Çun Lajçi: E kishte pa n’andërr Hyrën…

Çun Lajçi bubulina

E kishte pa andërr Hyrën!
Jo hamam hyrën, po Hyrën, hyrien me dy brigje vithe t’bardha. Me dy mullar sanë n’gjoksin e thepaft, e s’çohej prej shtratit fatbardhi, me i mjelë e me i lëshua delet n’kullosë.
E po, s’ishte kollaj me pa andërr Hyrën! Hyrien me rrathët e barkut!
I kishte ardhë n’andërr e s’i shkonte mendja të djali n’djep, as të delet n’vathë, që blegërojshin e blegërimë i shkonte tbanishtës, se Hyra i rrinte para syshë me palat e saj të sanës!
Kishte pa alamet andrre! Si e qyshë mos dvetni! E dinte ai.
Hyrën e kishte pa cullak de! Kopilicën që bajshin be n’vithet e saj krejt çobania. Çobanesha që shtrihej përmbys n’barin e butë e ia fuste gjumë gjithë ditën!
Këta luejshin kuta klinc, e shpesh bërtitshin: Përmbi vithet e Hyres e gjuejta!
Besa edhe klithshin prej gëzimt: Uh i lumi unë i lumi, mu ngul klinca n’vithet e Hyrës!
Po, kishin qejf me ra klinca n’vithet e saj, veç jo Zot dërshej kambëve, se kriste belaja. I mbulonte gazepi! Hej, duhej me shti kutin pa i prekë brigjet e buta. Me nxjerrë duhej klincën e dreqit, pa i gërzhatë grejzat me krande!
E hajt n’guxofsh, shtine kutin ku s’duhet, e nxjerre klincën pa i prekë brigjet e egra!
T’thehej pacerrka e kresë me prekë Hyren, hyrien e bukur, që kishte lindë me t’meta e s’fliste!
– O veç ta nxjerri klincën bre, se tybe nuk t’preki, oj shlligë. Klincën ta nxjerri more, se u bana qull!
Kishte folë n’gjumë, disa herë asaj nate, e grueja e kishte shkundë për krahu!
Kur ajo u çua me i dhanë gji djalit, ky e ktheu kryet anash. S’donte me ia çartë vetës andrrën, me përzie fytyrën e Hyrës me ate t’nusës vet.
– Ku t’ra klinca mbramë? N’cilën shpellë t’hini? N’cilin zgërlyq t’ra që e lutshe shlligën me ta dhanë! I tha, kur nisi me përkundë djalin.
Kuku për mua, e paska marrë vesh edhe kjo, tha, e brofi n’kambë tym e mjegull. E muer shekën e shkoi n’vathë. I mjeli pa ba za e i lëshoi bjeshkës përpjetë pa e marrë drekën me veti.
Prit merre bukën, se asht dita e gjatë e t’merr uja, i tha grueja.
Kur e muer cakullin, kablushës me kumonë ia dha nji kokërr krypë e i tha: A thua e muer vesh për andërrën e Hyrën, kjo kablusha ime, që ma përmendi klincën, a veç deshti me m’i shti thercat?
Dhe… cy e cy i ndjelli delet e u ngjit bjeshkës përpjetë.

Prishtinë, 07.10.2021

*Titulli i origjinalit: “Hyra”

LEXO EDHE: Çun Lajçi: Vdekja s’asht dashunia që vret