Cikël poetik nga Shinasi A. Rama: Heshtja e thellë ra mbi mue…

shinasi

Ju ftojmë të lexoni një buqetë poetike nga Shinasi A. Rama:

Heshtja e thellë ra mbi mue

Heshtja e thellë ra mbi mue, e pa pritun,
Ditën time vetmia ma mbështolli krejt,
Me sytë e mbyllur, si një gjarpën i uritun,
Përsillet me kufomën e qënies së pajetë.

Asgja njeriu s’i mbet vetmisë me e ruejtë.
Si gjarpni e din çka i vyen për mbijetim
Asgja njerëzore nuk i duhet as me vuejtë.
Për kujtimet, vetmia s’të shet mëshirim.

S’e prekin n’gjarp’nijsinë e saj vetminë,
Shkundja e flokëve n’kujtim, s’e prek aspak,
Gjallnia në sytë ma të bukur nuk e mbrrinë,
Në se ajo nuk e kthen gjithçka në farmak.

E në fund të fundit të kësaj ditë vetmie,
N’symbyllje, prapë unshëm nis m’u zvarritë,
Heshtja s’mbeti ma ajo çka mund t’ishte,
Sepse helmin për nesër e bani me këtë ditë.

Vetmia jeme erdhi me heshtje

Vetmia jeme erdhi, edhe pa emër, edhe e heshtun.
Asnjeri nuk e din si duhet me folë me dikë që s’asht.
Vetmia asht gjithçka mbeti, e dashtun, dhe e urrejtun,
Se s’ka as Askush që mundesh me e thirrë, me rast.
Nuk ka gërvima bravash e zhurma që lindin n’metale,
N’këtë qiell t’kthjellët ku shpendi endet me kureshtje
Pse s’gjen Askend kund, s’ka dyer, as adresë e dritare,
Por vetmia ka ardhë, e pa emër dhe me kaq heshtje.

Problemi im me mërzinë

Mërzia e ime zhytet fill në një gotë në banak.
Ajo dehet, para meje, e lumtun nis me vallzue,
Skuqun në verë, hije asht harrue nëpër gotë,
Më shpjegon se ka ra në dashni me dikë larg,
E kurrë, kurrë ma s’don me u kthye me mue!

Mërzitja asht mërzitë, s’ka asgja të re as sot,
Se unë jam i bezdisshëm e jam kaq monoton,
Dikur ik ku don si hije e mërzitun. Unë mbetem,
Se s’ka as mërzi që mërzinë time ma e duron.
Kur trokas, hap derën e m’thotë: “Pse m’le vetëm!

Në kërkim të vetvetes

Atë pikë dashnie për t’shkuemen
Që ka mbetë n’mue,
Kam me e frye sa të mundet
Me lundrue diku n’hapsinë,
E dikund në një pyll
Ku askush ma s’don me shkue,
Kam me e l’shue, e mbrapa saj,
Le të vijë kush le t’vijnë.

E n’mos u gjettë kush
Që për të shkuemen ka përmallim,
E n’mos dashtë kush
Me kujtue se vetvetja kush ka ken’,
E n’mos dashtë kush
Me shkëmbye dhimbje për mendim,
Le t’kërkojnë sa të duen,
Vetveten, e mue, aty nuk e gjen.

Unë dhe vdekja

Në atë moment erdhi, deliri,
Kur vendosa me vdekë si njiri.
Vdekja erdhi vetë, si pa vlerë,
Dashamirëse, dhe si asnjëherë,
Më pyeti: “A je mendue mirë?”
“Ke me ardhë, kohën kur ta keshë,”
Thashë i druajtun e duke u qeshë:
“Se, për ty, jam gjithmonë i lirë.”

Këtu nuk kthehesh ma

Ti që je largue, këtu nuk kthehesh ma.
Nuk kthehet ma trajta e dunave të ranës,
Që përvijohen në shkretinën e pamatë.
S’bahet ma njilloj ajri që preket n’flatra,
N’shtegun e kthjellët t’zogut në fluturim.
As rr’shqitja e shiut n’nji fije bari të thatë,
Që përfundon pellgut tuj shpla nji stërvinë.
E prapë, prapë diçka tanden ka te nji fmi,
Gjithçka për ate, asht e re, e asht nji fillim.
Se jeta, si jeta, përherë nis me ata që s’dinë,
E ndoshta disi, diqysh n’pavetëdijen e tij,
Ka me u shue si ti, pa e ditë çka asht jetë,
E ndoshta ai shteg asht jeta jote e vërtetë.

