Çmimi “Kadare” inkurajon dhe promovon letërsinë shqipe

gani mehmetaj

Nga Gani Mehmetaj

Filmi nuk bëhet për festivale, as romani e tregimi nuk shkruhen për konkurse. Por festivali i filmit dhe konkursi letrar janë promotorët e zhvillimit të kinematografisë dhe cytje për kultivimin e letërsisë. Shumë autorë të njohur thonë se çmimet nuk e bëjnë shkrimtarin, por çmimet e kurorëzojnë suksesin dhe vlerën letrare të romanit a të tregimit.

Konkurset në formë të garës me çmime, kur u beson, shpeshherë e provokojnë shkrimtarin që të futet në konkurrencë. Nisem nga përvoja ime. Në asnjë konkurs letrar nuk jam paraqitur, në asnjë grup letrarësh nuk bëj pjesë. Por kur u shpall sivjet konkursi “Kadare”, që e lexova në një portal të Prishtinës, më nxiti dhe ma krijoi besimin e konkurrencës korrekte. Konkurrova, i sigurt se po pati durim juria ta lexonte, do t’u binte në sy dorëshkrimi. Asnjërin nga anëtarët e jurisë nuk i njihja, kurrë nuk i kisha takuar. Juria pati durim, e lexoi dhe e vlerësoi dorëshkrimin tim. Prapë nuk na u dha rastin ta pinim kafenë e përgëzimit.  

Konkursi dhe çmimi “Kadare”, i mbështetur  nga Universiteti Evropian i Tiranës, dhe nga Instituti “Pashko”, bëri emër dhe u bë çmimi më prestigjioz falë përbërësve të rëndësishëm dhe aftësisë magnetike me të cilën e tërhoqën vëmendjen e krijuesve. Mban emrin e shkrimtarit më të madh të letërsisë shqipe dhe njërit ndër shkrimtarët më të mëdhenj të planetit. Konkursi e Çmimi “Kadare” mblodhi shkrimtarët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe diaspora, pra bashkoi hapësirën kombëtare ku flitet dhe shkruhet shqip. Është konkursi që theu barrierat e kufirit ia hapi rrugën letërsisë. Dy shkrimtar nga Kosova morën këtë çmim (Musa Ramadani, Gani Mehmetaj)  dhe dy shkrimtarë nga Diaspora (Rudolf Marku, Shkëlqim Çela). Kjo është arsye e qëndrueshme që duhet mbështetur këtë konkurs.

Kur konkurrojnë 30-50 autorë të ndryshëm stilesh, moshash, përkatësisë së ndryshme gjeografike, përcaktimeve të ndryshme letrare, në një konkurrencë pa asnjë ngarkesë egoje, atëherë ky konkurs dhe çmimi ia kanë arritur qëllimit. Kur sheh gjithë ata emra, që janë krah teje në konkurrencë, atëherë edhe fituesi e ndien veten mirë. Të jesh fitues i Çmimit “Kadare”, d.m.th.  të të hapen dyert e botimit të librit, të promovimit, të jesh i pranishëm në medie dhe të kesh mundësi bashkëbisedimi me lexues. Çmimi po i mbështet edhe autorët e rinj, novatorë, që po çajnë me vështirësi nëpër konkurse të tjera sa nga paragjykimet, aq edhe nga juritë që i mbështesin bashkëmoshatarët e jo vlerat. 

Të shkruash së romani mori çmimin “Kadare”, është rekomandim dhe mundësi e mirë që ajo vepër të shpërthejë kufijtë kombëtar dhe të përkthehet në gjuhë të huaja. Kjo ia shton edhe më shumë peshën çmimit, e bënë më të besueshëm librin, e popullarizon letërsinë kombëtare. Çdo letërsi në shtetet e Evropës dhe të Amerikës e ka një çmim prestigjioz që ia hap rrugët e suksesit autorit dhe veprës që e merr këtë çmim jo vetëm brenda kufijve kombëtar e gjuhësor, por në tërë botën.   

Është mirë që konkurset tjera letrare nën kapelën e shtetit, Ministrisë së Kulturës a ndonjë institucioni që mbështetet nga shteti, ta marrin model konkursin dhe çmimin “Kadare”, me hapjen ndaj autorëve të hapësirës gjeografike shqiptare. sepse kështu nxjerrin në pah vlerat letrare-artistike. Pastaj kur shtohet vlera financiare e çmimit ka më shumë dorëshkrime, ndërsa kjo e bënë të mundshme që të nxjerrën në plan të parë veprat e mira.

Konkurset “shtetërore” përzgjedhjen dhe çmimin t’ia japin veprës me vlerë e jo sipas afrisë, përcaktimit politikë a preferencave personale, që nuk janë vlera letrare. Te ne gati me saktësi dihet kush do ta merr një çmim a një tjetër, varësisht cilët janë këshilltarët e ministrit të Kulturës a kush i pëshpëritë në vesh jurisë. Sa herë vjen një ministër dhe shkon tjetri, dihet kush do të jetë laureat i çmimit për letërsi, kush do ta merr çmimin për kinematografi dhe kush do të jetë fatlumi i çmimit për muzikë. Në këtë mënyrë nuk stimulohet krijimtaria a letërsia. Në këtë mënyrë më shumë çorientohet lexuesi, shikuesi, dëgjuesi.

*Autori është shkrimtar nga Kosova, që mori Çmimin “Kadare” 2021 me romanin “Zogjtë e qyqes” (kronikë e një koloni serb).

LEXO EDHE: Romani “Zogjtë e qyqes” i shkrimtarit, Gani Mehmetaj fiton çmimin “Kadare”