Cikël poetik nga Shazim Mehmeti: “Pa frymë po m’le, kjo dashni!”

Shazim Mehmeti


Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Shazim Mehmeti

Superidiot…

M’vjen,
pa m’ba za.

M’vjen,
pa asnji fërfllimë fijeje,
pa asnji zhurmë.
Si gjethe shege,
m’pik para hunde.

E ndjej, e ndjej, e ndjej.
Ia ndjej ardhjen,
ndrrimin e hapave.

Ma shumë se shumëçka tjetër,
ia due shputat.
Borë, t’bardha, i ka shputat.

E rrëmbej, sa vjen.
Me zjarr, e mbërthej, me krahë,
ia puth shputat,
thonjtë, e gishtrinjtë.

Puplat e mishit
njipërnji ia pi,
n’bark e n’gjuhë e pi,
e pi n’amëlsì.

Trupin ia nuhas –
lëkura e paqtë, e ndritshme,
i mbushet mornica.

Oh, mezi mbushet frymë,
mezi mbushet frymë, ajo!
“Ma ze frymën, m’thotë,
ooo, ti idiot i vogël!
Pa frymë po m’le,
kjo dashni!”

M’flet,
me atë dell prej dreqke,
unë baj sikur s’kuptoj.

Njashtu,
bahet edhe ma e gjallë ajo,
bahet edhe ma e çmendun,
e i merr n’duer,
gjithë krahët e gjendjes,
gjithë krahët e natës:
ma shuen dritën e syve,
ma fik hanën, yjt.

Ku s’e pres, m’prek.
Trupeshpirt, m’zgjidh,
e m’dredh, e m’derdh, e m’thith,
mishrash m’ngjitet, m’copëton,
deri n’shkreptitje,
deri n’përgjakje,
deri n’përshpirtje,
deri n’mos’harrim…

Dhe, se si rikthehet,
si di vet ajo,
e bahet ma e zjarrtë,
e rishtas, m’i ndez hanë e yj,
copat e trupit
m’i mbledh nji nga nji,
m’i mbledh mishnat, eshtnat,
palcën ma mbledh,
derisa arrin
t’ma bajë landën m’njish,
deri sa arrin
shpirtin n’gojë t’ma ve,
deri sa arrin,
prej këtij idioti t’vogël,
me ba
nji… nji Superidiot…

Qenie e këndshme, pothuajse e lëngshme…

Qenie e këndshme,
pothuajse e lëngshme.
Ajo, më, nuk është,
por ajo është.

Disi, si prej uji ishte,
a trup ujor kishte,
a kishte mish ujor.

Bebëzat e syve,
qëndisur i kishte,
me ca yj t’ndritshëm.

Zot, sa m’shikonte n’sy,
i dilnin ata yj prej syve,
e m’vareshin për qafe,
m’vareshin për flokësh.

Nga ato pellgje t’thella,
t’atyre syve lëvizës,
një lumë i blertë drite,
i nisej, i nisej,
e derdhej n’sytë e mi.

Derdhej, e bymehej,
e ma lulëzonte qenien.

Edhe fryhej, e fryhej,
fryhej, ahere,
çmendshëm, mishi im,
fryhej e bëhej dritë,
fryhej e bëhej frymë,
fryhej e bëhej lumë,
lumë bëhej, e derdhej,
n’mish’n e saj ujor…

N’dyshim dhe penduet, hana mbi natë ndrit…

N’dyshim dhe e penduet,
hana mbi natë
ndrit.

Ndrit hana
mbi zjarre.
Ndrit e çuditet,
çuditet e këlthet:
-Zot, gjithandej zjarre,
e zjarr nuk ka!

N’ultinë e vetes,
n’errësinë e vetes,
nji plak i moçëm sheh e hesht,
ia shkel synin hanës,
mustakun dredh,
buzëqesh, buzëqesh,
e e shpupurit
hinin…

Gëlon, prej frymësh, kafeneja…

Gëlon, prej frymësh, kafeneja,
e në tavolinën përballë meje,
kafenë gjerb një grua.

E moshuar disi –
trupi, fytyra, supet, duart
ia provojnë këtë –
por shikimin disi e ka…
shikimin disi e ka
akoma të mprehtë.

Cigaren –
ndezur, mes gishtash –
e thith gjithë stil.

E shikoj,
si rri ulur këmbë mbi këmbë,
provoj t’i futem
brenda mendjes,
brenda mendimeve,
ia analizoj profilin e fytyrës,
majëhundën e mprehtë,
mënyrën si i nxjerr prej goje
rrathët e tymit,
balluken që mbi ballë i bie,
balluken që,
sikur i flet,
sikur i këndon,
akoma.

Ia pëlqej qëndrimin
përballë vetmisë që ka,
ia pëlqej nuancat e lëvizjeve,
dhe e pyes veten:
Mos, vallë,
është e bërë prej zjarri
kjo grua?…
Sa zjarre, vallë, ka ndezur,
sa zjarre, vallë, ka fikur,
me ato duar të fikura,
me atë shikim të mbijetuar?…

ObserverKult


Lexo edhe:


SHAZIM MEHMETI: ZOG, A VAJ, A KANGË…

SHAZIM MEHMETI: KËNGË PËR DRITËN E ZEMRËS