Cikël poetik nga Bardhyl Zaimi: Udhë që humben në shkurre

bardhyl zaimi

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Bardhyl Zaimi:

NOKTURNO

Duhet të ngadalësojmë Imzot
gjithçka po ngutet drejt fundit të vetë
gjithçka po vdiret në qenësi shkurresh
gjithçka struket në pafuqi madhështore
Në thelbet njerëzore myku ushqehet prajshëm
jeta jonë nuk është më e jona
hijet e kërcënimit të padukshëm zgjaten
na prekin me andje pavetëdije
na tulatin në qoshin e ekzistencës sonë
Mbramjet nuk janë mbramje
as agimet s’janë agime
por re të verdha, gogësima toke
Netët nuk janë net
por pirgje vetmish të strukura në kolltukë
as ditët s’janë ditë
janë ngutje të pavërejtshme në shiritin kohës
Duhet të ngadalësojmë Imzot
frymë thellë t’i marrim lules
në saksinë prej dheu të pjekur fort nga dielli
të prekim me maje gishtash të dashurit
t’i ndjejmë sërish pranë
aq pranë sa për të thithur
gjithë nektarin e ekzistencës
gjithë afshin që përfaqëson njeriun
Duhet të ngadalësojmë Imzot
përsëri të ndjejmë avullin e çajit
tiktakun e zemrës së ditës
shpirtin e gjësendeve të harruara
hapat e ardhjeve dhe ikjeve vetmitare
Duhet mbajtur shënime
duhet vizatuar fëmijërisht një botë tjetër
me rrënjë në zemrën e ditës
me degë në cepat e universit
Duhet përgjuar frymëmarrjen e tjetrit
se gjallnia e qenies kërkon qetësi e heshtje
Duhet të ngadalësojmë Imzot
gjersa gjumi ulet si mbramje mbi pemët
duar të pafajshme lëvaren si degë të njoma
është koha të mbledhim xixëllonjat e shpresës
hareshëm të përhumbur në lojën tonë
në mrizin e zanave
në atë univers të përjetshëm përrallash njerëzore
sepse gjithçka duhet ribërë nga fillimi Imzot

BRYMËSI ZBRET NDËR ZABELE

Brymësi po zbret zabeleve
me duar të ënjtura ftohtësish të përtejme
Këmbët i ka të akullta si shikimin
që e hedh ndër shtëpitë e vetmuara
me nga një elektrik mbijetese
Me zhele mbërthyer me trishtim
njerëzve përvijohet
trup më trup si dashnorë të mërdhirë
që ngrohtësi kërkojnë te njëri-tjetri
Shpërndanë hukama të ftohta
si ndarjet, si pranitë e mungesave
Brymësi zbret rrugicave të shkreta të fshatit
ngjitet pullazeve, tjegullave të zeza
mureve me baltë indiference
prek macen leshbutë që gërhet te pragu
muzikën e vetmisë
Mbi lulet e zhveshura fërkon duart
për t’ua marrë shpirtin e pakët që e ruajnë në ëndrra sythësh të padala
Brymësi kërkon shtrat të ngrohtë
njerëzish zemërmirë
që koten në gjysmë ëndrrën e tyre
kërkon kashtë bagëtish të përgjumura
që përtypin kohën e akullt
Brymësi është qenie e hutuar
as e mirë e as e keqe
shpërndanë ftohtësi gjersa kërkon zjarre nga zemra njerëzish
Për t’i dhënë kuptim kohës së përtejme
që e sjellë me kaq rrëmbim

UDHË QË HUMBEN NË SHKURRE

Nuk na mba toka, nuk ka me na mbajt
namë e brezave shpërndahet si gjamë
as farë mbillet, kudo shkretnim
bar i egër përlanë shtëpitë
që si kuti betoni heshtin n’vetmitë e tyre
Zogjtë janë rralluar, vdirren hapësirës
si toptha letrash lajmesh të trishta
si pikla të zeza nderen qiellit
me trafik të dendur avionësh të pashpresë
që çukisin mjegullat e lashta të palumturisë
Kuajt e vullnetit dergjen të shkumuar
maje udhësh që humben në shkurre
dhe bimësi tjera që mbijnë nga dëshpërimet
Heshtjet janë mbledhur kruspull
rreth llambave me dritë artificiale
dashuritë s’pipëtijnë, pijnë trishtë cigare
kollen rëndë të lodhura nga përsëritjet
Duar të padukshme gjuajnë thika
në zemra njerëzish, në kaltërsinë e tyre
mbledhin sakaq dritë sysh
për ditët e tyre të helmëta si vetë shpirti i tyre
Kudo gumëzhinë palumturi e jetës
kudo shfaqen hijet e shpatave mizore
që e bëjnë torzo pemën e jetës
kudo vetmia numëron ditët e humbura
në numëratoren e jetës
në kalendarin e rënieve
Maje fryme duket se mbijeton shpresa
triumfalisht si një dhi e egër
me shikimin drejt greminës
Ah dhe çamët e përjetshëm përreth
kryelartë me borë zbardhuar
sa për t’na thënë
se kjo botë dhimbshëm mbijeton

