Cikël poetik nga Fatmir R. Gjata: Ftua mes lëndinës

fatmir r. gjata

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Fatmir R. Gjata:

Prift

Unë linda prift pa kryq ndër duar,
në fushë të pambarim
Ku diell nuk kish të perënduar,
por kish vetëm agim.

Ku baltë në pluhur kthehej shpesh,
kur vdiste mbrëmjes pranë
Në grurë të mbirë bëja një meshë,
nën yjë me temjan.

Le të më thonë s’jam shënjtëruar,
s’më bëhet vonë për fjalë
Me Myzeqenë jam dashuruar,
qëkurse isha djalë.

Tashmë jam bërë burrë i thjeshtë,
me flokë të bardhë e mjekërr
Në stinë të moshës jam në vjeshtë,
paçka s’dukem i vjetër.

Por mbaj në dorë bibël të shkruar,
e gjithë me poezi
Unë linda prift pa kryq ndër duar,
jam prift për dashuri.

Një jetë

Të zhveshur erdhëm në këtë botë,
të zhveshur duke qarë
Një jetë harxhojmë kot më kot,
duke kërkuar varr.

Por varret qënkan kaq të shtrenjtë,
kushtokan sa më s’ka
Sa kohë na u dashka Zot i shënjtë,
ta blejmë me para.

Dhe prapë të zhveshur e të shtrirë,
do ikim pa u ndjerë
Do mbesë diku ndonjë dëshirë,
do mbesë diçka me vlerë.

Kur vijmë qajmë dhe vetë s’e dimë,
kur ikim qajnë përreth
Ndoshta dhe njerëzit janë bimë,
dhe vjeshtës humb gjeth.

Ftua mes lëndinës

Nuk di çfarë ngjet kështu me mua,
në ëndërr të pash mbrëmë
Nga degë e brishtë merrja një ftua,
e ndukja pak me dhëmbë.

Pastaj e hidhja prehrit tënd,
kafshoje pak dhe ti
Nuk ishte mollë që t’erdh ndër mënd,
ish frut për dashuri.

Harroje bibël çfarë është shkruar,
kjo nuk është pemë e lashtë
Mbi grurë shkoi diell i perënduar
mbi brazdat plot me kashtë.

Dhe frikë kam ende, nuk ish gjumë,
as ëndërr parë në natë
Të thoshja ohh të dua shumë,
të prekja flokë të gjatë.

Ndaj ende s’di çfarë ndodh mes nesh,
është jetë a fantazi
Tek ftoi i madh do bëj një meshë,
do ndez dhe një qiri.

Pemë e vetmuar

Tej larg një pemë kërkon hije,
por hijet tundin kreshtë të mpirë
Ndoshta e bëjnë prej zilie,
ndoshta braktisin me dëshirë.

Tej larg një pemë humbet në mjegull,
në mes lëndinës plotë me bar
Duket se qiell e mban pezull,
e lë plagosur e pa vrarë.

Tej larg një pemë më pret gjymtuar,
se ç’frut do bëjë as vetë se di
Është thjesht trung i përgjysmuar,
pa qënë sëbashku unë e ti…

Sa herë…

Sa herë mendoj fytyrën tënde,
sa herë e sa herë e sa herë
Një gjeth i lirë më vjen në mëndje,
kur sillet vërtitshëm në erë.

Dhe s’di pse vorbull e pashpresë,
më çon ndër vise që s’kam parë
Mes qiellit dhe tokësë në mes,
bëhem dhe vetë një gjeth e tharë.

Kam frikë se shpirt më mbeti vluar
mishi m’është tretur nëpër terr
Sa herë në jetë të kam dashuruar,
sa herë e sa herë e sa herë.

Bar në mbrëmje

Në mbrëmje isha ulur
i vetëm në një bar
Dikush këndonte zishëm
e lozte me kitarë
Një tjetër po lexonte
gazetën nëpër duar
E tjetri kthente gotat
e dukej hidhëruar.

Tej muzgu fërgëllonte
e dridhej gjithçka ish
Diçka mbeste në shpirt,
diçka mbeste në mish
Përpara meje filxhan
mbet gati gjysëm plot
Ndoshta ish mbush me helm
a ndoshta ish me lot.

Të dehem kam dëshirë
po pse këtu mes jush
Më mirë po shkoj të fshihem
e mos më shikoj kush
Andej në errësirë
të qaj me zë të shuar
Sapo të dalë pak hëna
me ngjyrë të zverdhëlluar.

ObserverKult

Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA FATMIR R. GJATA: TË PUTH PAK BUZË TRËNDAFILUAR…