Sonetet e dashurisë së Eqrem Çabej për të shoqen Shyhretin

eqrem Çabej spiuni

Vargjet e profesor Eqrem Çabej për të shoqen Shyhretin. Një histori dashurie që nisi kur gjuhëtari i kishte kaluar të 40-at, ndërsa ajo vetëm 28 vjeçe, në pranverë të vitit 1949.

Kur do të shihemi, lus të bjerë shi / Pikë pas pike gjithë kësaj nate / Që kur të dalim bashkë un’ e ti / Mbi pllaja kodra dielli ka ratë …”.

 Eqrem Çabej do t’i shkruante këto vargje në vitin 1951, nën padurimin e bukur që i sillte takimi me vajzën 28-vjeçare Shyhret. Mënyra sesi ajo fliste, dashuria e përbashkët për librat dhe gjithçka tjetër në ato biseda të shkurtra, ia shtonin padurimin për ta parë sërish.

Në mbrëmjet që i kalonte i vetëm, ai hidhte në fletore vargje për të, vargje që një ditë do t’i radhiste në një fletore për t’ia dhuruar.

Ishte 1 janari i vitit 1951, kur Eqremi 42-vjeçar i dhuron Shyhretit një fletore me tetëmbëdhjetë sonete shkruar për të. Ishin njohur rreth dy vjet më parë, në pranverë 1949, kur ajo sapo ishte liruar nga burgu politik dhe punonte në Bibliotekë Kombëtare. 
Kjo fletore do të ruhej me kujdes për vite me radhë nga gruaja, si shenjë e artë e kohëve të dashurisë.

Do të ishte e bija e çiftit, Brikena, e cila do t’i zbulonte këto sonete aty nga mesi i viteve ‘70, në fund të dollapit të tyre, duke rrëmuar me kureshti, si bëjnë shumë bij tek rreken të zbulojnë fshehtësira nga e shkuara prindërore, të kohëve kur vetë ende nuk qenë.

“Nga skaji më i errët i do­llapit dora më nxjerr një fletore të kaltër, me shkrimin e pangatë­rrueshëm të Eqremit! Fletorja e vjetër, e kaltër, përmbante vjersha dashurie! E pabesueshme! Natyrisht kisha zbuluar shumë më tepër sesa shpresoja të gjeja! E nxjerr në dritë, e shfletoj dhe me paturpësinë e bijve ndaj prindit, me t’u kthyer Shyhreti nga biblioteka ku kishte rifilluar punë pas vitit të gjëmshëm 1970, ia tund përpara: ‘Po kjo, ç’është?’

E alarmuar dhe e çuditur që e kisha gjetur, sepse ishte e bindur që e kishte fshehur fort mirë, Shyhreti më kërkoi prerë ta ktheja sërish fletoren në vend të vet e kurrsesi mos ta merr­te vesh Eqremi që e kisha parë. Pikërisht për këtë arsye, që ‘mos ta shihte fëmija’, për vite me radhë Eqremi e kishte hequr nga shtëpia atë fletore: Ia kishte dhënë ta ruante mikut të tij, Odhise Paskali, i cili e kishte mbajtur nja njëzet vjet dhe ia kishte kthyer vetëm pak kohë më parë. Pa mundur as ta lexoja mirë, fletorja e ndaluar hyri sërish në skutat e errëta nga kish dalë.

“Kurrë nuk e zura ngoje ekzistencën e saj me Eqremin”, rrëfen Brikena. Kur Çabej do të ndahej përgjithmonë nga kjo jetë, me trishtimin e një ikjeje që dhemb, ajo do të ndalej gjatë në bibliotekë për të lexuar gjithçka të mbetur prej tij. Ndalesa në gjërat që i kujtonin atë, ishte një ngushëllim i lehtë, si një takim përmes rreshtash.

“Me ikjen e tij nga kjo botë, më 13 gusht 1980, nevoja jetike për të forcuar lidhjen e këputur aq herët me të, më shtyu t’i lexoj e rilexoj pa fund këto sonete. Shyhreti nuk më ndaloi më, por më tha, veç, se qysh në krye të herës kishin vendosur të dy që ato sonete të mos dilnin në gjallje të tyre.

“Një ditë kur të mos jemi ne mundet edhe botohen”, i pat thënë Eqremi”, kujton Brikena. Duket që këto sonete ishin të shenjta për Shyhretin, e cila gjithnjë kujdesej për t’i ruajtur fort. Ajo do t’i merrte me vete dhe në Paris tek e bija, e cila nga frika e bjerrjes do t’i hidhte në kompjuter.

