Gjuhët e vogla, si shqipja, kanë nevojë jetësore për përkthime e përkthyes të denjë. Librat e shkrimtarëve tanë edhe po patën fatin që të shiten në të gjitha kopjet e botuara, prapë i drejtohen një tregu aq të vogël, vetëm atij shqipfolës.
Prandaj gjithnjë një rol të pazëvendësueshëm në leximin përtej kufijve tanë gjeografik, luajnë përkthyesit. Dhe anasjelltas, gjithë ato vepra letrare anembanë botës përveç nga përkthyes të mirë, mëkat t’i serviren lexuesve tanë dosido.
Këtë temë e ka trajtuar që moti Arshi Pipa. ObserverKult ju sjell një fragment të shkëputur nga eseja e tij: “Mbi përkëthimet” .
Nga: Arshi Pipa
Çka duhet me përkëthye? Qe nji temë mjaft e rrahun kto kohët e fundit ndër gazeta e ndër rivista. Temë gjithmonë aktuale, për né fort e randsishme.
Të gjithë e dijmë sa e vorfën asht letërsija e jonë. Na mungojnë kryeveprat qi të na trajtojnë. E vorfën poezija e jonë, ma e vorfën proza: i palindun romani, foshnje drami. Ku me i marrë shembujt? Nuk ka tjetër zgjidhje: ndër letërsite e hueja.
Përkëthimet, sigurisht, nuk bajnë pjesë në trup të letërsís së nji kombi. Ato mbesin përjashta, në periferí, përgatisin, ndihmojnë, nuk zanë vend përgjithmonë: janë të përkohshme, janë “‘zevendse” në kuptimin e zakonshëm të fjalës. Natyrisht ka edhe përjashtime. Disa përkëthime mund të hyjnë aq thellë në mishin e gjallë të letërsís origjinale sa me u-shartue me tê dhe mos me luejtë ma.
Nji shembull e kemi edhe ne letërsín tonë. “Rubaitë e Kajamit” janë tashma nji vepër thuejse shqiptare nëpërmjet përkëthimit magjistral të Nolit, kaq thellë kan hy në popull, kaq bukur janë përshtatë në natyrën e gjuhës shqipe.
“Rubaitë e Nolit” (me të drejtë mund t’i quejmë me kët emën) kan hy përgjithmonë në trupin e letërsís sonë: përkëthimet tjera të Nolit, ato, nga Shakespeare e nga Ibsen, kan me vijue të ribotohen edhe për nja disa dhetvjeta, sa të pasunohemi pak me vepra origjinale dramatike. Por “Rubaitë” kan me u-ribotue vazhdimisht gjatë kohës, athere kur shoqet e tyne kan me u-harrue herët a vonë.
Përkëthimet mund të krahasohen me ata elementa teknike t’artevet plastike prej të cilavet përftohen veprat origjinale. Do t’ishte pak me i krahazue me sqelet e arhitekturavet, pa të cilat nuk ka si ndërtohet monumenti, dhe të cilat rrëzohen e humbin porsa ky të mbarohet. Do t’ishte tepër me i krahazue me modelin e gjallë të nji trupi njerzuer prej kah skulptori nxjerr veprën e tij.
Vendi i tyne asht në mes të ktyne dy anëvet dhe luhatë simbas rasës. Ndoshta, për nji letërsí ende foshnjore, mund të jetë i përshtatshëm krahazimi i përkëthimevet me piedestalin e nji shtatoreje.
Nuk po ndalemi shum mbi pyetjen e parë: çka duhet me përkëthye. Të gjithë e dijmë se çka: vepra themelore, vepra të shëndosha, vepra edukative në thelb e në veshë, në landë e në stil. Filosofi, art, shkencë: të gjitha kan vendin e tyne, të gjitha janë për t’u-dishrue. A asht nevoja të kujtojmë se jemi të vorfën ndër të gjitha, kryekput ndër të gjitha?
Nuk kemi ende tekstet e nevojshme për mësime ndër shkolla. Na mungojne tekstet e shkencavet, nuk kemi nji historí filosofije të përshtatshme; historija e artit, ndër shkolla të mesme, zen gjithsejt dhetë flete të shkrueme me dorë. Dhe nuk kemi – e metë me të vërtetë e randë – ende tekste të dêja të letërsís sonë. Nuk asht turp me përkëthye kur nuk jemi vetë të zotët me i plotsue kto të zbrazta. Thomi ma tepër: ma mirë me përkëthye ndonji vepër te vlefshme se me bâ, pa kompetencë, nji libër origjinal, për tekste shkollash, punë qi ka ngjá shpesh nder né.
Ndër veprat letrare qi duhen përkëthye, brî kryevepravet të prozës (sidomos prozës) botnore, romane a drama, nji vend i randsishëm i duhet ruejtë edhe vepravet të fqinjvet ballkanas. Nuk duhet të harrojmë se jemi nji popull ballkanas e se ma parë se botën e jashtme të largët, duhet te njofim fqinjt tanë.
Kështu tue njoftë ata, njofim ma mirë edhe vehten; peshojmë, masim ma mirë fuqitë e mundsitë tona. Eksperienca kulturore e popujvet ballkanas duhet te na jetë gjithmone para syshë, si mësim i vijueshëm. Do të shofim në kët mënyrë frytet e punës së tyne dhe do të ndjekim të njajtat udhë, kur përfundimet janë të mira dhe kur ato udhë na përshtaten.
Thojshim ma nalt se përkëthime të mira janë ato qi i përshtaten natyrës së gjuhës në të cilën përkëthehen. Prekim kështu nji nga problemat kryesore te përkethimevet qi asht problemi i parë i çdo shkrimi: problemi i gjuhës.
Gjuha asht mjeti i shprehjes. Po të mos jetë mjeti i përsosun, asht e dijtun, vepra nuk si del e mirë. Qysh mund të dali e bukur nji shtatore kur dalta asht e paprehun? Si mund të pikturohet me nji brushë të metë? Problemi gjuhsuer asht nji nga ma të ngutshmit qi duhet zgjidhe. Kishte me u-dashtë pra qi ata njerëz o institute qi punojnë në kët drejtim, t’a shpejtojnë sa ma tepër ritmin e punës.
Sa ma shumë kohë kalohet aq ma shum dam kemi: babilonija e shkrimit të shqipes vjen tue u-rritë ditë për dite. Na mungon terminologjia filosofike-shkencore. Qe nji punë qi nji institut gjuhësije ka kompetencë t’a bajë. Ma e ndërlikueme asht çashtja e gjuhës letrare. Gjuha letrare krijohet prej poetit, jo prej linguistit. Por ndihma e ktij nuk asht e paktë.
Problemi qi na ep kujdes nuk asht: çka duhet me përkëthye, se sa: si duhet me përkëthye.
Ma parë si, mandej çka. Nga trajta te landa. Nga stili te vepra. “Le style c’est l’homme”, ka thanë Buffon-i, në nji të vërtetë të madhe. “Le style c’est la chose” “, mund të shtohet. Kjo rrugë, qi asht rruga e përjetëshme e artit, asht njikohsisht nji nga parimet e mëdhaja t’edukatës klasike. Trajta asht ajo qi i ep natyrën e caktueme landës. Pa trajtë landa nuk ka kuptim. Disa herë, njimend, mund të jetë rrezik me i zbatue landës ma tê dobtë trajtën ma tê përsosun, për hatër të trajtës me harrue mbrendín. Por kto janë anomali te ezibicionizmit t’artit të smuet: arti klasik, në përpjekje me jetën, nuk ban zakonisht kso gabimesh.
Asht e natyrshme: aj i cili ka kujdes aq fort për stilin e veprës, do të ketë po aq kujdes për me zgjedhë landën në të cilën do të punohet ky stil. Esigenca e stilit sjell esigencën e landës. Kush asht shkrimtari, me nji sens arti shum të hollë, qi vêhet me trajtue nji argument qi nuk ka vlerë? Pra na thomi: të zhvillojmë ma parë sensin e artit, të farkojmë shpirtin kritik të shkrimtarit.
T’a lamë mandej të lirë në zgjedhjen e udhës së vet. Të jemi të sigurtë se çdo gjà qi do të kapi me dorë do të dali e përsosun. Nuk do të ndalemi këtu për me tregue mënyrën si duhet përkëthye. Asht kjo nji çashtje qi do t’a zhvillojmë ma gjatë nji herë tjetër. Përkëthimet në prozë lypin teknikë të veçantë, e ato në poezí nji teknikë prap të veçantë. Parimi: me përkthye në natyrë të gjuhës në të cilën përkëthehet, vlen si kriter drejtues.
Por nuk mjafton. Kur hyjmë në veprën dalin njimij vështirsina e pengesa. Teknika e përkëthimit asht mjeshtrija me i u-shmangë këtyne. Dikush e zotnon kët teknikë vetvetiu, gati instinktivisht.
Nji poet i mirë nuk mund të bajë përkëthime të këqija; sensi i artit e udhëheq atê kah gjetja e shprehjes sê përshtatun. Poetvet të tillë asht kot me u-folë pra mbi teknikë: gjithsecili e ka at të veten deri sa asht poet. Por fatkeqsisht jo të gjithë ata qi përkethejne janë poetë: ma shpesh ndodhë e kundërta. Dhe prandej nevojitet nji farë mësimi rreth mënyrës së përkëthimevet.
Jemi me ata qi cmojnë përkëthimet pa i sipërvlerësue. Qindrojmë te krahazimi i dhanun ma nalt. Nji vepër e mirë origjinale vlen dyzina përkëthimesh sado të mira. Por thomi edhe këtê: nji vepër origjinale e dobtë nuk e vlen kurr nji nga përkëthimet e tilla. Për vehten tonë, përkëthimevet do t’u kushtojme nji pjesë jo nga ma tê voglat prej mundit tyne.
Dishrojmë sidomos t’u afrohemi vepravet klasike. Janë ato qi nuk kan kurr mort, gjithmonë tê reja e të freskta. Janë veprat “ndërtuese”, janë themeli i çdo kulture së shëndoshë. Ndoshta romantizmi, simbolizmi e rrymat e reja moderne kan thanë gjana ma të fuqishme, kan diktue skuta ma të thella, kan zhvillue ndishmënín njerzore në gjanësí e në thellësí.
Por klasicizmi ka thanë gjithmonë gjanat ma të drejta. Shëndet e paqë buron nga poezija klasike, gazmend ma shum se idhnim. Edhe jeta ka kto atributa. Në kaosin ma të tmershëm të ndjenjavet njerzore Sofokli qindron gjithnji i natyrshëm. Poezija klasike nuk ka gabue kurr udhë pse i ka qindrue besnike natyrës.
*(Marrë nga Revista e përmuajshme “Kritika”, Nr.2, Prill 1944, nga rubrika “Panoramë kritike -Bisedime letrare”).
*Titulli i origjinalit: “Mbi përkëthimet”
Lexo edhe:
FOTO: ELBASAN 1920: PRINDËRIT ECIN 3 DITË PËR TA SHPËTUAR FËMIJËN E SËMURË
ObserverKult