Çun Lajçi: Po kthehem edhe njiherë deri te varrezat, te guri i vashës së fjetun

E kalova urën e katundit dhe sa po dola n’rrugën që t’çon n’Koshutan, e shkela frenin pa dashje dhe u fik kerri.
Ç’pate i thashë vetës. Ç’pave?
Kush ta trupoi rrugën? Kush t’thirri?
Çka harrove që me kaq rreptim e shkele frenin?!

Me droje e ktheva kryet kah ura. Tepër ngadalë e ktheva se mishi po m’bahej kokërr.
Gjethet e zverdhueme që binin mbi xhamin e veturës po m’trishtonin edhe ma shumë. Diçka po m’kujtonin por s’po ia gjeja fillin.

Po kthehem edhe njiherë deri te varrezat, te guri i vashës së fjetun. Ndoshta kam harrua me puthë! Ndoshta s’i kam thanë natën e mirë. Ndoshta kam harrua me i thanë se pa ra bora e parë kam me ardhë me t’marrë ngrykë e krejt ngrohtësinë time kam me ta lanë për dimën!

Dhe e ktheva veturën por prapë e shkela frenin.
Çka po t’përfytyrohet n’fund t’katundit? I vogël ishe e frikë s’pate! Çka po t’frigon sot n’vjeshtën e mija ngjyrave?!

Dhe e ktheva veturën. U nisa për Pejë por u ndala. Nisa me folë me vetveten…!
Mos ke harrua diçka pa i thanë? A ia thirre emnin?
A i tregove se gati krejt je sheru e frymë po merr ma lehtë?

E për dardhat gurçe që i more poshtë varrit t’saj, a i tregove se u tujgën.
E more ngrykë gurin e gjatë mbi kokën e saj t’bukur?
Mos ia ktheve shpinën pa i thanë: Mos u mërzit, se me borën e parë këtu ke me m’pasë!
Të gjitha ia kisha thanë e prapë nji za po m’thoshte kthehu!

E ktheva veturën por n’urë u ndala. Sikur më nxuni kollokanxha e asaj vjeshtës së vonë, kur po zhdirgjesha me Isufin nga Bregu i Huc. Ura e drunit s’ishte aty. Gërlat ishin dalldisë nga shiu që nuk ndalej e gjithçka kishte marrë me vete. Edhe urën edhe rrugën që i kapej shpatit për tek Adem Salihi.

Isufi kishte mbi kurriz enë e tesha shtroje, kurse unë pula t’lidhuna kambësh, t’vume n’krah, përpara e përmbrapa.
Mos e kqyr ujin m’thoshte, se t’merr me vete!

Dhe me rrëshqiti kamba! Isufi me kapi si xheraçina e me mbajti nën sqetull! Kur himë n’odë baba po mundohej me ia lidhë çiftelisë telin.
Kjo s’lehet pa tela se ty t’shterret zani, i bërtiti Isufit!

Au, bërtita n’veturë! Unë shkova të varri i vashës por harrova se me pret dbani e çiftelia e varun n’çengel. Ajo s’po m’len me ra n’Pejë. Kthehu po thotë, çele derën e dbanit, thirre emnin tand e mua prekma telin!

Dhe sërish kalova kah varrezat e sërish fola me shpirtna: Kam harrua me i prekë gjurmët e mia u thashë dhe shkova të dbani.

A don mysafir o Çun Alia bërtita, kur e çela derën. E mora çiftelinë, por ket herë s’u ula n’stolin e maruem me duert e mia që rrin n’oborr tue m’pritë. E rranzita për gjokës e zani i telave u përzie me cingaren e lopëve që kullosnin përfundi dbanit!

Tash mundem me marrë rrugë, se ia hoqa pluhunin çiftelisë e mallin shpirtit tim, thashë dher e vara n’çengel.
Ma ruej kangën e çobanisë se delet mi hangër ujku që kur u bana artist, thirra tue mëshelë shtegun e sokakut!

*Titulli i origjinalit: “Çka po m’përfytyrohej atë ditë”

ObserverKult

————————–

Lexo edhe:

ÇUN LAJÇI: U BANA DHÉ E ZBRITA N’GROPË, T’IA MBULOJË ESHTNAT BIJËS SIME…

ObserverKult