall për jetën e mëparshme

ObserverKult

————-

Arti Lushi

Lexo edhe:

ARTI LUSHI: NË DJALL…

Në djall vaftë kjo heshtje që palcën po ma gërryen
në djall edhe ti Venerë që me hiret e tua më çmend
në djall pulëbardha e Anakreontit
në djall edhe Nositi yt Lasgush
në djall faturinot e urbaneve
në djall edhe qenushi yt e dashur
në djall filozofët e Portikës
në djall edhe Ganimedet e politikës
në djall kuçka e flijuar e Agamemnonit
në djall edhe rrufetë e tua Zeus
në djall gjithë kameleonët e gazetarisë
bashkë me ta edhe papagajtë e dashurisë
në djall gjithë vemjet e kësaj bote

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult