Çollaku: Nuk e kam pyetur ndonjëherë veten nëse ekzistoj apo jo

përhanshëm romeo çollaku

ObserverKult vazhdon botimin e ciklit të intervistave të realizuara nga Xhemazije Rizvani, “Flasim përhanshëm me…”, botuar nga Shtëpia Botuese “Syth”.

__________________-

Flasim përhanshëm me shkrimtarin Romeo Çollaku

Nga: Xhemazije Rizvani

U linda në një vit që herë më duket shumë i afërt e herë shumë i largët dhe në të dy rastet mendoj të njëjtën gjë: që koha ikën gjithnjë e më shpejt. I thonë viti 1973 dhe nuk ka shaka me të. Sepse nuk ka se si të hajë edhe shakanë dikush që ha fëmijët e vet. Meqë erdhëm te shifrat, edhe unë, njëlloj si një personazh imi, nuk e përjashtoj fare që, në vërtitjen e tij rreth diellit, planeti ynë të ketë shtuar së fundi shpejtësinë. Dritën për herë të parë e pashë në një pikë krejt të humbur të gjeografisë, por jo edhe aq të historisë. Me një histori, natyrisht, të përmendur, më shumë sesa në legjenda e në tekste shkencore të fushës, në mendjet dhe zemrat e njerëzve që e jetuan atë vend. Në familjen time, prindërit dhe dy vëllezërit e mi merreshin dhe merren me letra, me shkresa, me llogari, me studime, me shkenca. Lexonim pareshtur dhe lexojmë letërsi, por unë e teprova ca. Kështu që mora rrugët e mërgimeve. Nga njëri mërgim jam kthyer. Nga tjetri nuk kam ndërmend, sepse paska qenë e pashërueshme varësia nga vesi i keq i letërsisë. Kështu që, deri tani, mbi tridhjetë libra me poezi, prozë e përkthime mbajnë nënshkrimin tim. Këtu doja të dilja.

Si duket një Romeo pa dorë Shekspiri?

Shekspiri, pikërisht te tragjedia që i referohesh, thotë dhe këtë: «Prapë njëlloj do kundërmonte trëndafili, edhe sikur të kishte emër tjetër». Më përhanshëm se kaq nuk do ta fillonim dot.

Përse ndiheni i huaj?

Vendasit nuk e lëvrojnë letërsinë. Kjo ndodh ngaqë nuk u nevojitet një patericë e tillë. E shumta, hartojnë historikun e jetës së tyre apo të vendlindjes a vendbanimit të tyre. Ose e kuvendojnë dhe e këndojnë mbrëmjeve në atmosferën e bekuar të kafeneve. Por shkrimtari ka invaliditetin të mos e harmonizojë dot zërin e tij me asnjë lloj polifonie a kori. Gjë që nuk do të thotë se përmbajtja e këtij zëri është krejt intime apo vetjake; përkundrazi. Thjesht, letërsia dikton me ngulm, më duket mua, një distancë. Përgjigje të bukur pyetjes sate i ka dhënë Czeslaw Miłosz-i, kur thotë pak a shumë: Nuk ndjehem i huaj në kuvertën e një anijeje.

A është pyetja “ç’është poezia” ajo që e keni më inat dhe pse po (ose jo)?

Nuk e kam inat, dhe as më duket pyetje e kotë, por nuk më përket mua të shqyrtoj, teorikisht, çështje të tilla. Shpresoj t’i jem përgjigjur dhe të vazhdoj t’i përgjigjem me mënyrën time, me librat e mi në poezi, por dhe në prozë.

Atëherë, çfarë nuk është poezia?

Përpiqesh të më tërheqësh nga poezia drejt filozofisë apo më duket mua? Po të bindem. Gjersa poezinë mund ta gjejmë kudo, edhe në shkretëtirë, te pamja dhe te përjetimi i rërës së paanë, atëherë mospoezi nuk qenka vetëm mungesa, por e plotë, e oksigjenit? Asfiksia, vak  umi, hiçi? I dhashë ton pyetës për të shmangur diçka që mund të tingëllonte si përkufizim.

A është poezia ajo që humbet në përkthim, sipas jush?

Unë nuk di ku, si, në ç’kontekst janë thënë dhe nëse janë shkoqitur më tej këto fjalë nga autori i tyre, por, kështu siç i hasim shpesh, të cituara, në formë postulati, pa asnjë shtjellim, nuk pajtohem gjithnjë me to. Mbase edhe prandaj nuk ua kam kërkuar ndonjëherë burimin, sepse më janë dukur thjesht të lezetshme dhe nuk e kam vrarë mendjen për përpikërinë e tyre. Megjithëse e marr vesh shumë mirë se ku i rreh çekani, mendoj që zor se mund ta shpërfillte dhuntinë një poet si Frost-i. E kam fjalën, në radhë të parë, për dhuntinë e gjuhës vetë, për dhuntinë dhe për mundësitë e çdo gjuhe, pastaj për aftësinë dhe për formimin e çdo përkthyesi. Nuk është nevoja të dish gjermanishten e Goethe-s për të kuptuar se shqipja dhe Mjeda nuk i kanë lënë gjë mangut «Mbretit të Tulës». Emfazë, apo të mos e dinte vallë Frost-i që çdo gjuhë, pasi flitet e flitet e shkruhet e shkruhet, Frost-in e vet e gjen se s’bën? Në mos e ka gjetur, do ta gjejë. Mund të mos kenë shqiptarët një Bethoven, Einstien apo Heidegger, çështje tjetër kjo, pa lidhje, por Frost kanë, sepse për këtë ka punuar një mekanizëm që nuk pushon së funksionuari. Doemos, ka vargje apo fraza, apo ndërthurje tingujsh, që, përveçse në gjuhën ku janë formuluar, nuk mund të rroken në asnjë gjuhë tjetër. Por besoj se poezi nuk janë vetëm këto. Për të qenë të saktë mund të themi këtë: poezia është ajo që rrezikohet më së shumti të humbasë gjatë përkthimit.

Filozofin, ose poetin e duan më shumë “Xhulietat”?

Nuk kam dalë dot në ndonjë konkluzion; mbase në disa raste u leverdis të provokojnë dellin apo temperamentin asnjëherë shëndetplotë të poetit, prozatorit, përkthyesit dhe vreshtofilozofit njëherësh. Por dua të them, duke përfituar nga rasti, se kundrejt filozofisë kujdesem të ruaj një distancë sigurie, sepse me thatësinë e saj dhe me mënyrën e ndryshme të qasjes ndaj gjërave e të strukturimit të lëndës, ka asgjësuar shumë poetë dhe prozatorë. Letërsia është art, kurse te filozofia shoh më tepër një disiplinë. Jam i mendimit se një poet mund të fitojë shumë më pak nga filozofia sesa një filozof nga poezia. Fjala vjen, filozofët e vonë gjermanë dhe francezë kanë fituar shumë nga Hölderlin, Rilke, Baudelaire e të tjerë. Nëse do t’i besojmë një vrojtuesi të shquar të shpirtit, njeriut nga Moravia, që tha se, kudo ku shkoi, vuri që para tij kishte mbërritur një poet, atëherë ç’mund të thotë një filozof? Dhe duhet të shtoj se, pasi shkruaj më të rrallë ndonjë tekst teorik, nuk e kam të lehtë t’i kthehem lirshëm vargut apo fjalisë rrëfimore. Kjo është edhe një nga arsyet që e ushtroj pak esenë, megjithëse, në lidhje me artin të cilit i shërbej prej vitesh, kam disa gjëra për të thënë dhe sikur jam shtruar së fundi t’i shpreh, përveçse nëpërmjet fjalësh që i merr era, edhe përmes një ligjërimi më të organizuar dhe më të qëndrueshëm. Duke u munduar, ndërkaq, që thjeshtësia dhe rrjedhshmëria e këtij ligjërimi të ketë, deri diku, shpengimin e bisedës që po bëjmë; kjo ka rëndësi parësore për mua. Me sa thashë më sipër, uroj të mos hamendësohet se kam hedhur në erë çdo urë që më lidh me tekstet filozofikë. Nuk është se u druhem si dreqi temjanit; shpesh, duke shkruar apo përkthyer, më është dashur t’u drejtohem. Para pak kohësh lexova disa pjesë nga ekzistencialisti Lev Shestov, më mbresëlënësja ndër të cilat ishte një ese për Shekspirin.

Cilat vargje i mbani në xhep?

