Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Sarë Gjergji:
ARS POETICA
Varianti I. (Poezi)
1.
Mos hiq dorë prej meje
shpirti im për ty ka etje!
Për mëkatar mos më merr
mos më përbuz për herezi
kur pa dashje shpërfill kërkesat e tua!
Pa frymën tënde
ndihem varr i gjallë
Poezi.
2.
Mal metaforash është libri i poezisë
grackë simbolesh
ku gjallojnë herë-herë
spermë politikanësh e popuj në agoni
toka shtatzëna – të vranëta, hi e plojë
lavire të virgjëra e psalme shenjtorësh
stuhi vullkanesh, fantazma, urti e Solomonit.
Sa profeci fsheh brenda vetes
Poezia –
lufta për dinjitet!
Varianti II. (Poet)
Eja dhe shih të zverdhur në palcë
tokën e premtuar të artit në këmishë nate
dhëmbët e bardhë në copëra mishi kudo në horizont
lotin e botës në sytë e mi
në dhimbjen që fshihet në çdo qelizë të qenies
fytyrën reale të botës shih, fitimtare në asgjë.
Midis poezisë dhe poetit një univers ndan, Poet
këtu kemi harruar se në fillim ishte Fjala
të çorientuar në rrugët tona
sinorin mes hirit e artit ngatërrojmë
një dëshmi më shumë për fytyrën engjëllore të ligësisë.
Eja sërish, të lutem,
se poshtë ka rënë fjala këtu
tokës së tharë të mendjes sonë
muzën dhuroja!
Varianti III. (Revoltë e heshtur)
Hesht Shpirti im
kur velin gri mbi qytet pushtetarët shtrijnë
e turma shurdhmemece i këndon robërisë.
Hesht se revoltën e poetit nuk e duan
as atë mal simbolesh që ngreh Ai
për hënën nusërore dhe madhështinë e zjarrit.
E ç’rëndësi ka në ishte Fjala në fillim
nëse vargu yt sfidohet
nga kuaj të harlisur a nepërka me syze.
Shpirti im,
për verbimin e diellit dhe gjithçka rreth teje,
hesht po munde!
Sërish do ketë një të Premte të Madhe…
GINKGO BILOBA
Ajo, e vetmja e familjes është nga lashtësia veshur
mitesh me shkëlqim drite vjen në kopshtin tim rrënjë
lëshon.
Në dysh i ndarë gjeth i saj, si vargu im dhe unë:
një frymë…
Qiellin trup i saj pushton,
degë e saj ajrin,
me hapin sigurt, si një zonjë e rëndë
këmbë e saj shkel në tokën bleroshe të zemrës sime.
Unë vdeksha po s’i mora erë,
çdo fije gjethi në çdo stinë po s’i putha, po s’hëngra frytin e saj përrallor.
Në tempull të Shën Mirit në mua, përherë e shenjtë
ngjyra të bardha derdh;
e vetme sjell shpirtin,
gjakun e lashtë
Ajo,
harresës i vë datën,
hyjnueshëm në kopshtin tim gjelbëron.
Ginkgo Biloba
ushqen ëmbël dëfren
Ah, kjo Ginkgo Biloba!
KËLKAZA
Pyjeve të freskëta të syve të mi rritet
me lotin tim çdo llap gjethi ushqen.
Lulet në çomange i vallëzojnë, këlkazës
të tijat
sipër të sajës…
Fryt i saj i gjelbër
sa më sheh fillon e skuqet, nga zjarrmia piqet!
Helmuese është këlkaza
mjekuese
ushqyese është
dhe unë i përgjërohem çdo ditë
të më mbajë përdore
sikurse një fëmijë
i pangopur me kureshti.
PRANVERË LOTI
Gjuhë rëre
mbi degët gjelbëroshe lëshon vezë!
Eva, në lindje të Edenit…
Nëse vazhdon të duash
atë çka unë kam qenë për ty – vazhdo në heshtje Adam!
Kënga do zë,
Evë,
pranverë lot gjethesh…
MBI KRESHTAT E DALLGËVE
Ndonjë mendim, Evë?
(Ajo rënkon përvajshëm).
Mbase druhesh.
Fshihu nga frika jote, Evë.
Ç’është dashuria, Adam?
Përtej Edenit çeli qershia, Evë.
Ti je kjo që je;
më mbush e lë pa frymë!
Eva, e shpenguar
zgjati duart,
një kokërr qershize mori…
NJË TË ENJTE PRILLI
Gruri e mbushi kallirin, Evë.
