‘Nga veranda jote duket shtëpia ime’, një rrëfim pa dorashka për jetën e shqiptarëve në Itali

Një rrëfim për dy brigje, sa të njohura aq edhe të panjohura për njëra-tjetrën, për njerëz të ndryshëm, por në thelb të ngjashëm.

“Nga veranda jote duket shtëpia ime” është vëllimi i parë me tregime i autorit
shqiptaro-italian Elvis Malaj. Në 12 tregimet e tij vërtiten dy botë sa të ndryshme, aq edhe të njëjta. Dy botë që ballafaqohen me njëra-tjetrën përmes gjuhës, botëkuptimit, emocioneve, traditës dhe risisë, të njohurës dhe të panjohurës.
Malaj rrëfen pa dorashka dhe pa klishe jetën e vërtetë të të rinjve shqiptarë në Itali dhe në Shqipëri; rrëfen për bullizmin, seksin, familjen, stereotipet, gëzimet, dhimbjet, jetën e zakonshme, mospërshtatjen dhe trazimin e emigrantit, por me një këndvështrim të ri dhe të freskët.

Tregimet e tij nuk përfaqësojnë thjesht të qenit shqiptar, ato janë tregime për qenie njerëzore, që vuajnë, grinden, qeshin, bëjnë marrëzira, dashurojnë dhe urrejnë. Ato janë të këndshme, zbavitëse dhe rrëmbyese. Në qendër të tyre, përveç ndonjë rasti të rrallë, janë të rinj shqiptarë të rritur në Itali dhe si italianë, ndoshta dhe alterego të autorit. Rinia nga njëra anë dhe identiteti shqiptar nga ana tjetër janë dy anët e së njëjtës monedhë, që Malaj arrin të na i sjellë si një ndarje e thellë, por kurrë banale e shoqërisë italiane. “Nga veranda jote duket shtëpia ime” u rendit ndër 12 kandidatët më të mirë të çmimit “Strega” 2018.

Kritika

“Në tregimet e Malajt – sepse bëhet fjalë për tregime dhe ky më duket një tjetër arsye interesi – matet gjithë distanca mes ëndrrës dhe realitetit, dhe demonstrohet se ç’do të thotë “i huaj” qoftë në Itali, qoftë në Shqipëri,” thotë Luca Formenton, akademik, president i shtëpisë botuese “Il Saggiatore”.

“Largësia që përshkon jetën e personazheve të Malajt është e brendshme dhe shfaqet përmes cinizmit që, në të vërtetë, fsheh diçka të kundërt, pra vetminë e tij melankolike, të projektuar në kërkim të vendit që i takon në këtë botë,” shkruhet në Il Manifesto.

Elvis Malaj ka lindur në Malësinë e Madhe në 1990, por që në moshën 1-vjeçare është larguar drejt Italisë. Në tregimet e tij ka gjurmë të identitetit shqiptar, por nuk bëhen mbizotëruese.

Me përkthim të Beti Njumës, “Nga veranda jote duket shtëpia ime” vjen në shqip nga shtëpia botuese “Pegi”./ ObserverKult