Unë s’jam Bruti! A moret vesh?
Jam ky që jam. As ma i mirë as ma i keq nuk bahem.
Edhe nëse iu besoj, edhe nëse s’me besoni, prapë se prapë, i biri i kaçakut mbetëm!
S’jam Mark Antoni, se s’jam i ndershëm si ju!
Nji Teutë po ia marr shehrit e po ngujohem n’malet e mia!
Detin po ia la Agronit!
Po deshti le t’me kërkoi atje, ku ban qyqja ve! Ku shpellat nuk mbesin pa lakuriq!
Iu tha sheherlive, nji artist i krisun, dhe e muer Galën e duel n’Rugovë.
Ndër male i kishte mbetë emni. Lisat i kishte gërrithë me brisk!
Nji ditë, kanë me thanë, ai ishte i vogël. Nuk rruhej as nuk lëshonte mjekërr!
I la n’shpellë tirqit e herrkën. Emnin e la n’lisa e zbriti si ujk i vramë reje!
Për betër ishte!
Malësorë i thoshte vetës, e malit ma s’iu kthye. Mbet n’qytet, tue luejt rolin e tellallit!
S’u muer vesh, a i tutej rrufesë, që i kishte shkrepë n’krye, apo artit që i kishte hi n’zemër.
Mbet, tue u rrokotelë rrugëve me do libra, që s’dinte as vet pse i ka shkrua.
Prej mërzisë, k’nonte me sharki, herë me lahutë!
Po i biem trup për filanin, kanë me thanë nji ditë. S’kemi për kend mu harxhua e pse me ia përmendë emnin!
Besa e Zotit, ai vdiq as shumë as pak, kanë me thanë!
Le t’thonë çka të duen. Jam ky që jam! Iu besova a s’me besuen, njisoj! I pa orë ka qenë kanë me thanë.
Edhe i pa emën!
Amin!
*Titulli i origjinalit: “Fjalë për mua”
ObserverKult
Lexo edhe:
ÇUN LAJÇI: PËRKUNDËR DHIMBJEVE ZGJOHU GRUA…
ObserverKult