Shumë vargje, një pjesë të mirë të të cilëve i mbaj mend qysh nga fëmijëria dhe i them me rast e pa rast. Por, prej xhepave me astarin gjithnjë e më të ngrënë të kujtesës sime, po nxjerr tani vetëm dhjetë, nga Lasgush Poradeci:

Në fjalim të Shqipëtarit kush përqeshi, kush gajasi?

Kush më tha se gjuh’ e sotme shëmbëllen me zë larasi?

O, ta njoha prej së largu buzëqeshjen e shëmtuar,

Ti, demon i shkretëtirës, që kalon me vaj në duar:

M’i përdredhur se zilija t’u pat çfytyruar shtati,

Mun në fund të vetëdijes ty të ndrin një sy lugati;

Je njeri, e papandehur sikur ngjan me sprijë zalli,

Flet me gojë, – e papandehur sikur ulurin çakalli,

Qan e heq në të kënduar, ze këndon në zi të madhe,

Vdes kur hapet zemr’ e gjuhës posi lulja nër luadhe.

Si duket rruzullimi juaj?

Nga shumë larg, ndoshta duket piktoresk, si glob në raftin e një biblioteke apo në dollapin jeshil e me xhama të thyer të ndonjë kabineti të gjeografisë. Unë, për vete, nuk kam parë asgjë të tillë. Kam parë dhe shoh baltë nën shuaj, qiell mbi kokë dhe përqark rrugë, rrugë, rrugë të panumërta që vazhdimisht konvergjohen dhe të japin përshtypjen se do përmblidhen në një shteg të vetëm. Kam pyetur dhe më kanë thënë se në fund të një shtegu të pashmangshëm shquhet një si malore e butë, një lagje e bardhë. Që atëherë e mblodha mendjen të merresha me letërsi.

A është më fatkeqësi të jesh poet, apo të mos jesh?

Varet se ç’quan çdokush, në lidhje me këtë pikë, fatkeqësi. Lasgush Poradeci, që hoqi dorë, apo Frederik Rreshpja, që ëndërronte, me ç’kam lexuar, mirëqenie në jetën e përditshme, secili prej këtyre, dhe të tjerë si këta, që e kanë vuajtur apo e vuajnë përditë fatin e tyre, mbase e ndjenin apo e ndjejnë poezinë si mallkim. Ndokush tjetër, një njeri i velur nga jeta materiale, mund t’ua ketë lakmuar, dhe me të drejtë, pasurinë shpirtërore dy poetëve të sipërpërmendur si shembuj. Mirëpo, çdo lloj pasurimi, pavarësisht nga lënda përbërëse, nënkupton sakrifica. Diku djersë, rropatje, konflikte me tjetrin, me konkurrentin – që mund të jetë edhe vetja jote –, diku çmenduri (apo depresió, në të folmen tradicionale të vendit ku jetoj më së shumëti). Madje, siç kemi parë, edhe sakrifikimi i vetë jetës është, në kësi rastesh, brenda programit. Edhe pasuria që nuk synohet, ajo që gjendet e gatshme a që fitohet çuditërisht lehtë a, edhe më çuditërisht, dhurohet pak nga pak, edhe kjo shkakton ndonjëherë një ankth të papërballueshëm, një tëhuajësim disi të mundimshëm.

Cili libër nga ata që keni përkthyer do kishit dashur të ishte juaji?

Disave nga librat që kam përkthyer u jam bërë, deri diku, bashkautor qysh nga çasti që i kam lexuar. Dhe i kam përkthyer pastaj, për të përforcuar pozitën time prej bashkautori. Jemi, ku më shumë e ku më pak, bashkautorë të librave që na pëlqejnë. Kjo e mban gjallë letërsinë.

Cili poet do t’ju kishte përkthyer më mirë ? Me kë perafroheni si botë?

