Nga Ernest Koliqi
-Bota shqiptare ka ndrrue dhe vjen tue pësue ndrrime dita ditës.
E, kur thomi “bota shqiptare”, përfshijmë në kët shprehje mbarë gjinden qi flet shqip dhe ndjek frymën e traditave jetike arbnore: d.m.th. gjinden e gjakut t’onë mbrenda e jashtë kufijvet të shtetit shqiptar.
Bijt e Shqipnisë janë të përhapun në mbarë rrokullin toksore (“ gjaku inë i shprishur”) dhe të gjithë, me të rralla përjashtime, i ndiejnë të gjalla në zemër lidhjet me vendin ku lindën ata vetë ose prej kah i u erdhen të parët.
Këto lidhje -verigë e mrekullueshme qi shtrin hallkat e veta nëpër kontinente të planetit –mund të jenë vetëm landore ose vetëm shpirtnore, po edhe të përzieme. Arbreshët e Italisë, për shembull , e duen Shqipninë me nji ndiesi poetike të thjeshtë, në të cilën kujtimet e largta historike shkrihen në nji dritë andrre: n’at ndiesi nuk lëviz asnji lakmi landore dobije, veç dishiri bujare m’e pa vendin e zanafilles edhe fisin qi i u dhuroi gjakun e dejvet, të maltësuem sa ma tepër në shkallë qytetnije e lavdije. Na tjerët e duem Shqipninë shpirtnisht e njiherit landorisht sepse, mbrendë e jashtë, d.m.th, n’atdhe e në mërgim, dishrojmë t’a shofim të nderueme, po, por edhe të përparueme në mënyrë qi në truell të saj të mundemi me jetue sa ma të lum na vetë ose, s’paku, bijt tonë, po qe se na vetë , për nji arsye a për nji tjetër, mbesim e vdesim përjashta.
Ky dishir m’e pa vendin t’onë mirë të mbarështruem e të mataruem politikisht mbi baza drejtsije shoqnore, do të mbette ndiesi e thatë po nuk u shndërrue në shkas përpjekjeje e vrull veprimtarije qi shëndrron dishirin në realitet. Shpesh këtu, në kët rubrikë, e kemi çekë punën se si në mes nesh ka mjerisht shumë prej asijsh që ngatrrojnë në mende të tyne kuptimin e atdhedashunis me atë të patrjotizmit. Kujtojnë se për të qënë atdhetar duhen krye vepra të spikatuna tek s’ve: me vu kryet në rrezik për çashtje, m’u dallue nëpër veprime të jashtëzakonshme, me shkri pasunin e m’u dërrmue në flijime mbinjerzore. Po t’ishin krejt shqiptarët patriota në nji të tillë mënyrë e po t’ia ngrehshim nji përmendore (monument) çdo njanit prej këtyne patrjotave, do t’a shifshim vendin t’onë të populluem ma tepër prej shtatorevet (statues) mermeri se prej njerzvet mishi e gjaku…
Atdhetarija e rëndomtë, -pa shkëlqim e pa bujë, -asht ma frytdhanse shpesh se ajo që shënohet me shkronja ari ndër anale të lavdisë kombtare. Heroi me nji vepër, qi ngjatë nganjiherë vetëm nji çast , përjetëson veten. Atdhetari i rëndomtë, mbrenda mundsive të veta punon tanë jetën për çështje tue krye detyrët e përvujta pa dije të kuj e pa mtue (pretendue) njoftje e shpërblime; prandej duhet njehë shtyllë e kombësis. Cilët janë këto detyra? Janë një rrjesht bukur i madh, por na po rendojmë ato qi i sjellin shoqnis shqiptare ma shum dobi.
Natyrisht po lamë m’anesh cilsit morale të cilat lypen të jenë pajë e sejcilit njeri: këtu po rrjeshtojmë vetit qi kërkon nji bashkëjetese harmonioze shqiptare.
