COVID-19 “anulon” ceremoninë e çmimeve Nobel, e para herë që nga 1944-shi

Ceremonia në prani e dhënies së Çmimive Nobel, e planifikuar për në 10 dhjetor në Stokholm, është anuluar për të parën herë që nga viti 1944, për shkak të pandemisë së COVID-19, njoftoi sot Fondacioni Nobel.

“Hera e fundit që nuk është mbajtur ceremonia në Stokholm ka qenë në vitin 1944, gjatë Luftës së Dytë Botërore”, tha Gustav Källstrand, historiani i Fondacionit Nobel.

Çmimet e vitit 1944 u dhanë në mënyrë retroaktive në vitin 1945.

“Këtë vit, ideja është që medaljet dhe diplomat t’u dorëzohen kandidatëve në një mënyrë të sigurt, në vendet e tyre të qëndrimit, me shumë gjasa me ndihmën e ambasadave dhe universiteteve të të kandiduarve”, shpjegoi Fondacioni.

Megjithatë, është planifikuar një ceremoni televizive dhe fituesit do ta marrin çmimin e tyre në distancë, transmeton ‘koha.net’.

Emrat e fituesve të çmimeve të ndryshme (Mjekësi, Fizikë, Kimi, Letërsi, Paqe dhe Ekonomi) do të shpallen në datat e planifikuara, midis 5 dhe 12 tetorit, nga Stokholmi dhe Oslo/AFP.