Cikël poetik nga Entela Kasi: Asgjë veç dashurisë

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish të poetes Entela Kasi:

Gjurmë mbi gur

Ime gjyshe kur çelnin mollët lule të bardha
nën kurorë argjendi si flokët e saj,
Tek burimi
duke mbushur ujin për të pjekur kafen
ulur mes lëndinës plot lule e bar,
Përballë liqenit të Ohërit,
në mal,
Me sytë tretur mbi re të bardha
si mëndafsh i këmishës të saj në ditën e lumturisë
Pat thënë: – bijë, mjaltë i mjaltit tim,
e vetmja ime këtu ku jemi,
Nëse nuk e ke takuar bishën
asgjë nuk ke kuptuar nga jeta!
Bisha, nuk është ujk!
Bisha nuk është as vrasës kafshësh, gjahtar.
Bisha është njeri me pamje të zakonshme,
Kënaqësia e vetme e saj është vrasja e njerëzve,
sepse është monstër.
Asaj nuk i dhemb kurrgjë,
as vetja.
Kjo sepse e tillë është lindur.
Po ta them: kur nuk ka më ç’të hajë i ulërin yjeve e Hënës,
vetëm prej dritës së diellit nxihet,
atëherë shkon e mbyllet në shpellë
deri sa të bjerë nata,
Pastaj del e të thotë- dhe nata ra…
Por ti e ëmbla ime e di, nuk bie nata.
Thjesht perëndon këtu ku jemi a kudo qofshim
sepse Dielli është përgjithmonë atje,
e toka rrotullohet rreth boshtit dhe Atij,
Ndaj ndërrojnë stinët.
Këtu kanë çelur mollët e andej bie borë
Ne jemi këtu, ti e vetmja me mua,
e ata tej pushojnë…
Ata tej, larg, përjetësisht.
E ata të tjerët larg ku në këtë çast nuk shohin
këtë vend ku jemi ulur unë e ti.
Hannah tani po vërtitet rrotull një shtëpie prej druri,
shkurt barakë ose stallë për kuajt,
që të mbledhë luledele duhet të pyesë rojën e kampit.
Abeli, po ngarkon vagonët e mbase kurrë nuk del prej atje.
Më kupto,
Nuk ka dritë për ata, as ajër,
ka vetëm vuajtje
E nëse kthehen,
unë do bluaj kafen e ti do t’i shohësh të gjitha.
Atëherë do jesh gruaja e një burri,
nëna e fëmijëve të tu,
do jetë tjetër kohë ndërsa ky mal i njëjti mal
e ky liqen i përjetshëm po këtu.
Unë do kem shkuar andej nga bregu,
duke pushuar e ndjerë dallgët.
Me gurët e bardhë nën tokë dhe unazën në gisht.
Do të jem me time motër,
Me tim vëllezër, me atin e nënën,
Me tim shoq. Me krejt botën e lume.
Mjaltë i mjaltit tim,
Mbaji ndezur dritat e Menorahs,
Bëje bukën e mirë,
Shto mollët, shegët e kuqe e mjaltin në shtëpi
për të mbledhur bijtë.
E kur të vijë bisha, bisha është monstër jo kafshë,
sy më sy me të u shih,
ndiz dritën e këndo me zë të lartë
psalmet tona,
Këngët e tët gjyshi,
vetëm atëherë ke me pa
Fuqinë e dritës.

me dorën mbështetur nga muri
ku këndonim këngët në gjuhën tonë të vjetër
gishtat e tu të hollë
Do kenë lënë gjurmë mbi gur…
Vetëm atje

Asgjë veç dashurisë

Asgjë nuk ka mbetur veç dashurisë miku im,
Nga qielli bien gjuhë zjarri, e akull
Vetëm ti, krah meje
si rrënjët më mban fort
Ndërsa më rrëmben stuhia e sodit,
Dhe krahët më ikin trupit
si mendimet në një pus të shteruar
E ti më thua se është veç një makth
Ndërsa këmbët të lodhura dergjen
Plasave të plisit ku zhegu
hedh re të shkreta,
Po tash ku jemi?
pyes dhe endem
kohës
pa stinë
E, ti…
Kjo pemë plot jetë
Më mbështjell
Më mban
Më flladit,
Ndërsa bie
N’ trishtim
Ku reja ka krisur motit
N’sy të lodhun vjetësh…

Sa herë e bukura ime

Sa herë e bukura ime
Larg teje
Kohën humb me botën
Jeta kjo është një lëvizje e përshpejtuar
që thellon distancën
Mungesën
Veten
Tash ja
Një çast kur duart e mia
Zgjaten në një përqafim
Të ëndërruar
Tej kohe
Ndërsa ti buzëqesh me sytë kah rruga
Ndërsa ti pret
Kështu jemi pritje të mbushura
Me frymë dashurie pa kushte
Aty në gjurmët e tua është filli
i gjithçkaje jemi
Në kohën tonë të pamjaftueshme
Tash gishtat e mi kanë kapur penën
Për të shkruar fjalët ty
Ndërsa kopshti yt lulëzon
Në të gjitha stinët
Ndërsa ti flet
Me lulet
Me fotot tona
Me ne
Një rrëfim që endet dritës
Dhe vjen në këtë muzg
Të purpurt
Të mëndafshtë
Si kënga jonë e këngëve
Që era e sjell me flatra
Kësaj dite e të gjitha ditëve
Të tjera
Burim i dashurisë dhe jetës…..
08.03.2021

Rrugët tona

Rrugët tona gjurmë gdhendur me yje,
ime gjyshe
grua e Mesdheut,
N’ avlëmend end mendimet
pret kah vjet
Ti kthehen bijtë
Oh, ëndrra jote e bukura ime,
Me gurin e bardhë
Shenjën e plotnisë
Ti në murin e lutjeve pëshpërit psalmet
Ujqër kanë dalë pyllit
Ujqër kope të egra që trembin qiellin me gjithsend
Ti më lexon rrëfenja,
kodet pjekur në pllaka balte
sy më sy me botën
Guri mbi shpinë më i lehtë se ajri….

Nuk mundesh të më kthesh sot në numër

Shifër ishte njeriu
Në trenat e mortit,
në dhomat e gazit
Shifër dhe vija
Plagë
Kur ti dhe jo vetëm
Sollët gjëmën
Im gjysh ka kujtesë që mbet në letrat tona
Kujtesë ka dhe ime atë
Ndërsa e shoh sodit
Se ti dhe jo vetëm
Do jesh ashtu një mur i rrëzuar
A një figurinë dylli

Ndërsa jetojmë plagësh

2020

ObserverKult

Lexo edhe:

Entela Kasi: Nëse bota është e egër, Anja…

Entela Kasi: Babai mbledh gështenjat në mal

Entela Kasi: Nesër, ani- nesër