Presidentja Osmani dekoron me medaljen “Nderi i Republikës” të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar me medaljen “Nderi i Republikës së Kosovës” të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në një ceremoni të organizuar në objektin e Presidencës, me këtë medalje janë nderuar Vasfije Krasniqi-Goodman, Shyhrete Tahiri- Sylejmani dhe Ramadan Nishori, të mbijetuar të dhunës seksuale që kanë folur publikisht për mizoritë që kanë përjetuar nga forcat serbe gjatë luftës.

Presidentja Osmani, ka vlerësuar guximin e tyre për të dëshmuar dhe ndarë me publikun përvojat e rënda, duke theksuar se rrëfimet e tyre janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për drejtësinë dhe të vërtetën historike të Kosovës.

Ajo ka thënë se ata janë dëshmia e gjallë dhe shtylla jonë e luftës për drejtësi.

“Ka momente ku fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur mirënjohjen, siç ka edhe njerëz që me guximin e tyre të lënë pa fjalë. Sot jemi këtu për t’ju përulur me respektin më të thellë përballë tre individëve që janë më shumë se thjesht individë, sepse me dhimbjen e tyre kanë ndriçuar rrugën e drejtë së vërtetës, drejtësisë dhe shpresës. Ju jeni zëri që keni zgjedhur dinjitetin, jeni zëri i të mbijetuarve që kanë zgjedhur heshtjen. Ky është një premtim i gjallë se historia nuk do t’i harrojë”, ka thënë ajo.

ObserverKult


Lexo edhe:

DONIKA GASHI: VASFIJEVE TË KOSOVËS