Skaji atdhedashuni ndryn në vetvete vështrimin qenësuer (essentiel). Niset drejt për s’drejti nga dashunija. Atdheu nuk përbahet nga bucat ase gurët e tokës, as nga landët e bimët, as nga malet e fushat por nga njerzija, nji gjaku i nji gjuhe dhe me të njëjtat doke, qi bashkëjeton në suazën e dheut të qujtun Shqipni. Sendet qi na rrethojnë n’atdhe marrin kuptim e veshen me bukuri sepse në to na shofim tue begue shkëndijat e ndiesive të gjindes arbnore. Ato janë dëshmitare të heshtuna të kalimit të breznive mbi dhe gjatë shekujvet. Taraboshi, Kaçaniku, Tomorri etj., kur i shikoj, m’a thekin shpirtin me mall e kreni pse në to ndiej pranin e nji fryme qi u a dhuroi kalvari shekulluer i popullit t’onë. Alpet, Andet, Kilimanxhari. Himalaja me pamje madhshtore do t’mi mbushnin syt me mrekulli, por zemrën sigurisht qi nuk do të m’a tronditshin. Pra, dashunija për bashkëbanuese e ban të kuptueshëm përfitimin (konceptin) e atdheut.
Animirë, si mundet t’i thoje vetes “atdhetar” ai bir Shqipje, qi për arsye shkalle shoqnore, ja rrjedhimi shtëpijak, ja feje e krahine, e shikon shtrembët dhe e mënin bashkëgjakasin e vet a thue se Shqipnija nuk asht çerdhe e përbashkët, por llogor ku fati na dënon me kalue jetën? Pra vetija e parë e nji atdhetari qindron në dashuni të vëllazënvet nji gjaku i nji gjuhe. Mos e urre edhe në qoftë se nuk të pëlqen. Përpiqu me kuptue në të mirat prej mbetave. Këshilloji me të, rrahi me te çështjet urtisht e nejrzisht; po qe ma i shkolluem, ndriçoje; po që ma i pasun, ndihmoje. Tue e përbuzë bashkëgjakasin, cili do të jetë, pa asnji arsye themelore, ti mohon mundësin e bashkëjetesës kombtare, vërteton fjalët e të huejve që s’na duen, të cilët trumbetojnë se shqiptarët s’janë të zot t’i a krijojnë vetes nji atdhe.
E dyta veti asht ruejtja e frymës shqiptare në mendime e në veprime vetiake dhe në rrethin shtëpijak. Mos lodh bulshijt me brohoritë ”Rrnoftë Shqipnija! Rrnoftë Flamuri! Rrnoftë filani e poshtë fistiku!” kur s’ruen nderin, then besën, han fjalën e dhanun, përdor shpifjen, gënjeshtrën, dredhit për të rrëzue vlerën e shokvet. Në vend të huej mandej nji sjellje shnjerzore, qi e shtyn të huejin me i a rrasë kombit mbarë fajin e turpshëm të ni njeriut, asht tradhtija ma e madhe kundrejt atdheut. Tue i u vu nji mollë emnit shqiptar, kryhet krimi ma i madh që nji njeri gjaku arbnuner mund të kryejë.
Para do kohe nji mik shqiptar qi jeton në Stete e Bashkueme t’Amerikës, ardhë këtu me kalue vakancat, më tregonte se Kryetari i Bashkisë së Boston-it, në fjalim qi mbante kryevjetit me u dhnë llogari qytetarvet mbi veprimtari të veten edhe të Këshillit bashkijak, i u drejtonte nji fjalë të veçantë lavdi shqiptarëvet, të cilët, veç tjeravet, shquheshin për sjellje të urtë shembullore dhe vende në spikatje se emi i tyne nuk përmendej kurrë në kronikën e zezë të qytetit. Këta shqiptarë të Boston-it qi nuk përpiqeshin aq me qitë emnat e vet në shesh për lavd, por m’u sellë në mënyrë që emni shqiptar të mbahej i papërlyem e i nderuem.
