“Ç’ke në xhep, t’i marrin hop; ç’ke në tru, s’ti marrin dot”, 40 fjalë të urta shqiptare

ObserverKult ua sjell disa fjalë të urta popullore shqiptare, që kanë të bëjnë me mençurinë dhe diturinë:

Dy burra mund ta prishin kuvendin: njëri që di dhe nuk flet dhe tjetri që s’di dhe flet.

Nuk sheh syri, por mendja.

Thesi i zbrazët nuk qëndron më këmbë.

Kush njeh vetveten, njeh Perëndinë.

S’është marre të mos dish, por të mos duash të dish.

Shtatin pyell e mendjen fyell.

Dijet e mëdha janë në fjalë të shkurtra.

E mirë dhe fuqia, po ca më e mirë urtia.

I mençuri rrihet me fjalë dhe budalli me dru.

I zoti ia gjen kërthizën pleshtit.

Kokën të kesh, pa kapele ka sa të duash.

Kur mendtë shkojnë te maja e flokëve, punët zbresin te maja e këmbëve.

Kur u ndanë, aq i ranë.

Mos bëj petulla me ujë.

S’të pyesin ç’bëre në kurbet, po ç’solle.

Kush pyet, s’humbet.

Libri është arma e të mençurit.

Shit kalin e mëso djalin.

Është me të dhënë, s’është me të thënë.

Sa të rrosh, do mësosh.

Stolia më e bukur për njeriun është dituria.

Mendja sheh, mendja dëgjon.

Dituria në rini bëhet flori në pleqëri.

Do mosha moshën, do mendja mendjen.

Mendja bën hata, mendja bën kala.

Mendo ngadalë e vepro shpejt.

I dituri të kupton sa të hapësh gojën.

Kur je mëdyshas, mos bëj asgjë!

Kur lodhet trupi, çlodhet mendja.

Atij që të kupton, foli shkurt.

Kur zihen dy vetë, fiton i treti.

Shite diturinë me pakicë, blije me shumicë.

Kush pranon këshilla është më i mençur se ai që i jep.

Libri është fara dhe njeriu është ara.

Kush nuk di e të mëson, të dëmton.

Kush nuk lexon, edhe atë ç’ka di, e harron.

Ç’ke në xhep, t’i marrin hop; ç’ke në tru, s’ti marrin dot.

Më mirë të dish, sesa të kesh; po më mirë hem të dish, hem të kesh.

Fjalën ta marrë i pari i madhi, ujin ta pijë i pari i vogli.

Kush qortohet i vogël, lavdërohet i madh.

ObserverKult


Lexo edhe:

20 FJALË TË URTA SHQIPTARE PËR MIKUN: JE MIK – POR MOS U PËRZIEJ NË HALLET E SHTËPISË!