TË FLASËSH ME ZË TË ULËT

Të flasësh me zë të ulët, qetë-qetë
pa i trazuar bishat e pyllit terrinë
të flasësh siç u flet lumi gjetheve të rëna në vjeshtë
njashtu siç i bart drejt pafundësisë
Të flasësh me gjuhë përrallash
butësisht dhe ngeshëm
siç hapen ngadalshëm qepallat e saj
si vështrimi i saj i dorëzuar
Të flasësh me ritëm gjithësie
pemësh të vetmuara
fushash dhe lavrash që avullohen
nga prekje e plorit dritëshumë
Të flasësh me frymëmarrje dashurish
përbashkimesh të përmallshme
lëvizjeje trupash që notojnë ngadalë
në det shtrëngimesh
Të flasësh me gjuhë algash
kallamesh të përkulura
mbi jetën, mbi dritën
mbi të pamundurën re ëndrrash
që ngjitet e ngjitet qiellit
e pangime në lumenjtë e qenies

KAJSI MUZGJESH

Nuk e di
mbase gjërat përsëriten me madhështi
sepse edhe koha e ka pikën e vetë të dobët
Kajsia nuk është më
unë kam mbetur me shijen e hidhur të duhanit
duke paluar një mbi një dënesjet
Kohët e serta nuk lënë vend për hijeshitë e frymës
sepse zvarrë tërheqin pikëllimet e errësirës
e natës mesjetare që na përshkoi breza
Po lulet janë aty
si shpirtra që mbijnë mbramjeve të freskëta
Saherë që përpiqem ta rikrijoj kohën
gishtat më plasin si frute të pjekura
Ah sa nevojë kam për atë qetësi urtake
për bisedat e pafundme për iriqët e kohës
për barin e sapokositur që terej në mbrëmje
për lulet e shumëllojta që natën kuvendonin me hënën
Të kapësh çastet është si të kapësh xixëllonjat
Asnjëherë nuk është vetëm errësirë
asnjëherë nuk është vetëm dritë
jeta është një ketër që përbirohet natës
mund të vazhdoj akoma baba
të rendis hijeshi tjera
që ti u jepje kuptim si një diell

GJËMIM VETMIE

Më vjen si një tingull i përtejmë
në natën që gjëmon vetmi
sa banal duket çdo krahasim
dhe përshkrimet duken kaq të zbehta
dhe fjalët kaq të pafuqishme
dorëzohen përpara pranisë tënde të ëndërrt
rikthehemi në fillimin e fillimeve
në kohë sysh
në kohë drite
në kohë lulesh të parme
në kohë avujsh që i dhanë formë
dhe shpirt
puqjes,
njësimit
gishtave që shpikën prekjen
gojës që zbuloi frymën
dhe gjithë gjymtyrëve tjera
që u ngallmuan ëndjeve të përmallshme
pastaj erdhi lëvizja
ritmi, muzika
gjithë gjërat tjera përcjellëse
për ritualin që ushqehej me molla verore
pastaj çelën lulet e dritës
shumëngjyrëshe
dhe koha u step për një çast
me kryeveprën që po linte pas

DASHURITË JANË MË TË FORTA SE IKJET

Si zogj të vrarë qiellit blu
ëndrrat bien pingul
mbi kulmin e shtëpisë
Nga dyluftimi mes boshit
dhe afshit të luleve
dal i plagosur si një luftëtar epik
Nuk ankohem
në duar mbaj një lule të bardhë ftoi
dhe shijen e reçelit nga duart tua
Dashuritë janë më të forta se ikjet
nderen dhimbjet qenies sime
palohen në zemër si petka kujtimesh
Ora e jetës gjëmon
si kristale të çmuara
vezullojnë përgjërimet
nata pranë mbi kurora pemësh
mbi afshe lulesh
gjithandej jehona të largëta
mallesh të pasosura
si të mësohem me vdekjen, Nënë

ObserverKult

Lexo edhe:

REKOMANDIME LEXIMI NGA BARDHYL ZAIMI

BARDHYL ZAIMI: LEXIMI SI RIKRIJIM

BARDHYL ZAIMI: GJITHNJË I KAM PASUR ZËT LAMTUMIRAT

PYETEËSORI I PRUSTIT/ BARDHYL ZAIMI: JETA ËSHTË TMERRËSISHT E BRISHTË DHE E BUKUR, ÇDO PËRPJEKJE IA VLEN!