E ka cilsina tjera si detyra me rritë fmijët (sidomos në vend të huej) me frymë shqiptare, me mujtë në vete e me i u vu fre huqeve të paarsyeshme që gjarpnojnë në gjakun tonë e qi vishtirsojnë ma parë mbarëvajtjen e familjes e mandej edhe të rrethit shoqnuer, me i a njoftë vlerën shokut tue e rrudhë në zemër smirën e resën qi na e shkretnojnë jetën etj. etj.
Po ti, Hilush Loci, mirë se këtyne bisedimeve i a ke vu emnin Fjala qet fjalën, e prandej i ke dhanë liri vetes me folë kodra mbas bregut, por më duket se u nise tue thanë që bota shqiptare ka ndrrue dhe na premtove në titull të flasin mbi politikë e kulturë; mos e humbe toruan (nga nji fjalë toskënisht ban lazem…) dhe harrove me e sjellë fjalën aty ku në fillim e kishe mendjen?
Kësaj pyetjeje, qi më duket se shof të vizatuem në buzë të ndonji lexuesi, i përgjigjem: -Durim, or vëlla, ban pak durim se po vij edhe te argumenti shënue në titull.
Ky qindvjet, në të cilin s’dij ta tham a kemi pas fatin apo rrezikun të jetojmë, shkaktoi e po shkakton ndryshime jo të pakta në botë e në njerzim. Rrethanat ma të ndërlikueme rrotullohen me shpejti të vrullshme. Jeta merr përditë fytyra të reja . Edhe shqiptarët, sidomos në tridhetë vjetët e fundit, u gjetën në hudhun, me vullnet a pa vullnet, mbi shtigjet të reja të historisë. E, për të përballue gjendjen e re, i u desht t’i përshtaten kohës. Në Shqipni e jashtë Shqipnije shënohen dukuri (fenomene), të panjoftuna parandej, në mendësi e në të prum. Arsimi tue u shtri zbuloi probleme të randa. Dikur çashtjet themelore të kombit mund u zgjidhshin edhe me instikt, me atë instikt të hollë me të cilin Perëndija pajisi shqiptarin. Sot lypet kultura. Për kulturë kuptojmë njoftimet e ditunis të blueme e të shndrrueme në dritë depërtuese që ndihmon me qitë në shesh kavijat (causes) e pasojat e ngjarjeve të jetës. Sot në Shqipni, në Kosmet, ndër arbreshë t’Italis, në mbarë diasporën i u kërkohet përgjigjja pseheve qi lodhin shqisen (intelektin) e çdo Shqiptari mendendritun e zemërndieshëm.
Si mundet nji njeri politik, nji ndërtues i ardhëmënis s’atdheut me gjetë fillin e nji veprimtarije përtrise pa dijtë shka prodhon mendja shqiptare kudo që kjo rreket në hulumtime të cenëshme për t’ia diktue mysterin e rrahjeve zemrekut të historisë?
Mos të trembet askushi nga hovi kulturuer qi shënohet në njënën ose në tjetrën pjesë të njerzisë me gjak e gjuhë e frymë atavike arbnore. N’anarkinë e dukshme të botës shqiptare po vjen rrëmbyeshëm tue lëvizë palci jetësuer i shqiptarizmit, i cili kërkon nga errsinat e mistershëme të nënvetedijes të shpërthejë në dritë të vetëdijes.
Jemi përpara nji përpjekjeje së viganshme me njoftë rrajet e vërteta t’ona, prirjet e veçanta, mundësit e sakta shpirtnore; shofim gjithkund nji zell kërkese për të hetue sasinë e cilsinë e forcave gjallnore qi na lejuan në rrymën e shekujvet me kapërcye situata shum t’errta e rreziqe shpartalluese pa humbun emrin shqiptar dhe tue ruejtë visarin e trashigimeve stërgjyshore. Nuk asht nji kërkesë akademike.
Asht nji nevojë e thellë e jetës vetiake e kolektive. Duem të gjejmë udhën qi na çon në pragun e nji jete kombtare e njerzore në përshtatje me vetitë ancestrale tona. Luftat, në botën e re , fitohen vetëm me armën e kulturës. Ata qi mendojnë ndryshej mbyllin sytë për të mos pa rrezet e diellit të ri qi ndriçon kët pjesë të dytë të Nandëqindit.
Kuptohet vetvetiu se të gjithë nuk mund të jemi protagonista në lamijet kulturore. Por të gjithë mundemi me ndihmue, me ndjekë me trimnue përparimet e albanologjis dhe mundin e interpretuesavet të shpirtit kombtar. Keni ndopak dijeni mbi studime albanologjike e mbi krijesa letrare qi kryhen në Shqipni, , në Kosmet, ndër arbreshë t’Italisë, në krejt diasporen? Plotsonje kët të mbetë,. Mundeni ato vepra mos me i pëlqye, por keni për detyrë t’i nifni. Pa njoftë lëvizjet e vrumulisjet e shpirtit shqiptar në të gjitha anët e veta, si mundena me zgjedhë udhën politike qi na çon në plotsim t’idealeve kombtare?
Perëndoi koha e njohunive të mjegullta e të ceka: në daç e mburjeve patrjotike pa themel në daç e pohimeve paragjykuese qi ligshtojnë hovin kombtar. Tashti flitet në bazë të dokumentavet e të rezultatevet në të cilat arrijti shkenca e albanologjisë. Sot, nji shqiptar qi don të dijë sa peshon në kandar të vlerave njezore e të njerzimit dhe don t’eci mbi shtigje të ëksaj jete me vetëdije të plotë të mundësive dhe të caqeve të pakapërcyeshme të gjakut të vet, duhet t’i siellet kulturës. Sidomos ata qi vehen në krye të ndërmarjeve kolektive e kanë për detyrë m’u pajisë me të dhanat e fundit të lëvizjes kulturore qi pështjellueshëm por me shkas gjallnuer jo të pakët po vrumulisë në çdo vis ku vlon gjaku i ynë i shprishun. Hulumtimet shkencore shqyrtimet e përimtimet (analyses) e shpirtit individual e kolektiv shqiptar paraqitë në krijesat që, në nji shtjellim harkuer, përfshijnë tashma të gjitha gjinitë letrare (lirikën, artin tregimtar, dramaturgjinë) tue lulzue në Shqipni, në Kosmet, ndër arbreshë t’Italisë , në diasporë duhet jo vetëm t’i njofim por t’i bajm objekt studimi të thelluem.
Vetëm kështu po përsëris, mund të kemi nji ide të qartë mbi botën shqiptare e, sejcili prej nesh, për vetveten.
Sot për sot nji veprimtari politike e cila nuk ndriçohet prej kulturës nuk asht tjetër veçse nji lojë kote, qi argton ndoshta ata qi e lozin, por pengon ecjen e kombit mbi udhën fatale të historis.
(Shkëputur nga libri “Kritikë dhe estetikë” i Ernest Koliqit)
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe:
ERNEST KOLIQI: SHQIPTARVE U PËLQEN POLITIKA E KAFEHANEVE…
Politika e kafehaneve
Shqiptarve, përgjithësisht, u pëlqen politika. Jo aqë ajo qi me ânë të nji përpjekjeje vepruese ka qellim ndertues, por ajo qi shfren në bisedime tue ndejë në kafehane ase rreth nji tryeze shtrue me pije e meze. Mbush e derdh… Vizató e shlyej situata…
Nga Ernest Koliqi
Naltësó e zbrit persona, grupe, shtete, kontinente… Fundi? Sejcili shkon në shtëpí të vet pa ndërrue mendim, i bindun se ai vetëm ká në xhep të vertetën. Deri sa këto bisedime, rëndom të thata e të shtërpëta, janë nji mjet me kalue kohën dhe me hjekë mërzí, hajdedeh!; porsé mjerisht ndodhë shpesh qi aty me pohime të kota e shum lehtësisht cenohen vlera të çmueshme dhe mbillet fara e dyshimit qi pengon nisma të dobishme.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult