Merita Paparisto: Jam trishtimi dhe dhimbja e ëmbël e shpirtit tënd…

Poezi nga Merita Paparisto

Unë jam…
Unë jam kaosi i mendimeve të tua…
Jam kurioziteti yt për të parë në botë të
panjohura…
Jam egoja jote mashkullore për të pasur për
vete ato që është vështirë t’i kesh…
Une jam posesiviteti yt.
Jam kënaqësia e fituesit kur ngre flamurin
mbi kështjellat e pushtuara…
Jam britma e luanit të stepës
kur kërkon femrën e tij
Jam dëshira jote për të qënë i dashuruar dhe
i përkedhelur…
Unë jam trishtimi dhe dhimbja e ëmbël
e shpirtit tënd…
Jam ujrat e rrëmbyera ku dëshirat e tua të
zhytura rreken gjithë kohën për të dalë
në breg.
Jam mosbesimi dhe dyshimi yt…
Jam re e kaltër në qiellin tënd blu…
Unë jam qëllim dhe pengesë në jetën tënde.
Jam tërheqja dhe tendosja jote për të më arritur
dhe për të më prekur, kështu paprekshmërisht larg
siç jam.
Jam mundimi yt për të mos më mbajtur
dhe për të mos më lëshuar.
Jam….
…. pamundësisht për të qënë e jotja.

ObserverKult

Merita Paparisto

=—————–

Lexo edhe:

NGA REXHEP QOSJA, PËLLUMB XHUFI, FATOS TARIFA…, INTELEKTUALËT SHQIPTARË ME PETICION: LARGONI SHARLATANËT NGA EKRANET, SHKELIN EDHE GJUHËN SHQIPE

Çështje kombëtare shumë serioze e kanë konsideruar një grup intelektualësh dhe studiuesish, promovimin e dijeve nga disa individë të cilët dalin në media e flasin pa asnjë bazë shkencore, kryesisht për gjuhën shqipe, duke krijuar teza të ndryshme.

Një grup intelektualësh, mes tyre Rexhep Qosja, Pëllumb Xhufi dhe Fatos Tarifa, kanë nënshkruar një peticion ku i kërkojnë AMA-s (Autoritetit të Mediave Audiovizive) që të ndërhyjnë në një fenomen që po shikohet në ekranet shqiptare dhe të merren masa.

Në peticion nënvizohet fakti se niveli i ulët i informacionit shkencor në një pjesë të mediave tona, promovimi i dijeve amatoreske, i një etimologjie vulgare dhe sharlatanizmi kanë krijuar një situatë alarmante, konkretisht për gjuhën shqipe.

Sipas dokumentit, për studiuesit disa studio televizive, janë kthyer në platforma, ku individë të papërgatitur, nga ana shkencore, të cilët promovojnë idenë se shqipja është gjuha më e lashtë në botë apo nëna e të gjitha gjuhëve… për intelektualët këto janë formulime që nuk kanë asgjë shkencore dhe kultivojnë psikoza të sëmura e të rrezikshme në opinionin publik.,,

Tekstin e plotë e fjeni KËTU