Tom Cruise është në bisedime me NASA-n për të xhiruar filmin e parë në hapësirën kozmike. Lajmin e ka konfirmuar shefi i agjencisë hapësinore, Jim Bridenstine, përmes një postimi në “Twitter”.
“NASA është e lumtur që do të punojë me Tom Cruise për një film në bordin e Stacionit Hapësinor. Ne kemi nevojë që mediat e njohura të të frymëzojnë një gjeneratë të re inxhinierësh dhe shkencëtarësh për të realizuar planet ambicioze të NASA-s”, ka shkruar Jim Bridenstine.
Shefi i agjencisë hapësinore nuk dha detaje të tjera, por thuhet se Cruise po bashkëpunon edhe me themeluesin e “Tesla” dhe “SpaceX”, Elon Musk, për të realizuar filmin në hapësirë. Musk nuk e ka konfirmuar ende bashkëpunimin, por ai komentoi në postimin e Bridenstine: “Me siguri do të jetë shumë qejf!”.
Ende nuk është zbuluar se cila studio do të bashkëpunojë për filmin dhe si do të jetë skenari i tij, por raportohet se ai nuk do të ketë lidhje me seritë e “Mission Impossible”.
Tom Cruise është shumë i njohur për filmat e tij të guximshëm dhe veprimet e rrezikshme. Ai ka drejtuar avionë të vërtetë luftarakë për filmin e ardhshëm “Top Gun: Maverick”, ndërsa për filmat e “Mission Impossible” është varur në anën e një helikopteri në fluturim dhe ka ngjitur në këmbë rrokaqiellin e Burj Khalifa në Dubai, që njihet si ndërtesa më e lartë në botë.