Aq sa e goditur dhe e bukur është kjo pyetje, aq qenka e vështirë përgjigjja. Ose, thënë më mirë, po vështirësohem t’i përgjigjem brenda frymës – frymës gazmore, besoj se më lejon ta quaj – së kësaj ankete. Të falënderoj, sidoqoftë. Por, dua s’dua, jam i detyruar të mendohem dhe të menduarit na bën ca seriozë, me ose pa thonjëza. Në fakt, shumë nga poetët që kam përkthyer, pothuajse të gjithë, do ta mbartnin shkëlqyeshëm poezinë time në gjuhën e tyre. Me rima, pa rima, me metrikë, pa metrikë; nuk do t’ua kisha merakun. Madje, edhe Zbigniew Herbert-i, i cili kishte obsesionin për ta shtrydhur mirë e mirë limonin e veprës së tij nga çdo bulëz lirizmi dhe për të na dhënë vetëm lëvoren, prapë, nuk ma ha mendja të mos denjonte të përkthente asnjë poezi timen. Por pyetja është e bukur dhe e goditur, sepse ka, në mos gabofsha, për qëllim të ndriçojë truallin ku mbiu kjo krijimtaria ime. Gjë që kam gjetur, ndonjëherë, rast ta bëj vetë, edhe pa më pyetur njeri, ngaqë e dimë në ç’situatë gjendet kritika letrare te ne dhe, nëse ndokush vendos të merret më hollësisht me letërsinë tonë, të mos na kërkojë kot në vise ku s’na ka shkelur këmba. Seferis, Elitis, Rilke, Baudelaire, do ta përkthenin shumë mirë poezinë time. Dhe Ezra Pound, ngaqë këtij do t’i mjaftonte vetëm të qenët gjallë, pa le të mos e zotëronte gjuhën e origjinalit.

Cilin libër e rilexon shpesh fëmija brenda jush?

Në fëmijëri kam lexuar shumë pak libra për fëmijë dhe nuk u jam rikthyer. Por as gatishmëria orë e çast e papërgjumur për ta regjistruar pa një pa dy sinqeritetin, apo një çast nostalgjk, si fodullëk nuk më penguaka të marr shkas nga pyetja jote për të rikujtuar ca zagushi e ca shira kur, 12-13 vjeç, e vaksinoja mendjen me «Të mjerët», «Gjakftohtësinë», «Kohën e shkrimeve», «Dimrin», «Koncertin», veprën e plotë të Migjenit, Mjedës, novelat e Marquez-it, antologjitë e atëhershme të poezive franceze, gjermane e greke, e me ca drogëra të tjera që, të paktën disa, kanë dalë sot nga qarkullimi. Po rikthej në mendje fëmijërinë, nuk bëj demonstrim gjenialiteti.

Pse nuk të çmojnë sa duhet për së gjalli?

Nëse, qysh në gjallje të autorit, librave të tij u jepet gjithë vlerësimi i merituar, atëherë, pas ceremonisë së të dyzetave, duhen hedhur me nderim e mallëngjim në koshin më të afërt të plehrave. Rregullisht, poetët dhe prozatorët tanë më të mirë janë zbuluar e vlerësuar drejt vetëm vite pas ikjes së tyre nga kjo botë. Nuk është nevoja të përmend emra. Me sa duket, gjykimi i letërsisë i nënshtrohet ndonjë ligji të pashkruar, por mjaft të rreptë. Sidomos në një mjedis krahasimisht të ngushtë, si mjedisi shqiptar, sidomos përballë një temperamenti herë tepër inatçor e herë tepër zemërgjerë, gjithsesi përherë tepër të rrëmbyer, si temperamenti shqiptar, prania fizike e shkrimtarit e pengon vlerësimin e drejtë të një vepre. Gjer dhe vepra e Kadaresë, për të cilën janë shkruar mijëra e mijëra faqe, ka për t’u vëzhguar më vonë nën një dritë tjetër dhe do t’i dalin në pah cilësi që nuk janë pikasur ose nuk janë peshuar mirë deri tani. Por kjo do ndodhë nëse do ndërpritet zbehja e vazhdueshme e vëmendjes ndaj letërsisë së mirë, pra nëse periudha që jetojmë, një periudhë kur mprehtësia e njeriut topitet pa pushim nga kitch-i, nga komercializmi, nga reklamimi harbut i komoditetit dhe i salltaneteve, është kalimtare. Ndonëse shenjat, së fundi, ngjajnë disi shpresëdhënëse – sepse, deri para një dekade a diçka më shumë, mediat ishin shndërruar në një artileri me mision shfarosjen e aspektit shpirtëror apo intelektual – ende nuk mund të flitet me siguri. A mbase shenjat nuk paraqiten fare shpresëdhënëse, por jam dorëzuar unë qyshkur duke e hequr televizorin nga priza dhe duke i kapërcyer vetëtimthi nëpër gazeta rubrikat e kësaj propagande. Pushtetet gjithnjë synojnë narkotizimin e njerëzve, në mënyrë që t’i kontrollojnë më lehtë dhe t’u përpunojnë trurin, për t’ua bërë vetë hesapet, për t’u shitur mall, për t’i vjedhur me lezet. Mirëpo letërsia dhe artet lëmojnë trurin, vigjilencën e shqisave. E kam trajtuar disi këtë temë, njëzet vjet më parë, në romanin «Varrezat e vendlindjes». Megjithatë, meqë u ktheva përsëri te punët e mia, një shënim i vogël: nuk ankohem për mungesë njohjeje e vlerësimi, sepse së pari e kam kaluar mjaft herët fazën e nevojës për të m’u konfirmuar aftësitë, së dyti ngaqë kam ndjesinë se krijimtaria më çmohet, mbase jo aq gjerësisht, por ama prej kategorisë më të lartë të lexuesve që njeh sot gjuha jonë, dhe së treti, e vetmja garë ku marr pjesë është me objektiv vetëpërmirësimin, në të vetmen betejë ku luftoj kam tekstin për kundërshtar. Kaq më mjafton. Sesa të vras mendjen sa e si vlerësohem, e shoh më të udhës të rregulloj ndonjë varg apo fjali. Sepse, e thashë, një gjë dimë me siguri, e ardhmja ka për t’u treguar shumë e rreptë ndaj letërsisë, edhe në rast se i përçudnohen kriteret, por edhe në rastin e kundërt, nëse i latohen dhe paraqitet më kërkuese. U bëftë kjo gjasa e dytë.