Heshtja e hanës

Hana asht e ndryme nën hallet e veta,
për ne, kurrë, kurrë s’e tha nji fjalë,
me na tregue çka asht vdekja e jeta.
Edhe n’e pastë thanë a pëshpëritë,
Askush nuk e ka ndie, nuk asht ndalë,
Me na e përsëritë. Askush s’e ka ditë.
Hana ka mësue kaq mirë me heshtë.
Aq mirë, sa edhe me dashtë me folë,
Asnji fjalë s’ka me i dalë si dona ne.
Hana për ne asht koha ma e thjeshtë.
Ajo asht veç nata, ditën s’e vemë re,
Edhe kur mshehet e s’don me na prekë
Edhe kur ndoshta s’e fshik dielli e vuen,
Na ndiejmë veç njerëzit, s’na tërhjekë.

S’kam as nji kujtim me nda

S’kam as nji kujtim me nda,
S’kam askurgja.
Tanë çka kam dashtë,
S’më mbajnë mend ma.
Sot jam nisë pa droje,
Me vdekë për jetë të re,
Me kenë njeri, shndrrue,
Si fije bari në lëndinë,
Që shpendi e mbledh,
Kashtë me e thurë n’fole,
Me këndue ndryshe,
Me fjalë t’hedhuna n’mur,
Me jetën e vjetër, tha,
E thërmue si rozëmarinë,
Me gjysëm t’çmueshëm kujtime,
Të ngrime gur,
Ngjyrimet e kohës s’shkueme,
M’i endë n’mozaikë,
Atë jetën që s’e kam pasë,
E kohën që m’ka ikë,
Kujtimet që janë aty, me ata,
Me i nda, e pa pra,
T’tjerët kanë me ndie shumëçka,
E pa kuptue kurrgja.

Pranvera jeme nuk din se si me ardhë

Pranvera jeme nuk din se si me ardhë.
Ajo, andrra e tretun, asht ndry në nji zyrë.
Flet, shkruen emaila pa fund e zbardhë,
Shkrime pa vlerë, e prapë s’gjen mënyrë,
Me ikë prej meje, e prej vetes së vet.

Pranvera jeme nuk din se si me ardhë.
Ikë prej pllakave akull, në baret e ngrime,
Ikë prej fytyrave që t’vejne në siklet,
Veç ikë prej gjithkujt në këtë kryeqytet,
Të mbushun me sy e me jetë të pangime.

Pranvera jeme nuk din se si me ardhë.
Thjesht, ajo s’din se ku duhet me mbrri.
Në zhugatjen e femnave t’etuna e ndjen
Veten t’përdorun, e s’guxon me u shti,
Prandaj jam kaq vetëm, e te unë nuk vjen.

Ikja

Rrugës në kthim kur na mbuloi tymi i dendur,
U shndrruam, si në bletë që s’dinë se ku janë,
E kanë humbë rendin dhe rrinë duke u endur,
Si mendimet e dikujt që s’ka çka me t’thanë.

U bamë përçartje, u kthyem n’grimca kuptimi,
Një mozaik, e simbolet nuk të thonë ma, asgja.
Tymnaja që na mbështolli, dhe me të ngulcimi,
Ishte shpat i malit që shpirt jepte, pa l’shue za.

Si bletë që s’kanë domethanie tash t’ikim diku,
T’shkojmë ku tymi, përçartja, s’ka me na mbrri.
Se vjen shtërngata, kthjell ajrin dikur edhe k’tu,
Ndoshta e fshin ndyt’sinë, që shkon n’det me hi.

Dialektika e të kundërtave

Kushedi se çfarë fuqie ia ka dhanë vetes ai lumë,
Kushedi se me çfarë urrejtjeje e ka shtye deri këtu,
Kushedi se me çfarë pezmi e ka shkulë prej gjoksit,
Këtë shkamb, që tash ka mbetë vetëm i kërrusun,
Rrethue me baltë si shpina e një ujku gri n’gjumë.

Kushedi sa me durim me u kthye asht tuj e pritë,
Kushedi me sa dhunë ia thyen rrëmbyeshmërinë,
Kushedi me sa krenarie e ndan dysh kur se pret,
Lumit që vjen prej maleve, e tash është i thamë,
Gjarpën i untë që lyp diell në dimën me u rrezitë.

Hija e bukur të ka ra

Hija e bukur të ka ra.

Përhedhja,
Flokët që shkunden,
Gishtat që zgjaten,
Më mbrritë të pamundshmen,
Se hija e bukur të ka ra.

Veç sytë në të nuk janë.
Kurrë nuk e shohin.
Nuk iu mbrrin drita në thellësi,
Ngrin kur ndesh me aq ftohtësi,
E hija s’don,
Me u mpi vuejtje.

Hija e bukur të ka ra.
Hija trajtë që sy s’gjen.
E pa sytë,
Nuk i duhet kujt gja

ObserverKult

Lexo edhe:


CIKËL ME POEZI NGA MARAM AL MASRI: BURRAT QË S’MË DESHËN