“Shyhreti i kishte sjellë me vete në Paris, bashkë me dorëshkrimin e dy soneteve aq të rralla e të shtrenjta që Eqremi kishte shkruar për Artanin pas vitit 1970, kur Artani vendosi të ikte prej nesh e të nisej drejt qiejsh të tjerë, shpresoj më të kthjellët. I kisha bërë madje dhe gati për shtyp sonetet, e me kalimin e kohës, sidomos këto vjetët e fundit të ‘pleqërisë së thellë’, si thoshte ajo vetë, kisha edhe lejen e Shyhretit për t’i botuar. Mirëpo një frikë besëtyte më ndalonte ta bëja këtë: kisha një si bindje se po t’i botoja, do të më ikte dhe ajo …”, shkruan Brikena.

Poezia ka qenë gjuha e dashurisë mes Eqrem Çabejit dhe të shoqes. Ato vargje që ai i shkroi me pasionin e një të dashuruari, ishin orët më të bukura ku Shyhreti ndalonte shpesh.

“Shyhreti qysh shumë e re e kishte lexuar me pasion poezinë, sidomos poezinë frënge dhe dinte përmendësh perla të saj. Them se dashuria e përbashkët për poe­zinë ka qenë nxitja që Eqremi t’i shkruante e t’i blatonte Shyhretit këto sonete. Shpesh në bisedat e tyre në shtëpi citoheshin vargje poetike, krejt natyrshëm, sidomos të poezisë frënge, si referenca të sublimes në jetë, të fjalës së naltë, fisnike, që e ngre shpirtin njerëzor në maja që s’kapen dot pa magjinë e saj. Poezia besoj u fali atyre atë lidhje të rrallë, unike, atë dashuri e respekt të pashoq e të pabesueshëm që kishin për njëri-tjetrin.

“30 vjet me Eqremin si 30 ditë”, përsëriste Shyhreti thuajse përditë pas ikjes së tij”, shkruan Brikena.

Poezia do të ishte me ta deri në vdekje. “Fjalët e mbrame të Eqremit në këtë jetë, drejtuar Shyhretit në spitalin e Romës – vetëm të dy, ai dergjur në shtrat të vdekjes, pak minuta para se të jepte shpirt, ajo te kryet e tij, krejt vetëm, e paepur: Si ka thënë ai poeti, Shyhret: ‘Tout lasse, tout casse, tout passe’.

Mundet vërtet gjithçka ikën e shkon kësaj bote, poezia nuk tretet kurrë”, kujton Brikena. Sonetet e prindërve ajo do t’i sillte në një libër, në përvjetorin e parë të ikjes nga jeta të nënës.

Një fat na lidhi, nja fat na la

I

O ju, si flutra, që ju muar era
E ju përhapi tej-këtej te jeta.
Ju q’afruam bashkë dje pameta
U ftohmë a u ndamë për ngahera:
Në qe se ju gënjeva me të tjera,
U diç kërkova edhe dot s’e gjeta:
Na jemi byk që hedh veriu përpjeta,
Grurët e muar era edhe vera.
N’ato të njoma zëmra t’uaj ka
Nga një si dregëz nga një koh’e parë,
Thomse nga ditët q’ ishin ditët t’ona,
Atyre ditet u kaloi jehona,
Po te kjo zemër mbetet e pavdarë
Fytyra juaj siç pikoi e ra.

23.-24.V. 1949.

II

U jam ai lis i lashtë degëtharë,
Që fryn veriu e flett i hedh përdhé:
E blera urdhe degënjoma je
Që m’i pështille trungut e pandarë.
U jam ai qiparisi i kohës parë,
Ti je e bardha, je erdhi e re,
Me gjeth të plotë që më vesh me hije,
Me lëng të dlirë posi lot i qarë.
O urdh’e njomë, o erdhi e bardhë,
Pështillmu rreth e rreth me degët tote
Të ndihem një me ty e ti me mua.
Mos të më thajë më thëllim a mardhë,
Të ndjej se jeta edhe nuk m’u shua:
Po m’u përhap si ëndërr magjiplote.

VI.1949.

IV

Sa herë shihemi, jemi si ai
Që shuan etin te i ftohti krua.
Largët kur jemi, malli na u shtua,
Si udhëtarit q’ecën në shkreti.
Kur jemi bashkë vetëm un’ e ti,
Shpirti na hapet, ti je një me mua.
Në syrin tënd rri ëndrra që u dua,
Vera e rëndë që më deh kur pi.
Në gardhin tënd të artin ke rrethuar
Një shpirt që malli nuk e lë të qetë,
Mermeri q’është derdhur n’ato duar.
Zgjidh edhe merr: ose një mall të letë,
Ose një fat, që ka për të na ndruar
Jetën në ëndër, ëndrën në jetë.

Viti 1949.