Si duken shtegtarët e pak metrave katrorë?

Për mua vetë, shtegtarët e pak metrave katrorë duken siç i kam dhënë në librin me të njëjtin titull. Por edhe siç i kam parë gjatë atyre pak leximeve që, në kohë të ndryshme pas botimit, mund t’i kem bërë këtij libri. Më duken ca si të zymtë, si të mërzitur, si të menduar. Me ca shkëndija humori të zgjedhur, por mjaft sporadik. Më duken jo fort të këndshëm për çdo shoqëri. Që të mos them mos i paç as në mëhallë.

Cilat janë provat se ekzistoni?

Kryesisht, luksi që, megjithëse më është dhënë mundësia ndoshta e papërsëritshme, nuk e kam pyetur ndonjëherë veten nëse ekzistoj apo jo.

Po gjurmët që do ngelen edhe pas jush?

Duke u mbështetur pak tek përvoja e pak tek intuita, dua të besoj se deri tani u kam siguruar njëfarë jetëgjatësie të kënaqshme rreth njëzet poezive, gjashtë a shtatë tregimeve, ndonjë romani, a edhe të dyve ndoshta, si dhe disa përkthimeve. Më duket sikur punimet në fjalë gëzojnë një shëndet disi premtues, por asnjëherë nuk i dihet. E përsëris, përveç organizmit, edhe shijet artistike të njeriut pritet të sulmohen më fort në të ardhmen prej pandemish, tërmetesh, përmbytjesh. Nuk dua të shfajësohem, por një gjyshi im murator lexonte – vërtet! – Shekspirin dhe Molierin para dyzet vjetësh, përditë. E kam një frikë se, po të jetonte sot, mund të shfletonte me ëndje citate gurush, fraza që mund t’u pëlacasë urtësia për veshësh, por që nuk rrezikohen nga asnjë hemorragji e brendshme artistike.

Për ç’gjëra keni heshtur më gjatë?

