Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Shazim Mehmeti:
Plazmë
Shpirt!
Shplue ma ke shpirtin tand,
deri n’atë masë bukurie,
sa, ma, nuk kam asnji nevojë
me t’zhveshë,
me t’shplue.
Me ty, ditenatë,
muj me ba dashni,
veshun.
Përfutem i përzjarrun mbrenda teje,
nëpër këto sytë e tu t’ujtë –
i tanë, i tanë, shkrihem.
Plazma jote bahem,
bahem gjaku yt i valë…
Nji zog nate e kërkon folenë…
Nji zog nate
e kërkon folenë.
Natën e rreh nji fllad,
e unë, ulun jam,
te kambët e tua.
T’i puth shputat, tani,
gishtat e kambëve t’i puth.
Si nji statujë t’shoh,
nga poshtë, përpjetë.
Oj, ti m’je nji statujë e bame
me duert e natës –
nji statujë
që ka me e ngjallë,
me e gëzue…
kjo fryma ime… e dehun…
Po falimenton nata…
Po falimenton nata.
Agu qet kryet mbi Taul,
e trupi im, shpirti im,
akoma gremisun,
mbi trupin tand
bardhan.
Para se me ikë,
shenjë dhambësh le hana,
mbi shpinën time
mal.
Dita vjen
si dhimtë e bukur.
Dalun vetes jam…
Dalun vetes jam –
ua përthith frymën
qiejve t’paanë.
Oh, secilin çast,
secilën sekondë
e përpij, e përbij.
N’krahët e tu mbërthye,
baj dashuni
me sytë e tu…
Ajo vjen…
Ajo vjen.
Gjithë gjithësia
m’kokërrlohet, m’gjithësohet
në këtë dhomë.
Secila molekulë ajri
nji festë drite m’bahet.
Pasqyrë e botëve m’bahet dritarja –
qandej, dritësue
m’buzëqesh Venera.
N’oborr, pemë e dardhës,
nji zgjue yjesh m’ashtë tashma.
Pas pak, pas pak,
do t’ia pi gjithë gojën
Universit…
Kur nis me t’zhveshë ty…
Kur nis me t’zhveshë ty,
si sytha trëndafilash,
m’çelin sytë e mureve.
Plas pranvera, m’qiellohet tavani;
tavani m’vishet
me gjithë nuancat e së kaltrës.
Ngjallet, rinon qilimi,
gjallërojnë perdet;
këndimin e dritës e nisin dritaret.
Mijëra zogj,
mijëra flutura t’bardha
ma përmbushin dhomën.
Shpend mes shpendsh,
bahet ky shpirti im,
kur nis me t’zhveshë ty…
ObserverKult
Lexo edhe: