Nga Çun Lajçi
Dukagjinas ishte Skenderi, artisti i mërguem, e dukagjinasit ia kan lakmi njeni-tjetrit për shumëçka. Me gjithëçka mundohen me i përngja shoqi-shoit e gjithçka bajnë për t’mos ia humbë gjurmën e farën!
Si buka n’qerep piqën tue pa njeni tjetrin këta dukagjinasit e mi!
Dy konop samari, siç thuhet, e ndanin me katundin e Jusufit! Madje kanjushat e Gërvallës sikur fluturonin çdo ditë përmbi Isniq. Çdo ditë nga nji pendël e bardhë sikur binte mbi çatinë e artistit kallushan. Diçka kishte marrë nga poeti që këndonte n’telat e kitarës. Diçka kishte mbjellë në zemrën e tij me vargjet për kanjushat e verdha! Dhe, tre konop të tjerë e ndanin me Dervish Shaqën, rapsodin, plakun e kangës që djepin me djal e la n’odë, por jo edhe sharkinë vjerrun n’çengel; – ate e muer kur iku n’Shqipni!
Edhe artisti kallushan, që i kishte frymzim t’rrugëtimit poetin e rapsodin, e mori sharkinë rrugëve t’mërgimit! Me telat e saj e xigëloi atë artistin llapjan, Avdushin fjalëpak, dhe si n’kangën e Shtatë Shaljanëve i piskati; – a po zhdirgjesh ta bajmë nji dert?
Dhe iku Avdushi. U zhdorgj n’Berlin!
Por cili ishte Marash Pali? – e cili ishte artisti kallushan me mustaqet si t’Osman Kukës?
– Avdushi, ai sy gjelbëroshi? – që u vendos n’Berlin, apo Skenderi që zuni vend n’Delema?!
Njeni e tjetri u dogjën n’telat e sharkisë që e morën me vete kur ia kthyen shpinën teatrit e roleve që u kishin pikua nga zemrat!
“Marash Pali hipi n’thep, me kobure rrept po qet”, – këndonte n’Berlin Avdushi e n’Delema ia cingëronte telat Skenderi, – “Ah ku jeni ju Shala e shkretë, mblidhnu njiherë ta bajmë nji dert”, – dhe shkriheshin n’vajin e kangës artistat e mërgimit; – “ Vezir Begu n’Shkodër po thërret”!
Dhe u zhdorgjën njeni e tjetri, si ata Shatë Shaljanët e kangës, por jo n’kambët e veta! U kthyen n’arkat e mbylluna!
Tani i kemi n’buste brozi; – Skenderin n’Dukagjin, Avdushin emën teatri n’Llap!
Unë flas rrugëve e njerëzit kujtojnë se jam i çmendun: – pse edhe Bekimi s’e ka bustin n’Prishtinë si Skenderi n’Isniq? Ai ishte frymëzimi i tyne i imi i miliona shqiptarëve!
– Hej!
Mia e mia shqiptarë, n’vitet 70-ta, i pagëzuen bijtë e tyne me emnin e Bekim Fehmiut!
– Pse s’e ka bustin n’sheshin Nana Tereze ylli i filmit, frymëzuesi i t’gjitha gjeneratave!
– Pse harrohet Bekim Fehmiu i pyes rrugët e njerëzit kujtojnë se jam i çmendun!?
Por …
– Do t’vinë kohë tjera e njerëz tjerë e ata do t’na kujtojnë për kapuçat zdralana e kryet plot!
– Unë sot vetëm lamtumirë po iu them!
12 maj 2023
ObserverKult
Lexo edhe:
ÇUN LAJÇI I KUNDËRPËRGJIGJET EDI RAMËS: E KAM DITË SE S’DO T’PËLQEJË…
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka postuar dje në “Facebook” një shkrim të Çun Lajçit, ndërsa fliste për protestën për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Rama shprehet se, në shkrimin e tij, Çun Lajçi ka folur me një vrazhdësi të kthjellët, mbi sherrnajën “për një godinë të gabuar që u shemb me një vonesë dhjetëra e dhjetëra vjeçare!”
Ndërsa thotë se uron ta takojë aktorin, Rama shprehet se, ndonëse Teatri i ri Kombëtar nuk do të jetë si ai i Shkupit, ai do të hyjë në listën e teatrove më të bukur evropianë. Nuk vonoi shumë dhe aktori Çun Lajçi komentoi në profilin e Ramës ku ndër të tjera tha:
“E kam ditë, se s’do t’pëlqejë as Ty, kur t’quejta të”çmendur” sepse kështu po t’quejnë e gjithë Tirana, por e kisha qëllimin t’iu them, se edhe ai n’çmendurinë e vet, e din se ç’asht arti, dhe do ta ndërtoi nji tjetër, mija herë ma t’mirë!”.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult