
Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish të autorit, Ilir Paja:
Mbretëria e shiut
Prej muajsh njerëzit e mbanin diellin
Në kurriz gungë gamiljeje.
Prej muajsh perdja e hijes së pemëve
E shkrumbuar prej të nxehtit
Prushonte netë djersirë me yje.
Tani gojët e reve mbarsur plot lotë
Kujtimesh.
Tani era, kjo cohë e mëndafshtë
Mbërritur nga fluturimi i ajrit mbi
Ujvara.
Tani kur përshëndetjet e gjetheve
Puthen me erën deri në përkulje të
Muskujve ku dhembja mbërrin në
Eshtrat e njerëzve.
Tani ku gjaku i vjeshtës kundërmon
Frutin më të pjekur dhe lëngu që rrjedh
Tundon heshtjen pëshpirtëse të reve.
Mbërriti mbretëria e shiut.
Shikimet e njerëzve i përmbyt
Si kalorësi që bie i vrarë në muret jashtë
Të një kalaje.
Dhe pemët, tani si ne, më të gjatë,
më të hollë, më shumë hije me ëndrrën
jo hije, që na ndjek pas.
Nata në ballin e një babai
Nata është balli i fshehur i një
Babai.
Trupi i tij që fle mbi shtratin
E bërë me rrudhat e lodhjes së
Një dite.
Hëna është pagjumësia e një
Problemi të madh, të pazgjidhur
Ende.
Kur këmbët i prekin tokën,
ndjen në trup peshën e një peme.
Pemë me pëllëmbët e gjetheve
Të vjeshtës,
që dashurohen me erën pa
mbërritur diku.
Sonte…
Sonte hëna është më e madhe
Se vetë jeta.
Më e pavdekshme se të gjitha vdekjet.
Fruti më i madh i vjeshtës.
Kundërmimi që lëshon pjekja e saj
I bën të gjitha puthjet më ëndërr.
I pagjumi do donte të varej në re.
Dhe një grua s’do të donte të zhvishte
Pëlhurën e ditës me diell.
Sonte hëna është me e madhe se
Të gjitha softat mikpritëse.
Për poetin është pagjumësia
E metaforës së ringjalljes
Në shpirtin me hënë.
Era
Kacaviret pemëve si majmuni
Kur sa i ka shpëtuar rrezikut.
E shkund degën deri në frutin
E fundit.
Më pas ndjen në trup të gjithën
Gjethni dhe nis me to
Një përshpirtje kujtimesh.
Kur dielli nis të mbledhë parashutën
E pasdites, nëpër erë nis të rrjedhë
Muzgu.
Risjell netëve retë për të mos
Humbur rënien nën pemë,
Si fëmijë akoma i parritur
Vjeshtë.
Hëna ime
E ndjeva me rrobat e trupit.
Në kapëse e vara pranë këmishës.
Në anën tjetër çorapet ndjenin
Erën e hënës mbetur mbetur
Baltrave të pagjumësive.
Prita që xhepat e pantallonave
Të mbusheshin me yje.
Ndërsa në mëngët e këmishës
Të më kacavireshin ketrat.
Në mëngjes hënën e kishin çukitur
Ëndrrat e mia kafshuar më parë
Nga prekjet e njomura,
Kujtime gjaku.
Kjo kapëse, puthja ime
Për të.
Gjethja e fundit
E rënë përmbys zhguall breshke.
Kur nis fle dimërim.
Si teshë e grisur e një endacaku.
Ku mënga e këmishës i duket
Këmbë pantalloni i shkurtuar.
Një shputë e vrarë kur këpucët
Ia kafshuan qentë e rrugës.
Një spaletë ushtaraku e grisur
Kur atdheu e urren dukjen
Ceremoniale.
Një ndodhi e së shkuarës që s’u
Mboll pemë.
Gjurmë lumturie tani e vè.
Një pëllëmbë qielli pasditeje.
Gjethja e fundit e rënë përmbys.
Dhuron hije të prekshme.
Që nuk mbërrin nga pema
Aty pranë.
Ilir Paja ka lindur në qytetin e Durrësit më 20.09.1971. Krijimtarinë letrare e nis që nxënës në gjimnaz ku në gazetën “Adriatiku” publikon krijimet e para. Ka mbaruar studimet e larta për gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës në vitet 1991-1995. Më pas ka kryer studime pas universitare për studime letrare në vitet 2009-2011, diplomuar me temën “Zef Zorba, poeti mes modernitetit dhe hermetizmit”. Në vitet 1990 e në vazhdim boton poezi, prozë, ese studimore dhe publicistikë në organe letrare si “Zëri i Rinisë”, “Drita”, “Mehr Licht”, “Poeteka”,“Nacional”, “Milosao”, “Metafora”, “Orfeu”, “Ex Libris”. Pjesëmarrës në festivalin “Poeteka” në vitet 2006-2010. Ka botuar vëllimet me poezi “Nuk hesht” 1996, “Afrohen gjethet” 2006, “Pikojnë yjet” 2010, romanin “ Kronikë pa Qytet” 2023. Në vitin 2011 merr pjesë në aktivitetin me temë: “Mesdhetar poetik” në Palermo të Italisë , ku eventi kishte si moto “ Mediterraneo in luce” ku përfaqësoi poezinë e vendit tonë në praninë e shumë vendeve që lagen nga deti Mesdhe. Dhe në vitin 2013 me piktorin shqiptar Alfred Miloti merr sërish pjesë në Romë, ai me një vepër arti në pikturë, ndërsa Paja me poezinë dedikuar për nder të 150 vjetorit të artistit austriak Gystav Klimt. Në vitin 2018 pjesëmarrës në Strugë në aktivitein poetik atje “Dallgët e detit”. Ndërsa në vitin 2021 i përfshirë në përzgjedhjen e “Poeteka” ku pergatiti antologji poetike, e autorëve pas viteve 1990. Antologji e botuar në Serbi. Ndërsa në vitin 2022 poezi të tij u publikuan në antologji të huaj përgatitur në gjuhën maqedonase.
Krijimtaria poetike i publikohet prej 3 vitesh në shtypin letrar online në gjuhën italiane ku ka marrë pjesë dhe në konkurse letrare ndëkombëtare atje dhe është vlerësuar, dhe me çmime, në Bari dhe Trento.
Aktualisht prej 31 vitesh ushtron profesionin e profesorit të letërsisë pranë gjimnazit “Naim Frashëri”.
ObserverKult
Lexo edhe:






