Çun Lajçi, për mikun që u nda nga jeta: Ka vdekë Ahmeti, por jo trupa e tij rinore e baletit!

Lamtumirë Ahmet Brahimaj

Ma s’pakti kam dashtë me shkrua për ty Ahmet.
E po shkruej!?
Se ti njiherë e vrave vdekjen, e unë deshta me besua se ti ma s’mund t’mashtrohesh!
E qenke mashtrua! Atëherë mos e the rrugën.
S’deshta me pikëllua kujtimin e rinisë sime, rrethua me Ty, e prima balerin e balerina!
Maestro piruetash!
S’deshta me shkrua, se dyshimin e kisha tash e nji mot! Shumëherë kam dasht me t’thanë, kur takoheshim n’Kurrizin e Dardanisë: A t’i besojmë a mos t’i besojmë ma kësaj jete, se plak’ jemi pak, e jeta pak marrë na e ka tatpjetën, e zor se e vrajmë ma, por thojsha mos po m’prekësh!
– Por seç mu kujtua Martini, e vargjet e tij për Lulën.
Ndoshta e din se për cilin e kam fjalën.
Për “Nji fyell ndër male” që ende e kërkon dikund Lenggriesit t’Bavarisë!
Ndoshta s’t’kujtohet si mua, se shkoklua vargjet s’ia ke si unë, e fyellit si unë s’i ke ra.
Por n’skenë ke pritë m’u ngri n’yll! E Martini “Garguj para shpellës së dimnit” m’u ngri n’vargje t’arta!
“Kamba-kambë nji ditë shtyn tjetrën”, thoshte, për me qenë n’panteonin e vargut brilant!
Po, m’u kujtua e shoqja e Martinit, gjermanja fisnike, e viti 1992, kur për herë t’fundit ia ndëgjova zanin n’telefon!
– Jam malsor si ti i thashë, artist, por kurr si ti!
Fyellit i bie edhe lahutës, por edhe vargun tand ta deklamoj. Jo n’madhështinë e tij!
E kam sonte nji shfaqje, t’cilën jam mundua ta ve n’skenë, me fuqinë e artit tim, por prap jo n’madhëtinë që ka poeti!
– Malsorët i kanë fjalët e preme. Mos ma zgjat, se m’tranove me këto madhështi.
M’tha, me za t’mekt!
Ishte pak muej para vdekjës!
Martin, jam Çun Lajçi i Rugovës, artist teatri t’cilin ti nuk e njeh, por sonte n’Mynhenin tand e kam “Marash Ucin” shfaqje nga “Lahuta e Malsisë” e deshta me t’qerasë me vargjet e Fishtës, se ma merr mendja t’ketë qenë edhe frymzuesi yt!
Hetohej se menxi merrte frymë. Kanceri e kishte blua fare.
– Eh, bani, sikur t’me bishin kamtë! Tash e kuptova pse e the fjalën “madhështi”, Po Fishta ishte madhështia!
Dhe e muer Enrike telefonin, kërkoi falje që ai s’po mundet me folë ma!
S’deshta me ia lëkund eshtnat, po ky çast ma kujtoj vdekjën tande Ahmet, ti prima balerini i gjeneratës së artë, e me vargjet e Martinit deshta me t’përcjellë deri të varri…

“Po t’bie nji libër t’harruem,
t’mendojsh për mue deri nesër,
për mue t’harruem”

….
Këto zhurmuen e mua m’çuen n’Burrnut, aty ku sot u varrose për t’pushua përgjithmonë.
Ishim miq, edhe ma shumë, kolegë që nga viti 1972, Ahmet Brahimaj.
– E sheh Martin, se si ngjajnë këto vdekjet tona, me atë poezinë tande,
“sonte m’lajmëruen se ka vdekë nji njeri
prandej jam i trishtueshëm Lule”

se Gala ime m’tha, Naimja m’lajmëroi se ka vdekë Ahmeti!
Por unë e dija të vdekun që nji mot, siç e dita edhe për ty, atë ditë kur fola, se je i vdekun, por shpresa na mbante edhe për nji pranverë tjetër, e gati i thashë time shoqe

“Lule, hiqe pëlhurën e zbetë prej hanës,
e shtroje për tokë”

Eh!
Ka vdekë Ahmeti, por jo trupa e tij rinore e baletit!
As dy dekadat e tij të arta n’teatrin e Prishtinës!
As dy vajzat e tij t’bukura!

Ti vërtetë ishe pasardhës i denjë i Abi Nokshiqit Ahmet.
Lamtumirë!