Çun Lajçi: Kur mërzitej baba…

çun lajçi dashni mes malesh

Baba s’dinte mirë me i ra lahutës. S’di as unë, ma mirë se ai!
Tre gishtat, ia kishte pre sakica. I kishin mbetë të ngrimë, dhe vështirë i lëvizte.
Por s’e kam fjalën të gishtat! E kam fjalën të lahuta me bisht kali e lëkurë dhie!
Ai, lahutën e mbante varun, mbi postajën e shtrojës. E kishte “trofe”, kujtim nga Shpella, tek sa po e ruente Bajram Currin, nën strehën e dy kërrshave, n’vetullën e Dragobisë.
I vetmi, që ia ndërpriste kangën, n’atë sy mali, ishte Sali Mani. Këpute kangën Rugovë! Zbrit, merri kshtajat i thoshte!
Jo s’e kam fjalën këtu, e kam fjalën të lahuta. Të kanga që e kishte vetëm fillin, e këputej!
Ndoshta, babës prap i vinte thirrja e Sali Manit: Këpute Rugovë, këpute! Dhe ky e varte lahutën. Ndoshta, s’donte me ia ditë fundin!
Pse im at, se çonte kangën deri n’fund?
Për ket deshta t’iu shkruej, jo për patriotizmin e tij. Se dardha asht kalbë, e bishti asht tha, e Çuni ka vazhdua me lahutën e vogël me folë përmes vargjeve!
Kur mërzitej, e mërzitë i kishte të shpeshta, (se kujtimet i vinin valë valë), e shtrengonte me gjuj lahutën e mbasi ti kishte dhanë smollë harkut, e fërkonte penin me pe e zani kërmzonte hatullave të kullës! Unë, si kitërra, e nxjerrsha kryet prej zgavrrës së jorganit e bahesha krejt vesh, me ndëgjua kangën, por ai vetëm e zgjonte Mujën e Klladushës dhe i ipte rrugë për Kotorr, me pre Krajlin e me ia marrë çikën. Donte me martua Halilin e nuk kishte kohë mu ndalë n’Lugjet e Verdha të varri i t’birit, Ymerit!
Nisej gjoku sokakut e baba e vjerrte lahutën mbi kokën e vet e shtrihej. Gërrhiste menjiherë, por mua me nxente sabahu tue u mundua me zhvillua penin e kangës!
Nji ditë, su durova pa i thanë: Pse bre nuk po e çon deri n’fund?
Ah bre bir! Krejt trimat i vrasin n’fund t’kangës!
Qështu ma vranë Jasharin. Qështu Takun. Edhe Currin qështu! Mua po me vjen gazep me kujtua fundin e tyne. E pa i ra lahutës nuk po m’hiqet malli as mërzia!
Amanet m’tha, sa herë t’mërzitësh, gërrvishtja penin, se zgjohen trimat. Ata e shkundin pluhunin nga eshtnat, ti e shkundë mallin!
Për këte deshta t’iu shkruej, për mos harresën, se kemi nisë me i harrua, ata, që hangrën barut për neve e me iu knua atyne, që as nuk e nisën, as nuk e përfunduen kangën!
I thash djalit. Kur të vdes unë, gërrvishtja ti, se zgjohem e t’shikoj prej hatullave t’kullës! Knaqemi që të dy!

*Titulli i origjinalit: “Për lahutën deshta me iu shkrua!”

ObserverKult


Lexo edhe:

ÇUN LAJÇI: VLLAU T’KA ARDHË TË VARRI ME T’MARRË NGRYKË…