Në gazetën “Koha Jonë”, e enjte, 31 mars 1994, në faqet 5-6, është publikuar një intervistë e shkrimtarit Ismail Kadare, dhënë gazetarit Milaim Zeka për radion e Suedisë, Stokholm. Rikthimi në vëmendjen aktuale të kësaj interviste të 30 viteve më parë, si shfletim i arkivës, ka për qëllim vlerësimin që shkrimtari ynë i madh i ka bërë disa çështjeve që kanë qenë dhe mbeten aktuale edhe sot.
Kadare cek në bisedë, botimin e veprës së tij në Paris në dy gjuhë, në veçanti në shqip dhe rëndësinë që rrjedhon. “Dihet se monumenti më i madh që ka krijuar populli shqiptar gjatë shekujve është gjuha shqipe. Është një gjuhë madhështore dhe nga linguistët profesionistë quhet si njëra prej gjuhëve më të njohura të Evropës.” shprehet mes të tjerash Kadare.
Për t’u ndalur më pas tek roli që duhet të kenë (kishin) akademitë, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës, për të mbrojtur dhe përfaqësuar interesat e kombit shqiptarë, në të komponentët e saj të përkatësisë identitare. Për të vijuar me politikën, e cila ka qenë dhe mbetet problemi i problemeve, jo vetëm duke u fokusuar vetëm te parehatia që konfliktualiteti i saj i krijon një shkrimtari, por e zgjeron fokusin, duke e akuzuar politikën së cilës i “… ka hypur qejfi i madh që të bëjnë sa më shumë grindje, sherre, dhe përçarje”.
Kadare ndalon gjithashtu te zhgënjimi që ai ka patur me Ramiz Alinë, por edhe parapërgatitja që ai ka bërë çdo të papriture, duke çuar dorëshkrimin e veprës së tij editorit francez, i cili do ta promovonte dhe botonte, por edhe ta mbronte shkrimtarin nga përdorimi që regjimi mund t’i bënte atij si shërbëtor i komunizmit.
Me shumë interes në këtë intervistë është mënyra se si e ka trajtuar shkrimtari atë që mund të ishte e paprecedent në diplomaci. Ambasadori i asokohshëm në Suedi ka atakuar personalisht Kadarenë, si vepër dhe si vlerë i letërsisë shqiptare, në takimet zyrtare që ai ka pasur me personalitete të ndryshme suedeze, duke minuar mundësinë e laurimit të shkrimtarit me çmimin Nobel.
“Mund të ndodhë që për shijet e tija private, të mos e dojë, ose të mos e pëlqejë një shkrimtar, edhe të mos e lexojë kurrë. Por që në momentin që ky njeri përfaqëson vendin e vet, ai ka disa detyrime ndaj tij; morale, zyrtare dhe kombëtare. Këto nuk janë të shkëputura nga njëra-tjetra”, shprehet mes të tjerash për këtë çështje shkrimtari.
Sipas tij: “… fushata kundër meje për çmimin Nobel, ky ose është dashakeqës në përgjithësi i kulturës shqiptare… Nuk ka ambasador në botë që të shajë kulturën e kombit të tij”. Fatkeqësisht, ky zell për të luftuar me çdo mjet dhe formë, nderimin me Nobel të shkrimtarit tonë të madh, është ende i pranishëm edhe pas 30 vitesh, vite këto në pritje të Ismail Kadaresë për këtë meritim jo privilegj./kohajone
ObserverKult
Lexo edhe: