“I kam njohur të katër martirët”, shkruan gazetari Namik Mehmeti duke na sjellë një përshkrim të ngjarjeve të prillit 1991, kur në Shkodër më datë 2, u vranë 4 të rinj. Me njërin prej tyre, Namik Mehmeti ishte takuar mbrëmjen e 1 prillit. Gazetari shkodran ndan historinë prekëse dhe përshëndetjen emblemë të Besnik Cekës një natë para vrasjes
Nga Namik Mehmeti
2 prilli i 1991-shit për të gjithë shkodranët e demokratët shqiptarë është i pashlyer nga kujtesa, edhe pse kanë kaluar plot 30 vite. Ajo çka ndodhi në atë ditë të bukur pranverore, ishte akti makabër i një diktature të egër që Ramiz Alia po e ekzekutonte në emër të një ministri të brendshëm, që për ironi të fatit, në pluralizëm u bë Kryetar i parlamentit shqiptar, Gramoz Ruçi!
I kam njohur të katër Martirët e Demokracisë, Arben Brocin, si lider i lëvizjes demokratike me Partinë Demokratike, Bujar Bishanakun familjarisht, Nazmi Kryeziun si atlet kampion për të cilin kisha shkruar në gazetën “Sporti” dhe me Besnik Cekën kisha njohje më të afërt, pasi ishte kushëri me nipat e mi, Avin e Artan Mehmeti.
Një ditë përpara, Besniku së bashku me kushërinjte e tij ishte nisur drejt Shëngjinit, për të marrë rrugën e emigracionit. Shqiptarët që kishin marrë me forcë një anije në këtë port, kuptohet më shumë shkodranë, e kishin detyruar ekupiazhin të drejtonte timonin drejt brigjeve të Italisë. Besniku ishte i fundit që do t’i ngjitej kësaj anijeje, pasi kishte prerë litarët e ankorimit të anijes për ta shkëputur atë nga moloja. Gjatë këtij veprimi mjeti prerës kishte goditur në njërën kofshë duke hapur një plagë të madhe. Për momentin duke qenë në brendësi të detit nuk kishte ndier shumë dhimbje, por më pas kur uji kish filluar të skuqej, ai i dëshpëruar i ishte drejtuar bregut. E kishin parë të gjithë ata ikanakë të cilët i kishte përshëndetur me lot në sy. Aty, në port, i kishin dhënë ndihmën e parë të ndalimit të hemoragjisë dhe pasi ishte ndier i forcuar, kishte marrë rrugën drejt Shkodrës. Ndalesën e parë do ta bënte tek tezja e tij, Lirija. Aty ndodhesha edhe unë me gruan time, pasi nga ajo shtëpi ishin larguar pesë djem të moshës 19-20 vjeçare dhe priteshin nga momenti në moment një telefonatë. Por të gjithë u befasuem kur në derë trokiti Besniku, i cili ishte mjaft i tërhequr në fytyrë nga plaga e shkaktuar. Tregoi gjthçka që kishte parë deri në momentin e nisjes së anijes pa treguar për plagën e hapur në kofshë.
Nga mesnata, ne u larguam për në shtëpi, ku bashkë me ne ishte edhe Besniku. Në një dritë elektrike na tregoi se çfarë i kishte ngjarë dhe ne u trishtuam duke i thënë që të shkonte në urgjencë për një mjekim më të sigurt.
Na foli me një urrejtje të madhe për diktaturën komuniste, edhe pse në fisin e tij kishte edhe anëtar të PPSH-së. Ndiqte çdo ditë demonstratat e studentëve të shkollave të mesme në Shkodër, që uleshin çdo ditë në sheshin para ish- K.Partisë. Na fliste për një shpresë të re që do sillte gjithë ky manifestim urrejtjeje ndaj diktaturës komuniste. Na përcolli deri te hyrja në shtëpi, duke na uruar natën e mirë dhe me fjalët:
“Nesër do të jem përsëri në shesh te studentët, aty me djemtë e nanave shkodrane. Dhe po ju tham me zemër të hapur edhe sikur të vritem për këtë Demokraci i kam ba hallall vitet e rinisë time”.
Dhe 2 prilli, si zakonisht filloi me ritualin e përditshëm të ngujimit të studentëve të “Jordan Misjes” dhe”28 Nëntorit” në sheshin para Komitetit të Partisë. Kishin dalë me dhjetëra e qindra qytetarë. Edhe Besnik Ceka kishte ikur nga ofiçina e automjeteve, ku punonte dhe pranë një kioske përballë ndërtesës famkeqe një plumb e kishte goditur mu në zemër duke i marrë jetën, pas vdekjes makabre të Arben Brocit e Bujar Bishanakut. Urgjencat kalonin për në Spitalin Civil dhe nga njerëzit që i shoqëronin, merrnim vesh se pas dy Martirëve të parë ishte vrarë edhe Besnik Ceka e më pas edhe Nazmi Kryeziu.
Janë bërë gjyqe, janë shkruar libra dhe thurrur vargje për këta katër Martirë të Demokracisë, por ajo që do t’i qetësonte zemrat e nënave, të vëllezërve e motrave të tyre do të ishte vënia e atyre që bënë këtë masakër, përpara një drejtësie të ndershme, që do të fillonte edhe njëherë nga ish-ministri i Brendshëm i atyre viteve.
Epopeja kundër diktaturës komuniste më 2 prill 1991, simbolika e saj sot në sheshin Demokracia duhet të jetë edhe sot frymëzim për shkodranët e gjithë shqiptarët, një memorie, për t’i ndalë revanshin e vendosjes një diktaturë të dytë, që po e ëndërrojnë trashëgimtarët e ish-bllokut komunist.
Firenze 2022
kujto.al
Lexo edhe: