Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Imer Topanica:
TUFË DRITE
Ti qeshe me mue, miku im,
kur në ballë më doli nji rrudhë.
Për atë rrudhë, nji shpend mori arratinë përtej fushave të gjelbrueme të shpirtit
Njikështu vjen pleqnia, miko!
Arratisje të shpeshta shpendësh prej drite, që shkulen prej fushash të shpirtit
N’aktin e vdekjes, krejt nji tufë drite do të na shkulet përnjiherë
Lutu miku im: ajo tufë mos qoftë e zezë!
METAMORFOZË
Tretet ngadalë dita në qeti
Deti thellë i varros fjalët e arta
Veshë me pelerinë misteresh, lëshohet mbramja
E yllësi e pamatë sharron në pafundësi
Gjithçka vdes ngadalë në heshtje
e heshtja veç ndihet
Nji mjegull leshtore s’di prej kah mbin
Që me miliona gojëza të nji amebe gjigante
përtyp çdo pamje që mahnit
Bash si ma i thelli meditim.
AFËR METAFORËS
(Përmallim)
Ka kaq kohë që si një lis, fletët i numëroj tek më bien
E kam frikë se nga kjo rënie, po zbehet kujtesa si kjo hije
Dhe në këtë zbehje të trishtueshme, atë pak pamje do ta harroj
Si trung lisi, i tharë pleqërie, të rrëzohem e të shkoj
Të shkoj andej e të harrohem, në pafundësinë e pandryshueshme
E nga kjo botë e ngushtë, që ka kuptime të ngutshme
Me vete të mos e marr atë pak pamje të mrekullueshme
Kur hija ime e dendur, binte mbi ty kroi im
Që më ujite derisa u thave
Kur ti dhe shpirt, dha dhe shpirti im
Dhe kjo frikë kaq e madhe, më kaploi dalëngadalë
nëpër rrënjë e te fletët më të larta, që m’i than
pa e thënë as dhe një fjalë
Por unë lutem që mbasi të biem, të takohemi ne sërish
Ti si ujë e unë si bimë, me një mall të katërfishtë
MIRAZH
Unë, nji korale
Në kohën e qetë të detit tem
Shoh hanën që ban njatë lutjen e zbehtë
për retë
Ato, anije vikingësh Që pushtojnë qiellin Me kaq pak yje
Ushtima, pararoja e nji avioni udhëtarësh E vret mirazhin…
Dhe unë kthehem ndër ju E dal prej detit tem
Ani pse
Kam ende ndjesinë Se korale jam
PËRROI I JETËS
Po luhaten duert e pemëve Veshun petkash të blerta
Sipër tyne retë
po bartin arkivolin e kësaj dite
Tufa sorrash Prej ku jam ulë
Janë stërkala të nji pështyme të zezë gjigante
Ndjesë pastë kjo ditë Jeta po derdhet
Si përrue
Në lumin e vdekjes
POEZI
Qëndron mbi mua, mbi blerimin tim
Mbi qiellin pafund, në kaltrim
Në natën me yje pambarim
Shtrihu mbi mua o shpirti im
Jam aq i gjerë, aq i thellë
I vdekur jo, por pak i thyer e i prerë
Me gjakun e kuq që rrjedh si lum
Ujit ditët e netët pa fund
Në një muzikë që t’i se kupton
Rri në degët e mia që shtrihen përtej
Reve e mjegullave, mbi kreshta
Jo sa e përshkruajnë këta rreshta
Se jam aq i vjetër e aq i ri
Qëndro në mua ti, rri
Në vetmitë më të vetmuara unë jam aty
Të ngrohë si stelë e pyjeve veç për ty
Në heshtjet më të heshtura për të pëshpëritur
…shpresën për të ta ujitur
Diellin për të ta kthyer në horizontin tënd
Për t’i fshirë stërkalat e dëshpërimit të pavend
Unë jam këtu, tani dhe atje ku do të jesh
Ninullën e fundit për të ta thënë në vesh
Ta pish atë, hurbat të t’i dëgjoj
Përpara se të bie, e të shkoj
Përpara se të bie, e të shkoj
NATË
Vdesin shkëndijat e zjarrit në zemra
Shqyhet rreze e hënës në gema
Të degëve të mollës që e mbolli
I pari i ynë, jeta që e volli
Shuhet tingull i fundit, i ulërimës
Trishtimi noton bregut të dhimbjes
Dhe etja për dashni këmbëzbathur
Futet nën mbulojën e ëndrrës, tinëz
I qetë rrjedh një lum
Që niset për të shkuar në askund
Dhe bie në gji
Në ag
Që feks
Më në fund…
ObserverKult
Lexo edhe:
CIKËL POETIK NGA SARË GJERGJI: MBI KRESHTAT E DALLGËVE
CIKËL POETIK NGA ALBINA IDRIZI: JANË HAPËRDARË NË MUA METAFORAT E PANXËNA!
CIKËL POETIK NGA ABDULLAH ZENELI: TRI PSHERËTIMA NË TRI TINGËLLIMA