Coelho: Kur dikush del nga jeta jonë, kjo ndodh sepse dikush tjetër është duke hyrë…

Paulo Coelho, autori brazilian i shumë librave të përkthyer në të gjithë botën, është një ndër shkrimtarët më të mirë të kësaj epoke, i nderuar me qindra çmime të rëndësishme.

Mes mjaft sukseseve të Paulo Coelho, janë edhe shprehjet e librave, të cilat kanë mbetur gjatë në memorien e çdo lexuesi.

ObserverKult ua sjell disa nga këto shprehje të Paulo Coelhos:

“Kur më pak e presim, jeta na vendos përballë sfidave të caktuara për të testuar kurajon dhe dëshirën tonë për ndryshim. Në momente të tilla është e pamundur të mendosh se nuk ka ndodhur asgjë, apo të pranosh se nuk je i gatshëm t’ia dalësh mbanë. Sfidat nuk presin. Jeta nuk sheh pas. Një javë është një kohë më se e mjaftueshme për ne, për të vendosur nëse do e pranojmë apo jo fatin tonë”.

“Mos e ndiej asnjëherë detyrim t’u japësh sqarime apo shpjegime të tjerëve. Miqtë e tu nuk kanë nevojët’i dëgjojnë, kurse armiqtë e tu nuk do të kuptojnë gjithsesi”.

“Sigurisht që në jetë ka dhimbje dhe beteja. Askush nuk mund t’i shmangë ato. Por është më mirë të humbasësh në beteja teksa përpiqesh të realizosh ëndrrat e tua, se sa të mposhtesh pa e kuptuar se për çfarë po lufton”.

“Kur dikush del nga jeta jonë, kjo ndodh sepse dikush tjetër është duke hyrë”.

“Mbylli disa dyer sot. Jo për krenari, mungesë kapaciteti, apo arrogancë, por thjesht sepse nuk të çojnë në asnjë vend”.

“Është e rëndësishme të kuptohet kur diçka ka arritur fundin. Rrathë dhe porta që mbyllen, kapituj të mbyllur, apo sido që t’i quajmë. Ajo që ka rëndësi, është të lëmë në të shkuarën ato faza të jetës që janë mbyllur tashmë”.

“Në botë ka persona që më kuptojnë dhe persona që nuk më kuptojnë. Për këta të fundit, zgjedh thjesht që të torturohen duke u munduar të fitojnë simpatinë time”.

“Të gjithë mendojnë se qëllimi kryesor i jetës është ai i të ndjekurit të një plani. Por askush nuk pyet nëse ai plan është krijuar prej tyre, apo është ndërtuar nga dikush tjetër. Mbledhin eksperienca, kujtime, gjëra, ide të ndryshme dhe gjithçka bëhet e tepërt për t’u menaxhuar. Dhe kjo është arsyeja pse përfundojnë duke harruar ëndrrat e tyre”.

“Kur nuk kisha më asgjë për të humbur, kam fituar gjithçka. Kur më kanë poshtëruar, ndërkohë që ecja përpara, kam kuptuar se isha i lirë të zgjidhja fatin tim”.

“Një tragjedi mban me vete një ndryshim radikal në jetën tonë, një ndryshim të lidhur me të njëjtin shkak, humbjen. Kur përballemi me një humbje, është e kotë të kërkosh të rikuperosh çfarë ka ekzistuar. E mira është të shfrytëzojmë hapësirën që hapet para nesh dhe ta mbushim me diçka të re”.

E përgatiti: A. S. – ObserverKult

paulo coelho proze observerkult

Lexo edhe:

PAULO COELHO: SI MUND TË URREJ NJË NJERI QË MË KA DHËNË VETËM DASHURI?