Cikël poetik nga Vjollcë Berisha: Lermë të të dashuroj si dua…

i dashur Shqipja në Maqedoni është vetëm gjuhë e përkthyer.

LERMË TË TË DASHUROJ

Lermë të të dashuroj si dua
Si mundem
Me të tëra çezmat e ndjenjës shpërthyer

Rubinetat më micërojnë
Lumenjtë e rrëmbyshëm janë arti im
Ndenja ime e pafre

Lermë të të dashuroj si dua
Me tërë këngët e dhimbjes që di
Filozofët më grijnë me briskun e tyre
Unë rapsodin vetmitar ëndërroj

Të shoh si rri kruspull në një bucë dheu
Ke frikë të përfshihesh nga flakët që lëshoj
Ke fshehur sytë, duart, zemrën
dhe beson që je avulluar
si ai fëmija që është i sigurt se po zhduket tek i mbyll sytë.

Mua më gëlltit zjarri
Më bien trarët një nga një
Më shkrumbohen dëshirat mu në hundë
Nga brinjët buçet ulurima:
Lermë të dua

Lermë të të dua si mundem
si di.
Me dashuritë e të gjitha grave bashkë
Që s’guxuan të të duan
Me ëndrrën miturake të vogëlushes që
U drodh nga frika mos po ia zbulon praninë.

Lermë të të dua me rrëmbimin e lumit që ngutet ta prekë vdekjen
Me honin e atij që sapo ka lënë një qytet
Me prekjen e butë siç prekim një kone
Me çmendurinë e atij që hidhet nga kati i shtatë
Me mallëngjimin e atij që kthehet…

Lermë të të dua e të besoj se ishe këtu rrotull
Teksa po flija gjumë
Lermë të të marr e të të shpie në vise ku s’ke qenë
Ku këmbë e burrit s’ka shkelur ende
Jo se duhej flatra për të vajtur
po pse s’patën fuqi të dashurojnë tepër
e s’na lanë t’i duam as ne.

Lermë të të dashuroj si dua.

AJO KISHTE MËSUAR TË ËNDËRRONTE…

Asokohe ajo kishte mësuar vetëm të ëndërronte.
mëshira e tij prej burri e mbështillte
si ambalazh i metaltë
dhe s’e prekte se mos e zgjonte.

Ajo kishte mësuar të ëndërronte në këmbë.
(atij se ç’i kujtonte fjala këmbë!)

Dikush si në një valixhe udhëtimi
kishte shkruar sipër saj “Gjëra të thyeshme!!!”
dhe ai e kishte kaq kujdes.

Asokohe ajo qe e vogël
dhe djalli s’e kishte dashnore.

Atij i shkrepte ta puthte… ta puthte…
e ajo zgjohej përbrenda
dhe rritej ngapak në çdo prekje
E kishte kujdes, e mbante ngrohtë.

Sa e urren sot trurin që e thithi të tërën
Sa i vjen keq që e humbi mes mendimesh të brishta,
Sa i vjen plasje që ajo u rrit.

DRIZË

Nuk thoshte asnjë fjalë
se gjuha kishte mëkatet e veta të shumëfishta.
Netëve dëgjoja fëshfërimën që lëshonin lëkurat e ngjitura
dhe lutjet e tij për mua.

Edhe sot, tek shkruaj
e vetmuar në kthinën time,
ndjej si rrëshqas në po atë borë
që e shkelëm të dy asaj stine,
si vrapoj prapë në flladin e lagjes së evgjitëve
ku më shpinte mbrëmjeve e ne merrnim thua
në mbetjet e haresë që patën ata,
në mbetjen e endacakërisë që vinte nga
të vdekurit e tyre të largët…

Edhe sot e mërmëris të njëjtën vjershë,
e ritregoj të njëjtin rrëfim të Bulgakovit,
u vë po ata emra frutash kafeneve,
po ato karikatura vajzave që i xhelozoj për vdekje…

(Dëgjoj tek lutet ai heshtazi për mua…)

Prapë më bien ndërmend ëndrrat që i kisha lidhur tok
si letra të vjetra
dhe s’më tremb asnjë ferr.

T’I BIEM NE FUND KËSAJ RRUGE

Jemi dy gazeta
Mbledhur shuk
Në plagën e mbrëmjes.

Zilkat kanë rënë.
T’i biem në fund kësaj rruge
Sa kemi frymë

Qershi të ëmbla të varim në veshë,
Sy e flokë,
Perëndime të arta të këpusim e në shportë t’i vëmë,
Gjysmëzgjuar të flemë sa për të thënë që fjetëm
Për inat të mullarëve të vetmisë

Gjysmëzgjuar, pa e humbur plotësisht këtë ditë
Ti fishkëlle atë këngë me selvi e myreqep,
Unë do mbaj ritmin kallur ninëzave tua

Lotët s’kanë si vijnë e shuajnë
Zjarrin që ua vëmë mullarëve të vetmisë.

ObserverKult