(Adami e shtron sofrën).
Po mbuzet nata, Adam.
Gjarpri, kutullaç, në Eden.
Eva, gjuhë prushtë
braktisjen grish.
Në dheun e Nodit,
Adami ndien
se shpirtit frymën ia zë trupi.
PRIT, HEBË, PRIT!
Është hëna e parë e plotë,
e Heba nuk e di
nëse Herkuli është ende gjallë.
Ka gjarpërinj në pemë,
e bretkosa bleroshe është!
Pas tri hënëplota,
Herkuli do kthehet sërish.
Më shumë se për ujë ka etje për ty!
Shenjë është shqiponja e artë…
Prit, bijë e Herës, prit!
NË SHTRAT MERMIMANGE
Nga t’ia filloj, Evë?
Kodra, ultësira e fusha të lëkurës sate
gruri i zverdhi
dhe flokun tim si një gjeth vjeshtak…
Re e zezë,
bubullimë e shi sjell në Eden.
Në gjoksin tim
zë vend e çadrat ngreh
mizëri karkalecash
kokë e këmbë armatosur!
Në shtrat merimangash të zeza
Arka e Besëlidhjes dergjet,
ëndrra,
kënga,
malli,
për aq kohë sa ti mungon.
HARK DITE
(ose këngë e vrarë)
(Mirëmëngjesi, d(r)itë!
Mjegulla nis të bjerë…
Mirëdita, kripë!…
Mjegullnaja diellin zë.
Ti pse idhtohesh?
Mirëmbrëma, hënë!
Pa unazë
pa këmishë në trup
veç asht e lëkurë
herë zmadhohej
herë kruspull mblidhej
Hëna
një me natën.
Të nesërmen
ata u gdhinë
me zemrën prej qelqi
e mushkri prej betoni
AVE EVA
… tash,
Eva është e ujërave, e tokës,
e diejve,
e qiejve…
Adami djersitet i tëri…
Si Krishti në Kopshtin e Ullinjve.
Përplasur në faqet e një shkëmbi, përpëlitet,
Evë!
MJELLMË ËMBËLAKE
Mjellmë,
që në agim të kërkoj.
Për ty ka etje shpirti im.
“Të jam përgjëruar e të përgjërohem,
më lër të lirë këtë kohë!”
Asgjë s’më trishton sa heshtja jote, mjellmë!
Muzgën qiejt e kokës sime, përmbyten!
Kambanat e kështjellës prej gjaku e mishi mërdhezen e ngrijnë!
Çfarë do të më thuash me mungesën tënde, mjellmë?
Caku im i vetëm,
në meshë të së dielës,
kungata ime je.
Më thuaj, mjellmë, ku të iki prej pranisë sate? Shushurimë e ujërave,
vetëtimë e qiejve,
është kënga jote.
Lutja e vetme e murgut vetmitar, mjellmë!
O mjellmë, mos më rri larg!
Kë tjetër veç teje kam në ujëra?
Edhe në tokë s’dua tjetërkënd veç teje!
Jotja është dita, jotja është nata ime!
Ti delikate me ujin dhe erën,
çdo qelizë, çdo ind, çdo nyjë timen njeh.
Për ty galdojnë gjithë lumenjtë e zemrës sime
e me gëzim derdhen në liqenin tënd!
Fruta pemësh shikimi yt,
o mjellmë, ty të përket himni në ujëra e në Sion,
gotën ma mbush plot e përplot me shtegtime ndjesish!
Mjellmë, balerinë plot bardhësi,
veshur me mite…
MJELLMË
Kur malin eron, mjellmë ëmbëlake,
të marr frymë, harroj!
Unë i kam besuar legjendës:
“Mjellma këndon vetëm një herë përpara vdekjes!”
Qiell i kuq, thonë, kob ndjell.
Tash ç’do më thuash për ngjyrën tënde?
Për shtegtimet e tua e për dashurinë tënde të re?
Ti s’e jeton një liqe të vetëm,
as vetëm liqeneve s’jeton
Mjellmë e bardhë,
e zezë, mjellmë,
për ku je nisur?
Unë jam këtu!
Këtu do jem, mjellmë!
ObserverKult
Lexo edhe:
CIKËL POETIK NGA ALBINA IDRIZI: JANË HAPËRDARË NË MUA METAFORAT E PANXËNA!
CIKËL POETIK NGA ABDULLAH ZENELI: TRI PSHERËTIMA NË TRI TINGËLLIMA