Për gjithçka. Shkrimtari është një gjellëbërës që e fut heshtjen në çdo gatesë. De Rada thotë se fryu era e maleve dhe rrëzoi hijen e lisit, kurse Camaj i rrëfehet Lules se udhëton me hijet e natës dhe ia sheh gishtat teksa mbyllin fletën e bardhë të një jete. Vetëm pak fjalë, por kanë përbrenda shumë tonë suspension points. Heshtja është gjithnjë e pranishme në tekstin letrar, sidomos gjatë dy shekujve të fundit. Ndoshta rrallë, dhe unë nuk e di nëpërmjet ç’mënyre, mund të përbëjë letërsi një tekst jo eliptik. Mund të më thonë që nuk ekziston teksti jo eliptik, nuk ka tekst të tillë, letrar ose jo. Ok, faleminderit. Poetët dhe prozatorët e mëdhenj, për shembull Stéphane Mallarmé dhe Raymond Carver, më kanë mësuar se si ta përdor heshtjen brenda shkrimit. Merret me mend që nuk kopjoj teknikat e tyre, por përpiqem t’ia përshtas elipsin stilit tim. Një stil ky që besoj se nuk i mungon një lloj i nëndheshëm muzikaliteti, dhe muzika është heshtje. Domosdo që, në një bisedë të lirshme si kjo apo gjithkund në përditshmëri, nuk është se shqetësohem edhe aq për raportet mes fjalës dhe heshtjes, sepse, jashtë tekstit letrar, përkujdesja për heshtjen mund të jetë edhe mençuri dhe, si e tillë, diç korrigjon në estetikën e botës sonë, por kurrsesi art. Madje as te Lasgushi, heshtja e të cilit, edhe përtej veprës, ishte e mbushur me kumt, heshtje prej gjeniu. Nëse synojmë jo fisnikërimin e vazhdueshëm të jetës, por shndërrimin e natyrshmërisë së saj në art, atëherë jemi duke e begatuar njerëzimin me një trajtë kur acaruese e kur komike të marrëzisë dhe përçapja egoiste për të ujdisur njëfarë arti kaq sui generis na bën, në të vërtetë, jo krijues inteligjentë, por personazhe, dhe personazhe të një farse absurde ose të një cirku bajat. Sajesa të kota melodramatike, gomarllëqe. Tepri të vanitetit dhe ku? Në një jetë që ikën me shpejtësi rrufeje. Në përditshmëri, heshtja e kontrolluar dhe llafazanëria e pakontrolluar, edhe në qofshin të padëmshme, janë, pothuajse ngaherë, njëlloj të bezdisshme. Në letërsi ndryshon puna. Veçanërisht heshtja është kusht themelor në letërsi, si në poezi edhe në prozë. Po i sqarove të gjitha hollësisht dhe shkoqur, nga vajte e si vajte e pse vajte, zor se ke bërë letërsi. Thjesht, je llafosur dhe po u harxhon kohën kot ca njerëzve të panjohur që nuk të kanë bërë asnjë të keqe. Habitem ndonjëherë kur, edhe në vepra pjekurie shkrimtarësh të sprovuar, si p.sh. Steinbeck, has faqe të tëra hallakatjesh të panevojshme nëpër histori e dialogë që i qëndrojnë tekstit si mish i huaj. I kthehem edhe një herë fragmentit me shpresën se gabimi është imi, por jo. Ec, them, gjëra që falen në romanet e vëllimshëm.

Pse ju duket zanat i vetmuar përkthimi?

Sepse nga njëra anë qëndrojnë disa lëndë jashtëzakonisht të rënda – origjinali, me gjithë ç’përmban, dhe gjuha, kultura e historia e popullit tënd, me gjithë ç’përmbajnë – dhe nga ana tjetër një përkthyes, që i duhet të mbështetet vetëm te takati i vet. Dhe që, gjatë orëve të punës, ka nevojë për qetësi.

Nga krejt ata që keni përkthyer, cili do t’ju qortonte se nuk i keni qëndruar shumë besnik?

Ndonjë poet, si François Villon apo Jules Laforgue, mbase do më thoshte: Çne Tirana në poezinë time, as e dija fare ku binte dhe as kisha dëgjuar a lexuar ndonjëherë për të. Do t’i përgjigjesha me një eeeh dhe do merreshim vesh shumë mirë.

Letërsia, a mjafton për të jetuar?

Në asnjë mënyrë, por sikur u bë ca si vonë që unë të jem në gjendje për të jetuar pa të. E kam menduar një mundësi të tillë dhe, sa herë e mendoj, arrij të mbushem lumturisht me frymë, si besimtari kur mendon parajsën, si i zhgënyeri kur mendon vetëvrasjen apo si kryefamiljari kur mendon divorcin. Si i alkoolizuari kur ndriçohet papritmas nga shpresa se zgjimet e dikurshëm edhe mund të përsëriten një ditë. Si një tifoz i sotëm i Dinamos që ëndërron, jo thjesht rikthimin në kategorinë e parë, por edhe tituj e kupa; dhe jo, mos pandeh aspak se e banalizova bisedën.

ObserverKult

________________

Lexo edhe:

AGRON TUFA: ANEMBANË ZGAFELLA E ERRËT E DIKTATURËS

DIBRA: IDIOT! DUHEJ TË KISHE SHKRUAR MË PAK DHE TË KISHE JETUAR MË SHUMË