Çun Lajçi: Nanat e shkreta e zakonet e egra t’maleve!

Çun Lajçi bubulina


Çudi!
Vazhdoi jeta sikur kurgja s’ndodhi.
Nji jetim mbet pa nanë, nji burrë pa grua, nji qiler e nji shtëpi robi pa nji nuse.
Dhe kaq! U këput peni e su lidh kurrë ma nye!
U mbyllën gojët me dry!
Kush kujt s’i tha gja. Kush kendin se pyeti!
Rob i gjallë s’lypi me ditë t’vërtetën: Pse nusja iku?
Nusja që u grabit n’Rugovën e cirme e kulla e kaçakut hini n’gjak me Haxhajt!?
Pse e la djalin jetim nusja e re?
Qyshë me i ikë nusja atij far djali, që s’i gjindej shoqi n’trembëdhetë katunde?
Dhe, jo vetëm se ia la djalin e iku, po ia muer tjetrin n’bark?
Kjo, thanë, ishte tepër e randë.
Çka do t’bahet me kërthinin kur t’del n’dritë?
Çka do t’i thonë mocanikët livadheve, kur ti ruejnë gjanë?
Jo jo, kurkush s’fliste. Vazhdoi jeta sikur t’mos kishim pasë kurrë nuse n’konak!
Nana vazhdoi me ofshama e me gjamë! Kolli iu shtua edhe ma shumë. Dhimtë e mbytën! Djali i mbet vejan e nipi jetim, e kush s’pyste pse nusja iku?!
Baba vazhdoi me i falë t’pesë vaktet, bile edhe xhumanë n’xhami, edhe kur s’dilte mulla Hyseni. Veç duhan pinte ma shumë e lahutës i binte ma rrallë. Ndoshta nga idhnimi!
Vllau krehej e lyhej me livandë, e tan sokaku merrte erë kur nisej me trupua katundit. Veshej ma mirë se na tjerët, se atij nana i thurte xhemper për çdo bajram, edhe pse ky nanën nuk e donte sa unë. Bile e nemte sa herë ajo kullej e pështynte kelbaz.
O, t’plastë Zoti i thoshte, ç’na tranove me kët koll!
Unë qajsha e thojsha, ky s’e ka përnimend, se nuk mallkohet nana, por s’paska duhan e tek asht çartë n’krye!
Sa herë e shtinte pasqyrën e vogël n’xhep, i thojsha vetës: Ku-ku, edhe ky dashka me ia lëshua rrezet ndonji nuseje n’katund, e burri me lëshua për nji rreze, si ky që i dha udhë fisnikës vet!
Çfarë zakoni paskan more Zot këto male: Për nji rreze pasqyre me i lëshua gratë e fëmijët mu rritë jetimë!
Po, ai ia kishte pasë vu synin nji çike n’fund t’katundit, e rrezet ia kishte pasë lëshua, sa herë i kishte ra sokakut t’saj. Ia kishte marrë mendët nji syverdhë, e nuk shkoi gjatë, e grabiti si t’parën!
Njenën e lëshoi për nji rreze e me nji rreze tjetrën e muer!
Kështu mendojsha e thojsha sa herë m’kujtohej kunata që me merrte me fjetë n’qilerin e saj, se nuk guxonte me ba natën vetëm, kur vllau, burri i saj ishte për rrugë. Qilerin me dërrasa e kishte nër arra, buzë sokakut, açik prej kullës, e tutej prej cubave t’katundit natën!
Thojsha, a kaq t’unt qenkan për gra këta far cubash a? A për ket punë po u thojkan: Ky asht ujk, ky asht cub!
S’di!
Por ajo, si duket s’bani ballë me jetua me dyshimet e vjehrrit, t’vjehrrës, e t’burrit, pse nji i pafytyrë ia kishte lëshua rrezet e pasqyrës! Ishte shej kurvnie ndër male, e t’shkretat gra kush s’i pyeste për t’vërtetën, se mendja u rrinte të e keqja!
Kjo se duroi t’pavertetën e t’vërtetën s’ia deshtën, ndaj e theu zemrën n’dy copë. Njenën e la të jetimi e tjetrën copë e muer me jetimin që e kishte n’bark, e u kthye atje ku kishte lind.
Nji ditë, prej ditëve, kur unë krejt e kisha harrua, erdhi lajmi: Nusja e vllaut kishte lind djalë e nji grua pa fëmijë i kishte lutë t’ia falin!
Nana ime u çoi fjalë: Kurrë s’la me m’humbë gjaku i djalit!
Ma sillni n’Drelaj. E rris me jetimin tjetër!
N’krye t’javës, erdh nji grua të xhamia n’shami t’bardhë!
E mbante n’grykë jetimin mbështjellë me mblojsin e djepit. Thirri: A po e merrni farën tuej, a po ia falim dikuj tjetër!
Zani u përplas me shpellën e Hasan Sylës e krejt katundi e muer vesh, se nusja e vllaut kishte lind djalë n’Haxhaj, e pru ia kishin n’Drelaj.
E mbaj mend t’ketë bërtitë prej idhnimit ky vllau jem: Faljani kuj të doni kopilin!
T’plaçin sytë, bir, bërtiti nana. Si po i thua farës tande kopil!
Çfar shpirti paske?
Si me tu rritë djali dyerve t’hueja?
Me ti thanë hallku djalit: O kopili i filanit?
Dhe tue u kollitë, trupoi arave e duel të xhamia dhe e muer nipin e vet! Erdh tue qajt e tue gjëmua!
E rriti n’gjinin e shterrun. Ia dha emnin e ia fali dashninë.
Vllau u martua me tjetrën e me tjetrën bani fëmijë, e tjerët i deshti. Por nana ia rriti dy jetima, tue i dashtë ma shumë se mua e Demën.
Eh, njeni vdiq i ri e tjetri jeton me mallin e vjetër që kurrë s’i hiqet nga mendja!
Por nanat e shkreta e zakonet e egra t’maleve, e fëmijët jetima, s’mu hoqen as mua nga mendja, as tash që i bana shtatëdhetë vjet, tash që shkruej e mundohem me hangër bukë, tue i shitë librat rrugëve, si drutë dikur n’shehrin e Pejës!

Dardani, 12.03.2021

ObserverKult