Cikël poetik nga Robert Shvarc: Mos më lëndo, se të kam besuar shumë…

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur nga Robert Shvarc.

Dhimbje dashurie

Dhe ja si gjithmonë, gjithnjë kur dashuroj,
në anijen tënde velat e lundrimit po ngrihen…kundroj
velat që rrëmbejnë në largësi të panjohura dashurinë time
e unë mbetem i vetëm, fshehurazi dëshiroj.

Më pas me një çmim të trefishtë paguaj ndarjen me ty,
netëve të gjata pa gjumë, në lot.
Ndaj mos më lëndo kur nga dritarja ikjen tënde ndjek…,
se si largohesh nga unë duke lënë acarin në shpirtin tim
dhe shpresën e pashpresë se do të takohemi sërish diku,
                                                                 dikur një ditë…

Mos më lëndo, se të kam besuar shumë
në zjarrminë e fatit tim!
Mos më lëndo me dritën e qartë të syve të tu,
se zemrën e lashë peng kur marrëzisht i dashurova ata sy!
Mos më lëndo, o e huaj, duke u kthyer te dashuria ime
                                                                 çdo mëngjes,

se pa fre dëshirën time për ty do ta lëshoj qiejve
dhe si ndëshkim prej tyre në stuhitë e jetës i vetëm
                                                               do të vdes!

Të ndjej, o mike e shpirti tim

E ç’të shpresoj tani për ritakime?
Ato po mbeten gonxhe që nuk çelin!
Parajsë dhe skëterrë në zemrën time,
rënkime dhe shpresa që më dhelin!

Gjithnjë tek un’ jetoka një dëshirë:
t’i falem pastërtisë së panjohur,
asaj që është m’e lartë dhe m’e mirë,
asaj që deri tani nuk më ka ngrohur.

Këtë e quaj unë shenjtërim –
dhe e ndiej për Ty, o mike e shpirtit tim!

Por ja që mbetem prapë i vetmuar
dhe koha shkon, asgjë nuk më dhuron.
E gjith’ ajo, që n’heshtje kam varguar,
më lumturon e prapë më trishton…

E malli prapë më shtyn nëpër shtegtime,
ku unë dalngadalë vras veten time.
Dhe po humbas, por nuk më vjen çudi,
se jeta më llastoi e përkëdheli:
më fali zjarr, kurorë dhe lavdi,
por dhe më shpesh më tundi nga themeli.

Tani Ti je këtu

Tani Ti je këtu,
por nesër më nuk do të jesh…
Po qeshjen tënde, diellin
dhe qiellin aq blu
prapa a do të na i lësh?

Oh, mos merr me vete dlirësinë,
që ke ndër sytë aq njerëzorë!

E dendur ësht’ errësira,
me mund kalon çdo orë…

Na lër diçka këtu,
O Ti, që je m’e pastër
nga ç’ësht’ dhe qielli blu!

S’di se ku më dhemb, s’di se çfarë kam…

Nga larg më vjen nga larg, ky zëri yt i valë,
Dhe më ndez në gji një afsh edhe një mall.
E s’di se ku më dhemb, e s’di se çfarë kam,
Madje as nuk e di në jam, apo nuk jam.

Ti flet e flet, dhe çfarë flet e di,
Por unë vetëm flas, sepse përtej je ti.
Dhe sot po të më thonë:
Pa shkundu mor i mjerë ndash,
U them që një jetë të tërë, kështu mund të flas.

Nga larg dëgjoj nga larg, ah zërin tënd të butë,
Më vjen sikur dhe sytë, më ndizen në të tutë.
Dhe s’di se ku më dhëmb, dhe s’di se çfarë kam,
Madje as nuk e di në jam, apo nuk jam.

Ah, më falni, ëndërrime!

Nuk e dua gjithnjë jetën,
nuk e dua as rehatin,
por të them, ç’ësht’ e vërteta,
nuk e dua as mëkatin!

Shum’ e dua dashurinë,
por s’më dashka dashuria!
Qënka zor, që të jetosh
me thërrime dhe shkëndija!

Pra, ç’të bëj?-Mos do të rri
duke dashur gjithnjë kot?-
Ah, më falni, ëndërrime,
kështu më s’po ia dal dot!

O dashnija eme e andrrueme!

O ti, dashnija e eme e andrrueme
ke mbetun veç e gjallë në lotin tonë,
ke mbetun si dëshira e plagueme
ndrydhë n’nji varrë të vjetër që më dhemb…

Kush je, ku je, kur vjen e kur po shkon –
pse shkon si vjen, e prap ti mue më len
n’nji terr të zi, ku drita nuk agon,
n’nji vuejtje prore, që vuejtje t’tjera m’bjen.

A thue kanë me kalue dhe shumë agime
tue t’thirrë ndër andrrat, vash’e mallit tem,
me shpresa që veniten si gjetht në vjeshtë?…

A thue gjithmonë e trishtë kanga ime,
Si kanga e bylbyl-qytetit n’gem
ka me tingllue n’kte shekull kaq të thjeshtë?!…

ObserverKult


Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA ALI PODRIMJA: NËSE VDES I DASHURUAR…