Çun Lajçi: M’fal atdhe që ta dua vetëm varrin. Jo njerëzit!

çun lajçi dashni mes malesh

E fundit, ama krejt e fundit, asht me t’mbetë hatri n’atdheun. M’u hatrua, me gjithçka që ai t’ka dhanë, për aq vite sa ke jetua, dhe me shkua nga kjo jetë, sikur mos t’kishe jetua fare!
Por kjo asht e fundit, që guxon me t’shkua mendja!
Deri aty, duhesh me grimcua vetën fort, tue ruejtë shpresën mos me tu sosë, se atëherë atdheu t’bahet i huej!
Me këto ankthe, u çova pa zbardhë mirë dita, bile-bile gati e mora lahutën, me vajtua Kosovën, si Omerin e Mujës, se ka mbetë tue u cacitë, pa e pasë nji skemli t’fortë m’u ulë.
Sundojnë, as pleq as djem, as nuse as gra, e fjala s’shkon kurkund! Sillet mahallës, si ky Buçi ynë, që e kanë lanë mendet, e flet me vetën, e m’thotë ami 50 cent se vdiqa!
N’atdheun tim, njeni punon, e dhetë i gjuejnë grepat, me kapë çka t’kapet!
Presin m’u rrëxu minarja, e me ia lanë fajin hoxhës.
Si djali që u hudh nga ballkoni dje! Ndjesë i pastë shpirti!
Zoti e kishte shkrua, por këta si besojnë Zotit, se janë mbi Zotin e ligjin, e fajin ia lanë hoxhës, si doktorit ministër, që ditenatë merret me smundjet e njerëzve, e prap, ai asht fajtori!
– Kjo gjamë e rrejshme, e njerëzve të rrejshëm, t’ban me iu hatrua edhe atdheut, e atdheu me tu ba i huej!
Me marrë jetën n’shpinë, e me thye qafën përtej bjeshkëve!
Por s’nemet atdheu, njerëzit mallkohen kur e truejnë atdheun!
-Por n’atdheun tim, mallkimi s’ban punë!
Këto gjamë t’rrejshme, t’njerëzve t’rrejshëm, t’i çuekan mendet aq larg, sa dita s’mjaftueka me t’i kthye mbrapa!
Edhe natën ta lanë pa gjumë!
U çova me fërkun e sabahit, e nxorra kryet n’dritare, me i largua mendimet e këqia, për djalin e ri, që ia theu babës zemrën, e ai ma kujtoi djalin e Memës, t’cilin e vrau Avro Cemi n’Previ, e mendja m’kishte pasë flutura Meteheve t’Plavës.
Hajt e kthei mbrapa tash. Hajt e mos shko me i kallxua Jakup Ferrit për zezditat e cubave tanë!
Por, ah!
Ju s’e dini ku janë ato!
Se ne t’mençurit s’iu kemi kallxua sa ishit t’ri, e puna s’iu ka qitë m’u ngjitë Meteheve për Çakorr, as m’u zdirgj Meteheve n’Plavë si Salih Hako e Ramë Cubi!
Kanë ikë vitet si uji Bistricës Rugovës, e bashkë me pluhunin e xhadës, kanë ikë edhe gjurmët e Gutajve, plavjanve n’za, e janë harrua krejt!
I ka marrë bora e egër, ferkemët e Gjonbalajve atyne qafave. As Rexhep Qosjes s’ia ka ruejt fletoret nën sjetull, tue u rrokotelë Meteheve, me dalë n’Vuthaj. As dajve t’mi Balidemajve, as mua nipit të tyne.
N’ket ferk sabahi, kur t’parët e atdheut tim, e shajnë njenitjetrin, tue ma nxi edhe ket pak jetë që m’ka mbetë, Rizë Morina i Dragobisë, i thërret Hasan Bajrit, e n’telat e çiftelisë e vret Avro Cemin e mua m’çon n’Plavë, te Hasan Ferri.
Ramë Mazi ma nxen rrugën, e m’bertet!
– Pa e ba natën n’konakun tim, ti s’shkon n’Martinaj!
I therret Smajl Sharkinajt e Ibro Musiqit.
– Merrni pushkët e g’jata e hajdi, se m’ka ardhë nipi i Balidemajve n’konak.
E kërset grykëholla, e Çuni i knon Ul Sokolit, Bub Binakut, e ortiqet zdirgjen Meteheve teposhtë!
Por era frynë, e dritarja përplaset n’kokën time t’plakun, e m’kthen n’Dardani, n’Platonë e Kurrizit, ku m’u dogjën 20 vjet andrrat e lirisë, tue m’sundua as burra as gra, as djem as nuse!
Sot mbas shumë vitesh, m’duket se iu hatrova atdheut.
Jo, nuk e shava, mos o Zot, veç i thashë, çka jemi ne që fajin ia lamë hoxhës, e minarën e rrëxojmë ne!
Falem atdhe, që ta dua vetëm varrin, jo njerëzit!

Dardani, 05.05.2020

ObserverKult