V

Kur ne u pamë te ajo nat’e re
Një vesë maji kishte zbutur dhenë.
Vetëm veruam e gëzuam denë.
Tani erdh vjeshta – imja nuk më je.
Nuk je më imja mbi të rëndin dhé
Po ndahen rrugët, bashkë më nuk venë.
Ti të marrsh tënden, u do të rrah dhenë:
Po ku të jem, si zogu pa fole?
Në ditt e mia vjeshta që po u bie
Te fund’i but’i asaj zëmrës sate
Folé të ngrohët thashë se më gjeta.
Ajo u prish, u tret posi një hie.
Endër’e jetës shkoi si vesë nate.
Tani po shoh se vetëm jam te jeta.

20.-29. IX. 1949.

VI

Kur shkon sokakut si një sut’e vratë,
Me sy përdhé e me të rëndë hie,
Ndihem gjahtar që me shigjetë bie,
Zëmra më mblidhet dhëmbjes në gujatë.
Pa rri mendonem tek e rënda natë:
Si do të shkosh ti jetë vetëmie?
Më ç’lis do mbahesh, degëzë erdhie?
Do mund të ecësh kësaj rrugës gjatë?
Tani që ëndrra e një jete ra,
Na ra përdhé gjith’ajo hie e parë:
Të qënët bashkë, një e të pandarë;
Ditët e bardha edhe nett e arta,
Kodra jonë me selvi të larta.
Një fat na lidhi e nja fat na la.

X.1949.

VII

Tani q’erdh vjeshta, kodra ç’do të thotë
Që ne nuk vemi si dikur te vera?
Selvit’e gjata presin më të kotë;
Shi vjeshte bie, atje lart fryn era.
Në zall të detit ku kaluam motë
Ditët e gushtit kur na ndritte hera,
Atje jo ne më, po të tjerë botë
Do presin mbrëmjen plot me gaz nga tera.
(Kur të kalosh nëpër të tjera dete
Për dhé të huaj, e me vjet e vjete
Të jemi larg e gjer në fund të ndarë,
Mos të të dhimbset ai mot’i parë,
As dheu Arbrit me selvi të gjata,
As zall i detit ku na ndritte nata.)

10.-21. X. 1949

VIII

Kur u të bie në të rëndin dhé,
Në dhé të rëndë të humbas për jetë,
Mos të më ndjekësh, po me hap të letë
Të ecësh jetës, si m’e re që je.
Pastaj një mall do të na marrë ne,
Do zbreç njëherë n’atë zall të shkretë.
Te nat’e madhe do të dergjesh qetë,
Me gaz të vjetër, me hidhi të re.
O gjum’i rëndë! O i djegur lot!
Sa qemë gjallë s’u bashkuam dot:
Kur jemi bashkë jetë më nuk ka!
Prej meje del një qiparis i lartë,
Prej teje del erdhi me rrush të artë;
Në mes një drizë – bashkë nuk na la!

XI.1949.

IX

Ti je sirena: Me vështrim magjie
Nga larg më ndjell me mall ndaj vetes sote,
Me krip pas erës derdhurë, hirplote,
Gushën mermer, e me të lartë hie.
U jam detar’i regjur mbi anie
Që vetëm rraha valën disa mote.
Tani me mall’i bukurive tote
Më tej në dete s’dua më të bie.
Kur të vështroj, u shoh të tjera dete,
Ditë të bardha, plot me ar qytete,
Jetë pa fund si në një ëndër parë.
Një turbullirë kam në shpirt përhera
Si zmolet vala kur e tundën era:
Dua të reshtem, po nuk kam të ndarë.

XI.-XII. 1949.

X

Ti që më mbushe ditt e nett e mi
Me erë deti si që fryn në verë,
Me gaz të thellë, me hidhi të derë:
Me sy të mbyllur ti më the: Më pi!
U do t’të pi: Me verën tënde plot
U kupën t’ime do t’a mbloj njëherë
Pastaj e kthej të dehem kësaj verë,
Teje të dehem mos të pi më dot.
Një val’e ngrohët më përshkon ahere,
Posi detarin, kur pasdreke vere
Prehet në diell qetas mbi anie.
Dhe fryma jote rrjedh ngadal në mua,
Sa ndjej se jetës tjetër gjë s’i dua:
Të shkoj symbyllur e në dhé të bie.

1.-15. I. 1950

XI

Kur ti në verë anës detit rri
Dhe sheh si mugu ulet mengadalë,
Dhe qetas deti hapet valë-valë
E drita tretet në të natës gji:
Një mall i dhëmbur që ti s’di sesi
Të merr ahere për diçka që s’pate;
Dhe do të dalësh jashtë prej gujate,
Larg! e të bëhesh një me gjithësi.
(Krahët e tua hapen mengadale
Përtej mbi kodra, përmbi det e male,
Duke kërkuar pëndët përmbi dhé.
Pastaj, si shtrohet gjithë dheu në natë,
I lodhët shpirti e me krahë ratë
Nga ku qe nisur kthehet në folé.)

III.1950.

ObserverKult

Kliko edhe:

EQREM ÇABEJ: ÇFARË ËSHTË GJUHA?