Çun Lajçi: Nana përmallohet- shkon të vorret me puthë mesën…

Çun Lajçi bubulina

Nga: Çun Lajçi

Kur shkoj të tbani im me dërrasa, n’oborr ndalem me pushua. Nji stol druni e pata marua dikur, kur duert i kisha hala të forta! Ai më pret! Stol prej dy copash lisi, t’vumë njenin mbi tjetrin!
Atëherë e sot ai rrin nën strehë, i mbështetun të dera. I kalbun pak nga dimnat dhe i plasaritun pak nga verat.

Mbi të i paloj eshtnat para se shikimin ta treti bjeshkëve e maleve të zeza e t’zbres n’varrezat e heshtuna. Ato i thërrasin dhimbjes sime e sytë mjegullohen.

Rri si i humbun n’oborrin ku linda nji natë dhjetori. Natë e zezë me borën e parë!
Fërfëllazë e madhe, pështjellc, thoshte nana.
Ti dole n’cegmën e dimnit por nuk kjajte. U merova! Kujtova se t’linda t’vdekun e idhnimit tim t’hudha n’borën e ftoftë.

Avull e vaj duel nga trupi yt. Me borë t’lava e me lot gëzimi ta preva kërthizën, more picërraku i vogël!
Që pse shkoj të tbani im me dërrasa, e pse ulem në stolin e kalbun dimnash, para se me çelë derën e me i thirrë emnit tim.

Ulem n’stolin e plasaritun verash, se nana m’kallxon si linda e si m’lau me borën e parë, e si s’guxoi me i kallxua burrit, tue kujtua se isha i vdekun!

Kur çmallem mirë e mirë e kur nana niset kah vorret, unë e thërras emnin tim: Si je o Çun Alia. A je mërzitë vetëm? Ma hap derën se musafir n’shtëpinë time erdha! I humbun rrugëve, e n’pragun e tbanit me dërrasa i gjetun. Hapma derën ti japim frymë njeni tjetrit!
Dhe futem në tbanin që din tinzisht me heshtë!
I hapi dy dritare e dy dyerë, aq sa ka, e mizat e ngujueme dalin përjashta. E fitojnë lirinë n’katundin e harruem!

Shtrihem n’shtratin që kurrë s’asht çua, që kur vdiq ime bijë e marr frymë, erë druni marr!
Çiftelia e viteve gjashtëdheta, ajo e Mehmet Lubeniqit, rrin e varun e pret gishtat e mi.
E marr!
Ia fryj pluhunin e dal të stoli me dy copa lisi. E ve n’prehën e ngadalë ia cingëroj telat e ndryshkun. Edhe pak za ia fali e kanga “A din shka moj gërxheli, mori vjollca n’për frangi” përplaset kërshave e kthehet të guri i nji vashe! Me ngjallet Fishta e m’thotë: Malli e dhimbja janë palca e ashti. Këndo e mos vuej!

Kur shkoj të tbani me dërrasa e thërras emnin tim, e nana përmallohet. Shkon të vorret me puthë mesën, time bijë!

*Titulli i origjinalit: “I humbun n’oborrin tim”

ObserverKult

————————

Lexo edhe:

ELONA CASLLI: DUART E UJSHME TË NËNËS SIME