Axhami: Një jetesë e paguximshme është një lloj vdekjeje

ObserverKult vazhdon botimin e ciklit të intervistave të realizuara nga Xhemazije Rizvani, “Flasim përhanshëm me…”, botuar nga Shtëpia Botuese “Syth”.

_____________________________

Flasim përhanshëm me poeten Shqiponja Axhami.
Nga: Xhemazije Rizvani

U linda në Kukës, më 1977. Ishin të  mbjella të mbara sivjet; mos u habisni pse jam e ngazëllyer gjithmonë mbas të mbjellave. Nëna ime, më lindi pas të mbjellave. Kishte kokrra fare misri nëpër mëngët e përvjelura të bluzës kur më lëshoi në shtrojën e vjetër. Ndaj, ndoshta një pjesë imja mbetet lëndinave, urive, fshatrave. Nuk e di, por në mënyrë të pashmangshme u mbrujt brenda meje ninulla e saj, kënga e saj e dasmave, vaji i vdekjeve, ecja  e saj në oborrin e gurtë poshtë një hënëzimi plot yje. Veshjet e saj me qindra ngjyra endur vekëve. Iku herët. E kështu mes dhimbjes, mallit, në shtëpizën e vjetër që mbante aromën e borzilokut të rrobave të saj, nën muzikën e fyejve dhe të një lahute që i ra deri në vdekje i verbëri i asaj lagjeje, unë nxora prej vetes poezinë. Pranomëni.

Je poete misterioze që bën një jetë modeste, apo më duket ?

Mbase. Megjithëse mendoj se të dyja janë dy kthina që i përkasin të njëjtit kompleksitet, jetës.

Ç’do të thotë guxim për ty?

Guxim për mua është të vazhdoj udhën vetëm, pa frikën e hendeqeve. Një jetesë e paguximshme është një lloj vdekjeje.

A është vendi më melankolik Kukësi?

Kuksi është një vend më klimë të ashpër. Mendoj se ashpërisa e kësaj klime të bën të fortë, por dhe të flasësh me zë të lartë… Nuk  e ndjej si vend melankolik.

A bën dot pa letërsinë?

Jam njeri që përshtatem dhe në përgjithësi njeriu duhet të përshtatet. Por nësë për një moment nuk do të kishte letërsi, muzikë, art etj., besoj se nuk do të dallonim më gjërat e fabrikuara.

Poetët e tu të preferuar?

Janë disa poetë, të gjallë dhe të vdekur. Prej të gjallëve nuk dua të përmend emra, sepse poetët janë të ndjeshëm dhe mbase harroj ndonjërin dhe nuk dua t’i mërzis. Por nuk mund të lë pa përmendur dy që nuk jetojnë, por mendoj që do jenë të pavdekshëm, Martin Camaj dhe Frederik Rreshpja.

Cila është arsyeja që të bën të zgjohesh çdo mëngjes?

Fëmijët e mi.

Çfarë kohe është ajo që ti nuk e kupton?

Përpiqem të reflektoj mbi të shkuarën, të punoj me të tashmen. Pakuptimësia me bën të ndihem keq, ndaj luftoj për ta mundur. Gjithsesi e ardhmja mbetet e veshur me mister…

A është i tepërt ky dehumanizim digjital?

Fatkeqësisht, po.

Si duket vetmia jote?

Gjendja në të cilën unë jam e plotë, madje mund të flas edhe me motrën e vdekur… Kështu meqë pyesni si duket po them: si një fëmijë shumë i lumtur që i ka të gjitha.

Cila është pasiguria  më e madhe?

Nuk mund të përcaktohet lehtë pasiguria më e madhe. E gjithë jeta është një varkë me vela në mes të oqeanit, e pasigurtë. Mjafton të kapësh në kohë drejtimin e erërave…

Kë e lexoni më shpesh?

Së fundmi autorë anglezë të ndryshëm dhe jo vetëm libra artistikë.

A ju duket jeta e bukur?

Do të doja ta shprehja pak më ndryshme

Jeta është e hijshme…

Cilët shkrimtarë ju frymëzojnë?

Mbase shumë, nuk mund të veçoj. Por ajo që më bën të ulem e të shkruaj është imagjinata ime e mbushur plot. Këngët dhe vajet e nënës time.  Ndodhitë dhe ngjarjet e së shkuarës, që nga koha kur luaja me kukullat prej misri.

Tre libra që i keni të shenjtë ?

Kuranin, 100 vjet vetmi, dhe Zarathustrën. Janë libra të kahjeve të ndryshme, por se di pse jam e bindur që e gjitha ajo që jetojmë është një kompleksitet i të tërave diametrikisht të ndryshme dhe të kundërta…

Poetja që do kishe dashur të jesh ?

Në fakt unë kam botuar  më shumë prozë, por edhe poezi. Poetja që dua të jem është, Shqiponja e poezisë që e bën lexuesin të ndihet mirë.  Nuk kam kam ndonjë poete të cilës i referohem, mbase duhet të kem…

15. Për çka jeni  vonë në jetë?

Kurrë nuk është vonë në jetë. Vonë është, nëse e harron këtë fjali. Kështu mendoj se nuk jam vonë për asgjë.

Cila ndjenjë dominon në brendinë tënde ?

Të qenit humane.

Ç’kuptim ka të qenit poete në një vend si Kukësi ?

Qyteti im mendoj që i do shkrimtarët. Mënyra se si i do është tjetër gjë… Të qenit poet në çdo lloj hapësire dhe vendi ka kuptimin se ajo hapësirë ose ai vend është një vend i qytetëruar.

Cilën poezi tënden e ke shkruar me krejt qenien tënde ? 

Mendoj që një poezi që nuk shkruhet me gjithë qënien, nuk mund të jetë poezi.

Kush është Shqiponja Axhami?

Di që emri im Shqiponjë,  është një emër shpendi që është i fortë dhe vigjilent. Më tepër, jo, nuk do të doja ta mësoja kurrë. Nëse njeriu mëson definitivisht se kush është, ka përparësi të çmendet.

Çfarë po shkon keq në botë?

Për fat të keq janë shumë gjëra. Por nuk e di pse jam shumë  e ndjeshme ndaj tokës. Mendoj se është një e keqe e pariparueshme moskujdesi ndaj florës dhe faunës.

ObserverKult