Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Mikel Gojani:
PSHERËTIMË BJESHKE
Që sa kohë,
Ka zjarrmi!
Nën guallin e saj
Dëgjohen
Psherëtimë të thella.
Mbi bjeshkën time
Fluturon zogu shtegtar,
Që shtegton në perëndim,
Dëshiron të kthehet në veri
E strofkën ta bëjë në jug.
Ky zog i burimit
Rrëzë bjeshkës së lartë
Prek lartësitë,
Në kërkim të kroit të humbur.
Nga brendia e shpirtit
Shpërthen tharmi i dashurisë.
Janë këta shkëmbinj
Që nuk i qetëson as qielli.
PEIZAZH ME MUGË
Mbi horizontin tim
janë shpërndarë
peizazhe me mug.
Sa shekuj
Në pritje
Harta e Gjeografisë
Të marr formën
E Portretit Diellor.
Portat e Qiellit
Nuk mund t hapen
Ndërsa u zihen rrugët.
Kur do t’hapen
Portat e Qiellit tim?
NË TËNDEN DITË
Çdoherë –
Në ditën e datës 9 të kalendarit,
Të përçoj mesazhe,
Nuk mund të më përgjigjesh,
Mua më mbërthen zjarrmia.
Për tre vjet
Ti jetën e bën
Nën kambanat kumbuese
Në maje të majës
Të Bregut të pikëllimit.
Tre vjet kaluan
Mbi kulmin e shtëpisë,
Që ngjason në kibucë
Resh dëborë e ftohtë,
Qiejt kanë marrë pamje të zymtë…
Të zymta janë ditë e dëborës në dimër,
Tre vjet ra aq shumë dëborë
Nuk mbahej mend.
Dhe se nuk është çudi
Pas gjithë këto reshje dëbore
Bien këto tre vjet të fundit?!
Jetëgjatë është dhimbja
Mes dëborës së ftohtë
Të ngricave të acarta,
Nuk lejon ta harrohet dhimbja
E plagëve që kullojnë gjak të kuq, të zi…
E megjithatë-
Gjithnjë shpresoj ajo gjendet diku,
Mes eklipseve të horizontit qiellor.
9 prill 2023
PRUSHI I SHPRUSHTË I SË DIELËS
1.
Psherëtimat vijnë nga lart,
Gjithnjë,
Sidomos të dielave,
Pas kambanave kumbuese,
Që grishin shpirtrat
T’i shoqërojnë thirrjet
E mishërimit të mistershëm.
2.
Dhe, pastaj hapen plagomat,
Që shkaktojnë vragë,
Që s’i mbyll koha.
Brenda mallit fshihet kujtesa,
Brenda kujtesës fshihet dhimbja,
Brenda dhimbjes fshihen lotët e kristaltë,
Brenda lotëve fshihet mungesa…
Mungesa e përgjithmonshme
Dikton
Pakuptimësinë e jetës.
Shprehja e kësaj pakuptimësie,
Është prush i shprushtë i një dashurie…
Zllakuqan, më 26.2.2023
DHIMBJE E PRUSHTË
“Më jepni dhimbje të forta,
ju jap vargje të bukura!”
A. Çehov
Ndamë rrugët
Në atë pasmesnatë të trishtë,
Bota mori trajtë të brishtë!
Ajo natë tmerri,
E shprushtë si ferri.
Si me tehun e thikës
Errësirën ndau në dysh;
Çdo gjë të kësaj bote
Duke përmbysur
Në humnerën e mynxyrshme.
Në atë greminë të pafund
S’mund të rigjej
Një tjetër rrugë
Tek origjina e dritës.
Prushi i tmerrit
U bë legjendë e ferrit!
Vështir të kaptosh
Mes për mes prushit të shprushtë!
9 shkurt 2023
KOHË KUR DRITAT JANË TË FIKURA
Kohë absurdi:
Peizazhi ndryshon
Të gjithë ndezin dritat
Dikush i fik ato!
Kohërat
Kanë ndërruar peizazhin.
Gjethi është këputur
I magjishmi gjeth…
Sytë të etur
Që u mungon dashuria
Nuk shohin as bukuritë e dikurshme,
Natën kur gjithë ndjejnë ngazëllimin e pafund
Ai jeton mes andrallash.
Një peizazh i mugët
Ka ndërruar trajtën e imazhit,
Në një çast hamendjeje
Prek ëndrrën e magjisë
Dhe ndjen çmalljen
Nga prehri i reminishencës.
Padashas –
Rrëshqet në sfondin e blertë.
Bashkë me kohën kur bien gjethet
Fiken dritat e shpresë,
Ringjallet muzat e kujtesës.
24 Dhjetor 2022
PSHERËTIMË PËR DIELLIN
Një rekuiem
Për atë që kam dashur;
Një psherëtimë të thellë
Për Diellin.
Në këto vite të rënda
Plagët pikojnë gjak
Të kuq, të zi.
Portat e qiellit bëjnë sehir.
Dielli im
Mbërthyer
Në vorbullën e eklipsit
Skëterrë…
Zllakuqan, 5.11.2022
GJËMIMET E STUHISË
Kurrë s’e besoja
Paranoja e erërave të furtunshme,
Do të jetë
Pengu i ortekut që shkëputej
Dhe përplasej
Në humnerën e pafund.
Ndërkaq,
Kuptohej oguri i zi,
Gjëmimet e stuhisë së vërtetë
Qëndronin përballë nesh.
Metamorfoza e stinëve
Ndryshoi mëngjeset
E agimeve të vrenjtura
Plot dëborë, shi e stuhi…
ObserverKult
Kliko edhe:
CIKËL POETIK NGA ABDULLAH ZENELI: TRI PSHERËTIMA NË TRI TINGËLLIMA